Nga Shpëtim Nazarko
Profesor Arban Uka, që e kam përmendur si mik të ngushtë në një shkrim më parë dhe që një nga kritikët e portalit e quajti personazh të trilluar, punon te Universiteti Epoka, apo më i miri që renditet prej të huajve këtu… Ka studiuar fllimisht në Stamboll dhe pasi fitoi një bursë ku konkurronin një mijë vetë për të marrë një të tillë, shkoi në Austin (Teksas) dhe mbaroi njëherësh matematikën dhe fizikën kuantike. Ai është autori i pyetjes “naive” se cila prej ministrive del me fitim në Shqipëri.
Një kritik tjetër i portalit vijonte po me tallje, se ministritë nuk janë ndërmarrje të dalin me fitim. Tallja ishte ndaj idesë time se, mësa dija, këtu ato nuk dilnin me fitim, por e njëta gjë nuk mund të thuhej për vetë ministrat.
Natyrisht që në profesionin tim, që është larg atij të ekonomistit, nuk është qëllimi të hyj në llogaritje, të zgjidh me saktësi apo t’u jap përgjigje temave që vijnë prej pyetjeve të tilla. Qëllimi im është më i thjeshtë. Të krijoj sa më shumë ndjesi për t’i hyrë temave të tilla, apo që të mobilizoj sa më shumë të mundem nëpërmjet portalit, mendje më të afta për t’i hyrë këtyre temave…
Në një raport të sotëm, të dhënë prej organizmave botërorë, infrastruktura e Shqipërisë dukej më e dobëta nga të gjitha vendet e rajonit, megjthëse ata ndryshe nga ne hidhnim më pak para për infrastrukturën. Flitej për rrugët. Dobësia themelore duket se lidhej me projektet që nuk ishin në lartësinë e duhur dhe natyrisht përfundimet ishin të dobëta.
Në një shkrim të mëparshëm, çështja e shtruar për një temë analoge ishte e tillë. Pse të mos u jepeshin universiteve, konkretisht katedrave përkatëse, ku profesorë dhe një numër studentësh të shkëlqyer të viteve të fundit, të realizonin projektin e shumë prej rrugëve tona. Një pjesë e këtyre parave të destinuara për projektin, le të thoshim gjysmat e tyre, të përdoreshin për modernizimin e katedrave me aparatura apo laboratorë që duheshin dhe gjysma tjetër të ndaheshin midis profesorëve dhe studentëve që realizonin këto projekte.
Kështu, përveç saktësisë së projektit, do të kishim jo vetëm modernizim të katedrave, por dhe krijimin e një elite profesionale në radhë të parë të studentëve, por edhe vetë profesorëve që me këtë rast, në vend ta shtonin rrogën nëpërmjet korrupsionit të provimeve, do të ishin së pari shumë herë më mirë të paguar.
Nuk është se ideja vinte nga unë, por një konkluzion i një logjike analoge që e kanë provuar të tjerët më së pari.
Në kohën e qënies refugjat në Gjermani, lexova diku se një nga objektivat e kancelarit Kohl, e shpallur në vitin 1993, ishte që në krye të dhjetë vjetëve të arrinte të kishte shfrytëzimin e energjive të formave të tjera, për ta nxjerrë këtë vend të parin në Evropë në këto forma energjie.
Sot, nëse nuk i gaboj të dhënat Gjermania, që është një nga vendet më industriale të botës, e ka realizuar në rend dyshifror vlerën e energjisë së siguruar nga projekti i Kancelarit Kohl. Në fakt, në një shikim të rëndomtë në të gjithë Evropën, apo më gjërë, këtë rol e kanë marrë në dorë ndërmarrjet e mëdha industriale. Ato janë me kohë suportuesit në ndihmë financiare të katedrave, që më parë bënin në univesitet shkencë të kulluar.
Në Shqipëri unë e përfytyroj problemin akoma më të thjeshtë. Shteti mund t’u linte në dorë katedrave liçensa të karaktereve të ndryshme, si ato që kontrollojnë cilësitë e materialeve që përdoren në ndërtim, sizmologjisë, etj. Po natyrisht mund t’u linte dhe realizimin e projeketeve të rrugëve të ndryshme, të cilat në shumicën e rasteve bëhen pa ndonjë kontroll të veçantë, apo u lihen të huajve…
Siç e thashë më lart, në raportin e organizmit botëror, ku ne zinim vendin e parafundit për një infrastrulturë të keqe, pavarësisht parave të dhëna, që ishin ndoshta më shumë se të të tjerëve, një prej shkaqeve që krijonte këtë dobësi mund të ishte i lidhur me sa thamë sipër.
A mund të fitojnë ministritë dhe jo ministrat? Dhe sa lidhje ka ideja me temën e hedhur?
Ecol superiori në Francë, e organizuar nga Napoleoni, pas krijimit në 1794, është dhe sot një nga qendrat më të mëdha studimore të këtij vendi. Prej saj mund të dilnin filimisht prej teknikëve të thjeshtë, ushtarakëve… Por, po ashtu, prej saj mund të dilnin edhe burra shteti, edhe nobelistë etj., etj. Po a e imagjinojmë dot që qysh prej krijimit saj ajo është nën kuadrin e ministrisë së mbrojtes… e cila, më shumë se subvencionon, fiton prej kësaj shkolle.
