Nga Shpëtim Nazarko
Nuk duheshin më shumë se tri minuta pas mbarimit të zgjedhjeve të 25 qershorit, për të kuptuar se PS-ja kishte fituar më shumë se gjysmën e mandateve. Për të nxjerrë këtë përfundim, nuk kishte nevojë për exit- pollet e njohura, që kanë zënë të bëhen modë edhe në Shqipëri. Vërtet ishte kaq e thjeshtë, që pa mbaruar numërimi, të diheshin saktë edhe rezultatet?
Duheshin thjesht dy të dhëna:
1. Sa njerëz kishin votuar në gjithë Shqipërinë. Kjo e dhënë merrej drejtpërdrejt nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
2. E dhëna e dytë u dha nga PS-ja, që njoftoi se ajo kishte arritur numrin e votuesve të saj tradicionalë. Kjo e dhënë nuk është sekret për partitë e mëdha të Shqipërisë, pra PS-në dhe PD-në.
Kur socialistët theksuan se kishin marrë votat e tyre, ato ishin thuajse sa gjysma e votuesve të këtyre zgjedhjeve. Dukej e qartë se dy partitë e tjera, PD dhe LSI, kishin marrë gjysmën tjetër.
Formula e llogaritjes është e tillë, që ai që merr gjysmën e votave në zgjedhje, merr më shumë se gjysmën e deputetëve. Kjo e dhënë më mjaftoi realisht që, disa minuta pas mbarimit të zgjedhjeve, të thoja në analizën që po zhvillonim në Top Channel se PS kishte kaluar numrin magjik 71 deputetë.
Analiza e mësipërme, që në përgjithësi nuk bëhet me qejf prej atyre që nuk i duan numrat, tregoi një çudi të madhe që intrigon prej ditësh të tëra edhe kundërshtarët e Bashës në PD. Kemi humbur 220 mijë vota-thonë, dhe për këtë arsye Basha duhet të largohet.
Sa vota ka humbur Partia Demokratike dhe çfarë ka ndodhur realisht për mendimin tim.
Analiza duhet të fillojë nga viti 2009. Pikërisht në këtë periudhë PS dhe PD kishin 600 000 votues, pra ishin në një shifër të barabartë mes tyre. Ndërkohë që LSI-ja kishte afërsisht 75 000 vota. Në përfundim të zgjedhjeve të vitit 2017, PD-ja kishte 450 000 vota. Pra, kishte humbur në harkun e tetë viteve fiks 150 000 votues. Po në përfundim të këtyre zgjedhjeve, LSI kishte 225 000 vota. Pra kishte fituar në harkun e tetë viteve 150 000 vota.
Fiks aq sa i mungonin PD-së, nisur nga viti 2009!
Nuk do ndonjë aritmetikë të madhe të kuptosh se ku kanë vajtur 150 000 vota të PD-së. Ato tashmë janë vota të LSI-së.
Një pjesë e analistëve partiakë, që rreshtohen pro apo kundër Bashës e që nuk duan ta pranojnë këtë të vërtetë elementare, theksojnë se janë mbi 200 000 vota ato që kanë humbur dhe jo ato që përmënda më sipër. Arsyeja është e thjeshtë. Asnjë prej tyre nuk ka qejf të përballet me një të vërtetë të hidhur, e cila thotë thjesht:
Që nga viti 2009, kur PD-ja bëri aleancë me LSI-në, ajo ka çuar në thesin e LSI-së fiks 150 000 vota.
Po kur dhe si i çoi këto vota atje?
Në 2011, PD shkoi në aleancë në zgjedhjet lokale me LSI-në, e cila i dha aleatit të vet të drejtën për të vendosur kandidatë në disa qytete bile edhe të mëdha, si Elbasani, Lezha etj. Shumica e qyteteve humbën, por LSI i mbajti këto vota pa i kthyer më prapa. Kishte edhe një arsye më të fortë pse i mbetën asaj njëherë e mirë. Në 2013, LSI hyri në aleancë me PS-në dhe i fitoi zgjedhjet duke mbetur prapë në pushtet, ndërsa PD shkoi në opozitë. LSI u kujdes që një pjesë e mirë e administratës së PD-së të mbetej në punë dhe të mos bëhej viktimë e fituesit të ri.
Kjo lëvizje e çimentoi njëherë e mirë rrjedhjen e votave të PD-së në drejtim të LSI-së. Në sensin logjik, kjo pjesë e PD-së, nuk kishte pse të turpërohej pse mbeti në LSI. Ajo nuk ishte duke bërë tradhti të madhe, sepse po “vijonte” një koalicion të bërë fillimisht nga vetë Berisha.
Për atë që kërkon të bëjë cinikun dhe të flasë në favor të PS-së, mund të përdoret fabula e pëllumbit që hidhet ndonjëherë në çatinë e fqinjit dhe që vjen përsëri në shtëpinë e tij duke sjellë edhe një pëllumb tjetër më tepër.
