Një 31-vjeçar është arrestuar nga Policia si i dyshuar për shkaktimin e vdekjes së turistes ruse në ishujt e Ksamilit. I arrestuari është Ermal Fataj. 31-vjeçari ka në përdorim një skaf që ofron shëtitje për turistët dhe mendohet se ka goditur 15- vjeçaren ruse, Ksenia Roik, me mjetin lundrues ndërsa kjo e fundit po notonte më pak se një milje larg bregut të detit.
Arrestimi i tij erdhi pasi Policia ushtroi kontrolle në 35 mjete lundruese në zonën e Ksamilit për të zbuluar autorin e ngjarjes së rëndë. Ksenia Roik, 15 vjeçe, humbi jetën në mënyrë tragjike pasi u godit nga një mjet lundrues afër vendit të quajtur “Tre Ishujt”. 31- vjeçari Fataj mësohet se është banor i Ksamilit dhe prej disa vitesh merret me ofrimin e shëtitjeve me skaf për turistët vendas dhe të huaj.
Policia ka dyshime të forta se është pikërisht Fataj autori i ngjarjes së rëndë, pasi në helikat e skafit të tij janë gjetur fije floku që dyshohet se janë të vajzës ruse.
Do të jetë ekspertiza e ADNsë, e cila do të zbulojë nëse bëhet fjalë për flokët e turistes. Por ka dhe një tjetër detaj që implikon të riun nga Ksamili në këtë ngjarje. Fataj mësohet se pas ngjarjes së rëndë është përpjekur që të fshehë mjetin lundrues, bën të ditur Policia për të shmangur kontrollin nga hetuesit që po punonin për zbardhjen e ngjarjes.
Pak orë pas vdekjes së turistes nga Rusia, Policia ushtroi kontrolle në 35 mjete lundruese, si dhe shoqëroi në Komisariatin e Policisë në Sarandë, 35 drejtuesit e mjeteve lundruese që ndodheshin në det në momentin kur ka ndodhur ngjarja.
Deshmia ne Polici
Mësohet se 31-vjeçari Fataj nuk ka pranuar në Polici për goditjen e vajzës.
“Nuk kam parë gjë dhe as nuk kam kuptuar fare se çfarë ka ndodhur”, është shprehur ai para oficerëve të Policisë. Por, ndalimi i 31-vjeçarit është bërë me urdhër të Prokurorisë, pasi në mjetin e tij lundrues u gjetën prova biologjike, të cilat janë dërguar për ekspertim.
Sipas Prokurorise, jane pyetur disa persona, perfshire edhe personin e dyshuar. Ky i fundit deklaron se ka levizur me skaf ne oren qe ka ndodhur ngjarja, por mohon te jete pergjegjes per ngjarjen, duke u shprehur se, nese do te kishte goditur te ndjeren, do e kishte ndjere dhe do te merrte masa per t’i ardhur ne ndihme.
Ne keto kushte, Prokuroria e Sarandes ka krijuar dyshime te arsyeshme se shtetasi Ermal Fataj mund te kete goditur turisten ruse.
Por, për të arritur në përfundime me te sakta nëse eshte pikerisht ky shtetas (Ermal Fataj) autor i vepres penale te parashikuar nga neni 85 i K.Penal, duhet të bëhet një vlerësim me i sakte vetëm pasi të kryhen aktet e ekspertimit mjeko/ligjor per te percaktuar kategorine e demtimeve dhe shkakun e vdekjes se viktimes, si dhe akti i ekspertimit biologjik I kampioneve dhe provave te tjera materiale te gjetura tek mjeti I tij lundrues dhe te sekuestruara prej policise gjyqesore, per te percaktuar ne menyre shkencore nese ato perputhen dhe i perkasin ose jo viktimes, pra per te percaktuar saktesisht nese eshte pikerisht ky shtetas (Ermal Fataj) subjekti i vepres penale me pasoje vdekjen e shtetases ruse. Vetem pas këtij momenti të procesit hetimor do të bëhet një vlerësim më i saktë i rrethanave të fakti.
Pavarësisht këtij pretendimi, Policia ngre dyshime se i riu ka parë gjakun e përhapur në ujë nga plaga e shkaktuar në kokë apo edhe ka ndjerë goditjen e helikës, por është larguar me shpejtësi duke mos i ardhur në ndihmë vajzës së dëmtuar.
Skafi lundrues i 31–vjeçarit është 90 kubikësh, ndërsa përdorej prej tij për të transportuar pushues që donin të vizitonin ishujt. Ngjarja ndodhi mes plazhit të Legisit dhe ishullit të madh, ndërsa në orët e para të së shtunës, rreth orës 01:00, trupi i vajzës 15-vjeçare u dërgua për ekspertizë në mjekësinë ligjore në Tiranë.
Sipas bluzave të bardha të Sarandës, vajza kishte një prerje pas koke, që dyshohet të jetë prerje e shkaktuar nga helika, ndërkohë që kishte edhe prerje në dorën e majtë, që mendohet se mund të ketë ndodhur ndoshta kur vajza ka ngritur dorën për t’u mbrojtur. Trupi i pajetë i turistes nga Rusia u konstatua nga një pushues turist rreth 0.8 milje larg bregut në zonën e “Tre Ishujve”. panorama