Nga Fatmir Merkoçi
Qeveria po trumpeton me të madhe se në vjeshtë do aprovojë në Kuvend reformën në drejtësi. Sipas politikës, kjo reformë duhet bërë pasi, kemi një sistem drejtësie të korruptuar deri në paaftësi. Për këtë reforme ka nisur sipas maxhorancës një konsultim i gjerë. Këto konsultime janë farsa e parë e kësaj reforme. Kjo pasi, këto ballafaqime kanë të meta absolute. Ato zhvillohen në auditore universitetesh por, nuk japin asnjë prodhimtari në drejtim të kësaj reforme. Në këto takime ka një panel të përcaktuar si dhe folës të cilët tregojnë më shumë teori absurde se sa realitet. Këto takime janë të organizuara e financuara nga Euralius. Për të qënë më të saktë Euralius ka mëse 20 vjet që merret me ligjet dhe kodet tona. Kjo tregon se vetë Euralius ka dështuar në ligj-bërien e shqiptarëve. Kjo po vazhdon dhe sot. Politikanët tanë, ashtu si dhe shtetarët janë tepër kurrizdalë karshi të huajve në përgjithësi. Ata mjaft të bëhen servil të tyre e nuk ju intereson se çfarë ligji pregatit apo aprovon, në rastin tonë Euralius. Kjo ka sjellë dhe lëmshin e drejtësisë shqiptare. Kjo ka bërë që ligjet e kodet të kenë pasur fatin e ndryshimeve të shpeshta. Ose e thënë më shqip. Gjithmonë janë bërë arnime të imponuara. Kjo arnë po kërkohet të vendoset dhe sot por, duke e shitur si reformë.
Nëse kjo reformë do ishte një reformë shqiptare, atëherë mundemi të themi se reforma ka bazë të fortë dhe se do jetë një reformë jo vetëm në drejtësi por, do përfshijë tërë sistemin tonë tashme të ligjëruar de facto si të korruptuar. “Reformatorët” akoma nuk pohojnë se këtu ka rënë sistemi. Kur bie sistemi, do të thotë se duhen bërë ndryshime radikale. Por, këto ndryshime duhen bërë në baza ligjore. Çka do të thotë se, bërja e një reforme duhet mbështetur në ligj. Pra, çdo gjë fillon nga themeli dhe themeli i një shteti është Kushtetuta e cila, ka vetëm miratimin e sajë nga sovrani. Po cila është ecuria e Kushtetutës tonë?
Kjo kushtetutë u bë në mënyrë sa të imponuar, aq dhe të pa përshtatshme për kushtet e Shqipërisë. Serioziteti i saja u duk që kur bërja e sajë drejtohej nga dy persona të paaftë në fushën e jurisprundencës. Qoftë A. Imami (aktor) apo S. Godo (oficer) treguan hapur se kjo Kushtetutë, nuk mundej të kishte baza të forta qëndrueshmërie.
Në atë kohë, kjo Kushtetutë u kundërshtua nga shumë figura që ishin dhe jashtë politikës. Referendumi për aprovimin e sajë u manipulua pastërtisht. Rezultati. Në kushtetutë jo vetëm e pa qëndrueshme por, dhe aspak reale dhe e përshtatshme për vendin tonë. Sot, ajo është kthyer në një letër bakalli ku, shumëkush e ndryshon e arrnon, ja heq nenet sipas interesit. Dhe ajo që është dukshëm e padiskutueshme është fakti se:- Kushtetuta e Shqipërisë nuk garanton dot veten e jo më rendin kushtetues. Ajo nuk është më një Kushtetutë e sovranit por, e një grusht njerëzish që e ndryshojnë sipas ligjit të xhunglës. Sovrani sot, nuk ka asnjë të drejtë mbi Kushtetutën e tij.
Pse themi se Kushtetuta është kthyer në një letër bakalli. Nëse shohim vendimet e Gjykatës kushtetuese, tregon qartazi se qoftë Kuvendi apo Qeveritë kanë bërë shkelje të Kushtetutës. Kush u dënua për këto shkelje? Sipas vetë kushtetutës, kush e shkel atë dënohet. Deri më sot, shkelje kemi parë por, dënime në mënyrë absolute jo.
Nisur nga sa thamë më lartë, del qartë se reforma në drejtësi duhet domosdoshmërisht të nis nga bërja e një Kushtetute Shqiptare. Themi shqiptare pasi, ajo duhet të jetë e mbështetur mbi doket, zakonet, tradita, duhet mbështetur dhe nga ligjet kanunore, nga gjuha e pastër shqipe, gjithmonë dukej u mbështetur dhe nga zhvillimet dhe kahu i tashëm dhe i ardhëm. Nëse ajo nuk i reziston të paktën një 50-të vjeçari, atëherë ajo është e dështuar që në fillim. Nëse do bëjmë prapë, siç kemi bërë deri më tani, ndryshime kushtetuese nga Kuvendi themi se reforma do jetë një arrnim i çastit ku, ndryshimet janë propogandistike.
Kushtetuta
Nëse flasim për reformë, duhet dhe një këndvështrim i saktë karshi kësaj reforme. Reforma duhet të niset nga Kushtetuta. Ajo nuk duhet arnuar por, duhet bërë e re. Gjatë 24 viteve kemi pasur, një paket kushtetuese viti 1991, Kushtetuta 1994-ës, e rrëzuar me referendum, Kushtetuta e 1998 e cila, kishte kundërshti deri në bojkot të referendumit.
