Në Fishtë, në restorantin “Mrizi i zanave” thuajse nuk ka vend, megjithëse një sy i lirë numëron se mundësia të lejon që aty mund të ulen për për të ngrënë njëqind njerëz. Shpesh kjo mungesë vendesh ndodh edhe në dimër, e duhet të prenotosh më parë se ndryshe nuk ke ku të ulesh.
Pronari i restorantit, ku të shërbejnë në një mënyrë mjeshtërore e që mund t’ia kenë zili edhe në restorantet më të mira në Evropë, është vetë një fshatar emigrant që ka qenë ca kohë në Itali.
Ka mbjellë përreth restorantit dhe hotelit të tij gjithçka që duhet. Duket i lodhur, por dhe i qetë. Gjithçka funksionon si një sahat anglez i klasit të parë.
Faleminderit që ekzistoni- i kishte thënë kryeministri Rama që kishte qenë aty në kohën e fushatës dhe kishte qëndruar për të pirë diçka.
Mrekullia e treguar vazhdon edhe nja 500 metra më tej. Një mjeshtër qeramike, që kishte studiuar në Itali, kishte vendosur bashkë me të shoqen të punonte aty në fshat. Ishte nxënës i priftit legjendar Dom Antonio Sharra, që kishte lënë mjaft eksperiencë aty.
Bëri gjithçka për ne- thotë mjeshri i qeramikës. Nuk është se vetëm na mësoi. Aplikoi në praktikë shumë prej mësimeve të tij. Arriti të na mbushte mendjen të bënim edhe një tip kooperative me rreth 12 njerëz. Por pas vdekjes së tij, edhe hekurat që rrethonin pronat e saj vajtëm e i shitëm për skrap.
Lumturia e Fishtës mbaron këtu. Ka vetëm nja një vit që arrijmë të kemi tension 220 volt. Kanalet e kullimit dhe uji thuajse nuk funksionojnë gjëkundi. Të tërë venë dhe vijnë për fushatë, apo ndryshe për vota dhe pastaj nuk lëviz më asgjë.
Mund ta përfytyrosh se të gjithë përreth Fishtës mbyten në ujë në kohën e dimrit dhe zona tipike kënetore e dikurshme e ka zanat këtë. Megjithëse thonë se është potencialisht nga më pjelloret.
Kur shikoj restorantin e Fishtës dhe pazarin e ri të Tiranës, natyrisht që duhet të bërtas. Në Fishtë të gjitha produktet janë vendëse dhe asnjë nuk mund të helmohet apo të hajë ushqimë të kalbura. I zoti i restorantit, megjithatë, ankohet se kur vjen koha e luleshtrydheve a një produkti vendës, papritur gazetat buçasin si me ndonjë urdhër të dhënë fshehur që këto luleshtryshe nuk duhet të hahen se janë me pesticide. Nuk e di se kush i meson për të na shkatërruar- thotë ai.
Nuk e kam të vështrë ta kuptoj se e vërteta që ai thotë është përgjysmë. Shumica e fshatarëve edhe e bëjnë këtë “hyner” nëse flasim me gjuhën e pleqve të vjetër.
Dhe e kanë një arsye të shëndoshë apo praktike.
Nuk funksionon ai zinxhiri i artë që produkti i mbjellë të shkojë nëpërmjet mekanizmave normalë, si në të gjithë botën, në treg. Mund të bëhet. Natyrisht po, por nuk ndodh.
Fshatari duhet ta mbjellë, ta rritë, apo ta shtojë prodhimin, por i duhet edhe ta nxjerrë në treg për ta shitur. Janë shumë operacione në mes që e pengojnë. Produkti prishet shpejt, nëse nuk e shet, po shpejt. Atëherë duhet prodhuar sa më shumë që edhe nëse shet gjysmën pa u prishur gjysma tjetër, të kesh siguruar një lloj paraje për mbijetesë. Kjo strategji gati e imponuar nga rregullat e tregut tonë, shpie në ato prodhimet që kanë prishur me kohë farën vendëse. Je në realitet midis dy zjarresh.
Duhet të hash ose prodhime të ardhura nga jashtë gjysmë të kalbura, që i mbajnë andej nga vijnë në kushte të mira për shumë kohë, ose të hash prodhime me hormone, pesticide, a një dreq e di se me se.
Duhet subvencionuar fshati-do të thotë dikush.
Mundet, por nuk besoj se është thjesht vetëm ai problem. Një shifër e tmerrshme, rreth 300 milionë euro, janë dhënë vetëm për kanalet e kullimit a vaditjes nga qeveritë shqiptare këto njëzet e pesë vjet. Ku vajtën gjithë këto para? Të duket se nuk është pastruar asgjë, po sa që mbytemi vit për vit. Të duket sikur je brenda fjalës së urtë kineze që thotë se gjurma e burrit mbi gruan, e zogut në ajër, e gjarprit në shkëmb dhe anijes në ujë nuk duken. Duhet shtuar dhe kjo në rastin tonë. Paratë e hedhura për ujitjen nuk duken gjëkundi.
Në fakt, çështja është më e komplikuar.