Rrjedhja e PD-së, që mbeti në opozitë edhe në 2015, po dhe tani, vazhdoi edhe në 2017. Unë besoj se kjo rrjedhje votash filloi të marrë përmasa të mëdha, veçanërisht në fshat, ku LSI kishte edhe ministrin e vet të bujqësisë, që kontribuoi për 4 vite të mira aty…
PD e kuptoi këtë shaka të keqe vetëm në marrëveshjen e 18 majit dhe është logjike pse Basha filloi një luftë të egër kundër LSI-së. Llogjika e tij ishte e saktë për të kthyer të larguarit në shtëpi. Kundërshtarët e tij nuk mund ta bëjnë me faj pse e bëri këtë lëvizje, që ishte e vetmja në situatën e krijuar. Ajo që ata mund ta kritikojnë me të drejtë, po ende nuk guxojnë ta bëjnë, është gjë tjetër. Pse Basha, duke qenë kryetar i PD-së, nuk e bëri këtë që në fillim të katër viteve më parë…
Kjo manovër e Bashës, që ishte pra e drejtë, nuk funksionoi, për shkak të kohës së shkurtër që kishte pas 18 majit. Së dyti, për shkak të Metës. Si talent politik i klasit të parë, qysh një ditë pas marrëveshjes së 18 majit, ai takoi në formë të hapur Berishën dhe këtë e bëri në zyrën e këtij të fundit. Manovra e Metës, që dukej mister për shumë njerëz, ishte e thjeshtë. Ai paralizoi, nëpërmjet Berishës, goditjen e Bashës ndaj tij dhe e orientoi edhe një herë PD-në ndaj armikut tradicional, PS.
Ishte momenti që Berisha të futej në fushë për të korrigjuar gabimin e filluar prej vitit 2009, që edhe në mos të quhej i tillë në atë moment, po shpinte në tragjedi partinë e tij pas këtij viti dhe veçanërisht pas 2011-s.
Ajo që është kurioze në këtë histori, siç e theksova dhe në fillim të artikullit, është se Bashës i kërkojnë llogari për humbje, jo të 150000 votave, por të 220 000 të tillave.
Këto vota PD-ja i kishte bashkë me aleatët e koalicionit. Po a mund t’i vihen në kurriz Bashës ato? Kritikët harrojnë dy gjëra të thjeshta.
Vetë PS u fut në skenën e zgjedhjeve vetëm e pa aleatë. PD futi në të vetëm kryetarët e partive të koalicionit të saj të dikurshëm. Në këtë sens, nuk kishe pse të çuditeshe pse partitë që ata kryesonin të mos kishin aftësinë e zakonshme mobilizuese. Për t’u bindur për këtë, mjafton të shohësh votat që ata kanë hedhur në thesin e përbashkët në këto zgjedhje.
Por ka edhe një arsye tjetër themelore pse nuk duhet pasur edhe në të ardhmen shpresë nga partitë e vogla të majta, apo të djathta qofshin ato.
Aleancat reale të partive të mëdha me të voglat bëheshin për shkak të lidhjes që kishin dikur zgjedhjet lokale me ato kombëtare. Partitë e mëdha u dhuronin të voglave copa të mëdha në zgjedhjet lokale dhe këto ia kthenin dhuratën në ato kombëtare. Kohezioni i kësaj lidhjeje ishte real. Partitë e vogla kishin një pushtet në 400 komuna. Ato ndanin pasuritë e këtyre komunave, pasuri që ishin në trajtën e pyjeve, kullotave, zonave të ndërtimit, etj.
Ndarja e re territoriale, që e çon nga 400 në 70 numrin e komunave dhe rolin që ka kryetari i bashkisë së madhe, bën që partitë e vogla të humbin interesin real të bashkëpunimit apo të treten normalisht brenda partive të mëdha. Kaq e thjeshtë është historia.
Analiza e mësipërme kërkon të ritheksojë edhe një herë se PD-ja ka filluar procesin e gërryerjes së saj nga viti 2009 duke humbur 150 000 vota, të cilat i kaluan LSI-së. Ajo që të bën habi është pse në PD asnjeri nuk flet për këtë histori.
Problemi është i komplikuar. Analiza e kësaj historie është me të vërtetë e bezdisshme dhe të kërkosh fajtorin, akoma më e bezdisshme. Për mua, ata janë së pari Berisha, që zakonisht shquhet si takticien i klasit të parë. Së dyti, Basha, me dembelizmin e tij tipik. Referuar një shprehje tipike në Ballkan, ai i mbylli dyert e kafazit kur buajt kishin marrë arratinë.
Analiza, në një plan të thjeshtë, mund të ketë vlerë për kuriozët apo ndoshta edhe për ata që kërkojnë armiqtë atje ku nuk janë.
Për një parti të madhe si PD-ja, unë besoj se duhet të ketë vlerë. Qoftë edhe për të rikujtuar edhe një herë fabulën e përmendur pak më lart, se “dyert e kafazit duhet të mbyllen para se buajt të marrin arratinë”…(Konica.al)