Kjo mund të dukej çudi këtu tek ne, dhe pikërisht në një shkrim më parë kërkova të hiqja një paralele. Shqipëria, si një vend i NATO-s, duhet të derdhë në strukturat e kësaj të fundit dy për qind të buxhetit të saj. Kjo duke paguar edhe një pjesë të parave që duhen për të paguar ushtarët që shkojnë në fronte të ndryshme nga Afganistani, Iraku, etj.
Po a mund të luhej më ndryshe, pra, për të marrë para jo vetëm nga buxheti i shtetit për të qenë në krah të NATO-s?
Unë mendoj se po. Natyrisht, nën shembullin e Francës më Ecol superiorin, Ministria e Mbrojtes mund të organizonte shkolla profesionale të klasit parë, prej të cilave mund të dilnin edhe profesionistë nga më të thjeshtit deri tek ata më të specializuarit. Kjo është normale, sepse NATO, në vendin që hedh bomba, apo bën luftë, edhe ndërton apo rindërton vendet e shkatërruara prej saj.
Në këtë sens, në këto vende kërkohen edhe infermierë, karpentierë, elektroautë, etj.
Ministria e mbrojtjes mund t’i kërkonte ndihmë NATO-s, që posedon laboratore apo instruktorë të dorës së parë dhe të krijonte nëpërmjet tyre edhe shkolla profesionale, po të klasit të parë.
Në këto shkolla profesionale me pagesë normale mund të hynin jo vetëm ushtarë, por edhe civilë, që do të ishin më të lumtur aty se në shkollat tona profesionale që lënë shumë për të dëshiruar.
Specialistët e krijuar këtu do t’i shërbenin NATO-s jo vetëm në fronte lufte, ku dhe vriteshin, por edhe në vende të tjera. Ne nuk do të merrnim më aq para nga buxheti i shtetit nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes, por ndoshta do të derdhnim në të një pjesë të atyre që kërkon NATO. Kjo është ideja që ministria dhe jo ministrat fitojnë me aq sa kuptoj unë. Po dhe sikur asnjë lek të mos hynte në thesin e NATO-s, me këtë mënyrë, specialistët e përgatitur, qofshin këta ushtarë apo civilë, do të të ishin ai kontigjent i klasit të parë që i përgjigjeshin jo vetëm vendit të tyre, por dhe investitorëve të huaj, që këtu gjejnë forcë pune të gatshme vetëm për call center apo fasonit.
Një histori analoge sa thashë më sipër përdorej edhe në kohën e Hoxhës, ku ushtari përgatitej për zanate të caktuara apo edhe për ndihmë emergjence. Natyrisht, shkolla të tilla mund të përgatitnin edhe ura fshatrash, apo gjëra të tjera që do të siguronim para. Në atë që shohim sot, ushtria del herë pas here rrugëve për të mbledhur plehra, apo për të shuar zjarre.
Mund të vazhdojmë më tej. Qeveria kërkon së fundmi që me një plan njëmiliardësh të investojë, duke krijuar atë partneritetin publik-privat. Po ky bashkëpunim mund të fillojë jo duke kërkuar paratë e këtyre të dytëve, por dhe nga e anasjellta në sektorë të ndryshëm.
“Partizan i zhvillimit të bujqësisë”- kam shkruajtur diku me një shembull për Kukësin e varfër. Nëse aty kanë mbetur ende një mijë familje fshatare, qeveria mund të subvencionojë blerjen e dyqind qengjave për familje. Një vit apo dy vjet më vonë, ajo do të kërkonte marrjen e borxhit në trajtën e deleve, duke realizuar një fitim shumë më të madh se ato që sigurojnë bankat. Dhe kohë më vonë do të kishte prej këtij investimi, minifabrika leshi apo mishi. Mund të themi edhe lëkure, që do të lejonte fabrikat tona të këpucëve të siguronin një lëndë të parë, që sot e marrin diku tjetër, duke prishur kështu edhe raportin kërkesë-ofertë, që nuk na lejon të blejmë mallin tonë me çmim të natyrshëm. Po ashtu, të siguronim edhe një pjesëmarje më të madhe në punë të njerëzve.
Duke mbetur në Kukës, si një shembull i thjeshtë, nëpërmjet hedhjes së një sasie farë peshku në liqenin e tij, ai do të do siguronte peshk dhe një koperativë peshkimi në perspektivë. Nëpërmjet pyllëzimit do të siguronim edhe një lëndë drusore të klasit të parë, etj. Natyrisht, në këtë partneritet publik-privat, ato që do të fitonin do të ishin ministritë, e jo ministrat që duhet të merren me politika të një lloji tjetër, përveç atij të emërimeve qoftë edhe të një mësuesi në çdo cep të vendit.
Në planin investues njëmiliardësh, idetë e hedhura më sipër nuk kërkojnë lekë nga privati, që për mendjen time është sot në pozitë më të dobët nga vetë shteti në më të shumtën e rasteve. Flitet për të bërë një politikë partneriteti publik-privat, ku shteti fiton jo duke kërkuar para, por duke mobilizuar ide.
Siç e thashë edhe më sipër, zanati im nuk është kalkulimi deri në detaj i ideve të tilla, por lutja për të mobilizuar njerëz, apo qoftë edhe shtetin, nëpërmjet ministrive, për të krjuar mekanizma, ku ai nëpërmjet këtyre të fundit, fiton dhe realizon njeherësh objektiva të ndryshme. Unë lutem të mi falin gabimet dhe siç thuhet në librin “Njeriu që qesh” të Viktor Hygoit, them edhe unë: Kush i ka veshët të mëdhenj, do të dëgjojë shumë marrëzira; e kush i ka të vegjël, do t’i dhembin ata”./Konica.al/