Një pronari i madh që merret me shitjen e mishit vendës, thotë natyrisht me të drejtë, por duke tërhequr karrocën nga ana e tij. Shikoni, zotërinj, nëse do të ngrini thertore normale dhe të mos shitet ku mundet e si të mundet, vetëm nga kjo shteti do të kursente 20 milionë euro. Kjo është gati dyfishi i subvencionimeve të shtetit për bujqësinë çdo vit.
Mund të shtonte akoma.
Ngaqë ne kemi thertore në çdo vënd që mundim të ngremë të tilla, nuk eksportojmë asnjë kilogram mish në Bashkimin Evropian. Maqedonia, për shkak të subvencionimit gati njëzet herë më shumë se ne, shet çdo vit në tregun evropian çerek milioni qengja. Më duket se ky është gjithë eksporti i bujqësisë sonë në gjithçka nëse e llogaritim në vlerë leku.
Në një pamje të parë, gjithçka duket se është mungesë organizimi. Fshatari që me të drejtë e urren kooperativën alla Enver, që i mori shpirtin 50 vjet rresht dhe e detyroi të blinte qumështin e tij në qytet, ka rënë në një fatkeqësi më të madhe. Ai detyrohet të mbjellë, të korrë, të shesë dhe të bëjë gjithçka me fuqinë e krahut të tij.
Po kaq është pak. Ai edhe këtë operacion duhet ta bëjë me frikë. Në shumicën e rasteve, atij i mungon ajo tapia, apo letra reale, që i mundëson ta shohë tokën si pronë të tij. Ta kategorizojë atë si shtëpinë, e pastaj të kreditohet apo të sigurojë mbijetesën e tij nëpërmjet saj. Ndryshe, pavarësisht se çfarë thotë qeveria, qoftë ajo e Ramës, bankat nuk të japing gjë apo interesat e saj shkojnë në qiell.
Kjo gjendje e fshatit është akoma më e keqe se në kohën e Turqisë.
E shikoj mjeshtrin e qeramikës në Fishtë që më tregon se vetëm prej pak kohësh ka tension 220 volt e të cilin uron ta ketë gjithmonë dhe më kujtohen udhëtimet e mia në autostradat e Evropës ku shihen edhe fshatrat e saj të mrekullueshëm. Në çatitë e shtëpive të fshatarëve ka kohë që në shumicën e rasteve nuk sheh më tjegulla, por sipërfaqe të xhamta që grumbullojnë energjinë elektrike. I del kjo energji për vete, por edhe për t’ia shitur shtetit. Fshatari ka gjetur kështu dhe me ndihmën e shtetit edhe një mënyrë për të shtuar mirëqenien e tij. Në Fishtë ka shumë erë, por ka edhe shumë diell, por energji nuk ka.
Ku po vemë?
Në kohën e Hoxhës raporti i popullsisë ka qenë 60 për qind në fshat dhe 40 për qind në qytet. Mbizotëronte edhe një parullë që kur sheh Evropën të duket jo në rregull. Ta bëjmë fshatin si qyteti- thoshte regjimi i Hoxhës. Në Evropë duket se mendojnë pak më ndryshe. Kërkojnë ta bëjnë qytetin si fshati. Ndryshim jo shumë i vogël ky…
Në Shqipërinë e tanishme, kam përshtypjen se në qytet jetojnë 40 për qind, në fshat po 40 për qind dhe 20 për qind nuk janë as fshat as qytet. Është një zonë gri që jeton në një mjerim më të madh se në qytet dhe në fshat.
Edhe njëherë duhet pyetur: Ku po vemë?
Në qytet, dhe këtu përfshij dhe Tiranën, kanë zënë e ndërtohen pazare, apo ndryshe qendra të bukura edhe në pamje, por që kanë më shumë kafene dhe prodhime të huaja, por shumë pak produkte fshati. Të krijohet përshtypja se për fshatarin kjo zonë është “mollë e ndaluar”, që nuk mund ta kafshojë dot për njëqind arsye.
Tani që reforma territorriale e ka ndarë vendin në pjesë më të mëdha dhe kryetarët e bashkisë bëhen më të fuqishëm, besoj që duhet vajtur në fshat. Me çdo mënyrë, produktet e fshatit duhet të vijnë në qytet. Ndryshe, bashkë me fshatin do ta pësojmë edhe ne. Diku në një shkrim kam përmendur një emision ku në Bullgari njerëz të zanatit tim bisedonim tërë pesimizëm për të ardhmen e vendit. Në një moment, njeri prej analistëve të shquar tha:
Jo, Bullgaria nuk do të vdesë. Në fund fshatari që po na dëgjon prej shumë kohësh, do t’i thotë të birit: Ngrehu të punojmë tokën, se këta janë të çmendur të gjithë dhe nuk dinë çfarë flasin.
Po a do të ndodhë kjo në Shqipëri? Unë kam frikë se deri në atë kohë fshatari, që ashtu siç është, pa tokë, pa energji, pa ujë, e pa subvencionim real, do të vdesë para nesh.
Mbetet të themi fort dhe gjithnjë e më fort.
Në fshat, sa më parë, se ndryshe nuk do të vdesim, por do të ngordhim!(Konica.al)