Sot, kjo kushtetutë e ka humbur funksionin dhe besueshmërinë e sajë. Si e tillë ajo duhet bërë dhe aprovuar nga sovrani. Ajo, duhet të përcaktojë saktësish deri në detaje çdo gjë . Bërja e saj i hap rrugë çdo veprimi tjetër ligjor, duke përfshirë dhe reformën e kaq përfolur të drejtësisë.
Drejtësia
Pushtet i pa varur por, i mbërthyer keqazi nga qeveritë e politikanët. Në saj të kësaj kapjeje, ajo ka arritur që të zhvillojë dhe korrupsionin. Gjyqësori është sot, pushteti më i pa kontrollueshëm. Më i pa ndëshkueshëm. Gjyqtarët shkelin ligjin pa ju hyrë gjëmb në këmbë. Ata, janë të lidhur si me qeveritarët aq dhe me politikën. Sot, mundemi të themi se kemi një gjyqësor tej e të politizuar. Por, në këto nivele është dhe prokuroria. Në të shumtën e rasteve, ka një bashkëpunim ndërmjet tyre sa e bën të frikshme zhvillimin e drejtësisë. Por, situata tregon se jemi në kushtet ku, jo vetëm këto dy organe por, dhe shumë të tjera janë në këto kushte. Nëse do i shohim me vëmendje, të gjitha organet shtetërore si dhe administrata e sajë, janë në nivele ku korrupsioni është prezent. Korrupsioni nuk është vetëm para. Ai është dhe paaftësi profesionale. Një specialist i mirëfilltë e ka të zorshme të korruptohet. Mirpo administrata jonë është politike. Nënpunësit e sajë janë domosdoshmërisht anëtar të partisë në pushtet. Nëse dikush mendon se ata janë të pa varur dhe se i mbron ligji, gabohet. Po të ishte kështu: Nuk do të kishim kaq gjyqe për pushime nga puna dhe nuk do paguanim dy apo tre rroga për një vend pune.
Dukshëm bie në sy se gjërat janë të lidhura. Reforma nuk mundet të bëhet vetëm me arnimet në drejtësi prokurori etj. Ajo duhet të bërë e gjithpërshirë. Por, që të bëhet e tillë duhet të fillojë nga themeli. Në këtë rast nga kushtetuta.
Kush e bën reformën?
Nëse flasim për reformë. Duhet të jenë dhe njerëzit që duhet ta bëjnë atë. Duhet në rradhë të parë të ndryshojë mentaliteti. Me sa duket, ne kërkojmë të bëjmë reformë po me të njëjtin mentalitet.
Shqipëria ka shumë probleme. Por, problemi më i madh, duket se është se në nuk u çrrënjosëm nga e kaluara. Njerëzit e sistemit diktatorial, ata që i shërbyen me zell, dukshëm janë në postet më kyçe të këtij sistemi. Ata nuk mundet të kryejnë reformë pasi, janë të bindur se preken dhe vetë apo familjarët e tyre. Në këto kushte, ata bëjnë sikur duan reformën dhe e thellojnë deri në masën që ata duan. Nëse një Kuvend, ka njerëz të inkriminuar apo me të shkuar të errët, a munden të jenë po këta që të bëjnë reformën.? Kësaj i thonë sikur, vrasësit ti kërkosh të aprovojë dënimin me vdekje. Është e mundur një gjë e tillë ? Them se jo.
Këta thonë se po bëjnë reformë. Në asnjë rast nuk është parë një debat konstruktiv në media. Nuk është hapur asnjë i tillë. Askush nuk di se kush janë personat që merren me reformën. Asnjë nga ata nuk ka hedhur një ide për këtë reformë. Edhe kur dalin në studio vizive, më shumë bëjnë monolog me veten e tyre se sa për reformën. E keqja qëndron se askush deri më sot, nuk deklaron se ky sistem ka rënë. Nëse sistemi është në rregull. Përse duhet kjo reformë. Kësaj pyetje nuk i përgjigjet askush. E aq më tepër ata që thonë se po bëjmë reformë. Nëse reforma do ishte reale. Do kishim dhe debat dhe hapësirën për të thënë gjithkush që ka një alternativë në drejtim të sajë. Mbyllja brenda guackës së tyre, tregon haptazi se kjo është një flluckë sapuni, që ju shërben vetë politikanëve e qeveritarëve.
Ne na duhet një reformë sa e thellë aq dhe e drejtë. Nëse do vazhdojmë me këtë lloj mentaliteti, jo vetëm s’do kemi reformë por, do e degradojmë më shumë atë.
Nëse ndodh vërtet një gjë e tillë. Pra ngutja për të kryer një reformë të çalë, atëherë nuk ngelet gjë tjetër veçse të shkohet drejtë një diktature të re. Kjo, për vetë faktin e thjeshtë ku, nga njëra anë deklarohet reforma dhe nga ana tjetër bëhet një reformë ku, synimi i sajë mbetet centralizimi i pushtetit në një dorë të vetme. Kjo dhe për faktin e thjeshtë. Kjo reformë Përveç se e mbyllur, është dhe e pa miratuar nga sovrani. Prandaj i rikthehemi çështjes së kushtetutës. Apo dhe të asaj çfarë u tha më lartë. Reforma duhet gjithë përfshirëse Ajo, domosdoshmërisht kërkon të hidhet në treg e të analizohet pa u kaluar për miratim në Kuvend. Nëse veprohet siç po veprohet deri më tani. Atëherë ne do kemi vetëm një reformë arnuese, e cila do i shërbejë vetëm qeverisë dhe politikës.