Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka komentuar në fund të seancës parlamentare Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit mbi trafikimin e qenieve njerëzore. Tahiri në një koment të shkurtër e cilësoi raportin si më pozitivin e 25 viteve të fundit.
“Është raporti më i mirë i 25 viteve të fundit. Nesër do të kemi një deklaratë më të plotë për raportin”, u shpreh ministri duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve jashtë Kuvendit në përfundim të seancës parlamentare.
Në raportin e këtij viti të DASH, Shqipëria klasifikohet në shkallën e dytë, pa ndryshim nga viti i kaluar. Gratë dhe fëmijët në Shqipëri, thuhet në raport, janë kryesisht objekt trafikimi seksual në vendet fqinje, Kosovë, Maqedoni dhe Greqi, por edhe në vende të tjera evropiane. Viktimat shqiptare dhe disa viktima të huaja janë objekt pune të detyruar në Shqipëri, sidomos në industrinë e turizmit.