Nga Mentor Nazarko
Shumë pandehma po bëhen në lidhje me heshtjen e Berishës për humbjen e PD-së. Disa thonë se është i kërcënuar, disa thonë se ndihet fajtor, etj., disa të Partisë Socialiste thonë se ai ka shqetësimin e hetimeve që lidhen me të, etj.
Këtë herë na duhet t’i japim të drejtë Berishës për sjelljen e vet. E vërteta ngjan se lidhet me rolin që ka zgjedhur Berisha të luajë në këtë moment në historinë e PD-së. Ai po e mbron krijesën e vet nga shkatërrimi që do ndodhte nëse grupet rivale (janë më shumë sesa një, madje mund të ketë njerëz që janë në më shumë sesa një grup rival), do të përballeshin me njëri-tjetrin sipas dëshirës. Madje dhe fizikisht.
Berisha ngjan se ka folur me secilin prej tyre që të ulet intensiteti i sulmeve, ku e fundit thuhet e para, dhe nuk ka komunikim normal.
Si pasojë e ndikimit të Marshallit, ka heshtur deri diku Patozi, i cili thotë pas takimit me Berishën se « ai ngjan i shqetësuar dhe se është dakord me shumë shqetësime të Patozit». Ai bën vërejtje për Bashën, por nuk flet më për implikime familjare të tij në administrimin e përditshëm të Partisë Demokratike.
Ka heshtur zonja Topalli, e cila, në një situatë pashpresë, kur nuk ka grup, kur nuk ka mbështetës, kur Berisha nuk është me të, zgjedh të mos flasë, as përditë, dhe as agresivisht.
Kanë hequr dorë nga varianti i gjysmë linçimit ndaj Bashës, Genc Ruli apo ndonjë tjetër, që e paralajmëroi, ndërsa kërkuan protesta kundër Bashës apo nxjerrje të tij nga zyra.
Shumë kritikë të Bashës simulojnë sikur në të paktat shfaqje publike, edhe në deklarimin e tij pro bashkimit të PD-së, Berisha ishte kritik me Bashën. Ose simulojnë, ose e besojnë, por në të dyja rastet Berisha ndihet mirë. Kësisoj ai ngjan se ekuilibron pjesën tjetër të kritikëve të PD-së, që thonë se Berisha mbështet Bashën.
Kjo veprimtari e Berishës duket e nënkuptuar fare qartësisht dhe plotësisht e ligjshme. Ai është kryetari historik i partisë, ka ndikim absolut tek të gjitha degët, individët, të gjithë kanë interes ta kenë mirë me të, partia është gjithçka për të, si politikan, por dhe si njeri.
Po pse nuk flet Berisha për krizën në partinë e tij?
Berisha nuk flet për krizën në PD, sepse i duhet të luajë rolin e arbitrit. Nëse do flasë në publik, në media, në intervista, ai do sfidohet për sensin e tij të analizës dhe raportin me të vërtetën. Ai i kupton më mirë se të gjithë arsyet e humbjes, por ai nuk mund të flasë për to. Sepse përndryshe do mbajë anë, do favorizojë njërin grup, ose tjetrin. E kështu e humb rolin e arbitrit, të cilin do i duhet ta luajë deri në fund.
1) Por që ta luante shumë mirë deri në fund këtë rol, Berishës i duhej të krijonte kushte të barabarta për garën.
2) Berishës i duhej të kishte menduar eventualisht dhe për ndonjë pasues të Bashës.
3) Berishës i duhej të luftonte për ta modernizuar partinë. Pra të kontribuonte edhe zëshëm, publikisht për këtë modernizim: fraksionet, modelin e financimit të partisë, moderimin e saj, etj.
4) Këto pretendime ndaj Berishës vijnë pse Berisha ka ende energji për t’i dhënë partisë së vet, ka dituri për të ndikuar dhe publikisht, përveç këshillimit jopublik që i bën Bashës, apo vetëpërmbajtjes që i kërkon kundërshtarëve të tij.
5) Nëse Berisha do të pranonte të fliste, atij do i duhet të identifikonte fajtorët, mes të cilëve është dhe vetë: shembulli i Belind Këlliçit, kreut të FRPD, të cilit LSI i është ofruar për ta kaluar në anën e vet, është dëshmia më e mirë se LSI-ja ka përfituar shumë nga flirti i me PD-në. E ka gërryer në bazë, në struktura, dhe mungesa e distancimit të Berishës nga LSI e ka favorizuar këtë gërryerje. E Berisha i njeh të dhënat, orientimin e votës, etj., dhe do duhej të pranonte publikisht fajësinë e tij, ndonëse në emër të taktikës: të mos prishemi përfundimisht me LSI-në, si po bën Basha, sepse ku i dihet.
Mbase ne pretendojmë kot një rol arbitri të tipit të ri prej Berishës. Mbase ai nuk di ta luajë këtë rol, që nënkupton një politikan modern që don ta modernizojë partinë e vet, krijesën e vet. Si pasojë në fund të garës, ai mbase do ta ruajë partinë të bashkuar, por kjo nuk do të thotë se PD-ja do rritet. /Konica.al