Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, një nga figurat dhe zërat më aktivë në politikën shqiptare, ka komentuar situatën brenda Partisë Demokratike dhe thirrjen e gardës së vjetër për rikthimin e Sali Berishës në krye të partisë.
Fatos Klosi deklaroi se PD është në ditët e saj më të këqija pasi nuk ka një lider që të organizojë partinë dhe të ngjallë shpresë, por Sali Berishës i ka përfunduar misioni i tij dhe nuk mund ta risjellë PD në pushtet.
Klosi tha se Berisha ka operuar me metoda të vjetra, e ka mbajtur partinë me dhunë, por këto metoda në ditët e sotme nuk funksionojnë më.
Fatos Klosi thotë se Sali Berishës nuk i ka mbetur asnjë as nën mëngë për të ardhur në krye të partisë dhe, aq më tepër, të sjellë PD në pushtet.
“Sali Berisha e bëri punën e vet, aq i zoti sa ishte në konditat që ishte. Nuk e sjell dot më në qeveri Berisha, Partinë Demokratike. Është e vështirë!
Nuk ka asnjë as nën mëngë Berisha që të risjellë PD në qeveri. Çfarë do bëjë? Ato metoda që përdorte Berisha, nuk janë më. U hapën kutitë për Tiranën, ndërsa Berisha nuk pranonte kurrë t’i hapte kutitë. Është tjetër kohë.
Të pretendosh të marrësh pushtetin, do një punë shumë të madhe. Në fillim duhen ide dhe pastaj punë, për t’i mbushur mendjen njerëzve se idetë do realizohen. Berisha nuk ka më asnjë as nën mëngë. Të gjitha idetë që ka patur deri më sot, i ka hedhur në pazar. Nuk besoj se ka ndonjë ide më të rëndësishme tani në pleqëri”, u shpreh Klosi për gazetën Sot.
Fatos Klosi thekson se duhet të krijohet një PD e re, pasi partia aktuale e ka përmbyllur misionin e saj. Sipas tij, kjo PD nuk pati asnjë objektiv, por thjesht u pasuruan për 25 vite njerëzit e saj. Klosi bën thirrje për krijimin e PD që të konkurrojë PS, pasi situata aktuale e tregon shumë dobët këtë parti.
“Tani nevojiten njerëz të rinj me ide, dhe për t’i realizuar idetë. Berisha nuk mund të jetë më aktiv dhe energjik. Natyrisht, PD është në ditët e saj më të vështira. PD ashtu siç ishte organizuar, me atë metodë pune që kishte, me ata njerëz që e mbështesnin e ka mbaruar puna e saj. Duhet të ngrihet një PD tjetër.
PD u mbështet te lufta kundër komunizmit. PD nuk pati ndonjë objektiv; u pasuruan ndër vite dhe mbështetën sërën e tyre. Duhet një PD konkurrente me PS. Kjo parti që është nuk e bën dot. Nevojitet një transformim i thellë”, u shpreh Klosi.
Sa i takon Bashës, Klosi tha se ai nuk ka karizëm që të ngjallë besimin në elektorat. “Basha u katapultua në PD dhe iderat e Republikës së re, më duket shumë boshe. Këtë humbje, unë e quaj të natyrshme”, u shpreh Klosi. Ai tha se premtimet e Bashës ishin tepër boshe dhe nuk krijoi besim në elektorat, ndërsa tha se ky është një mësim i mirë për PD, se duhet të shkëputet nga metodat e vjetra.
“Është një tronditje e thellë e saj, që ata të mendohen mirë se ka kaluar ajo kohë kur funksiononte ashtu siç funksiononte, me dhunë, me urdhrin e shefit, i cili natyrisht ishte shumë dinamik, ishte me më shumë eksperiencë dhe e shtynte disi këtë parti. Tani, ato metoda nuk funksionojnë më. Kështu që them që duhet një filozofi e re. Ajo që solli Basha, nuk ishte e re. Ishin një grumbullim premtimesh, mburrje jo kemi biseduar me amerikanë, jo me gjermanë. Populli nuk i sheh premtimet”, u shpreh Klosi. /b.d