Xhixhio Donaruma do të jetë një futbollist i Milanit deri në vitin 2021, ose të paktën derisa Mino Raiola t’i ketë gjetur një ekip tjetër ku të përfitojë më shumë. Portieri 18-vjeçar italian ka hedhur firmën në kontratën që e lidh me klubin kuqezi, i cili është dorëzuar para kushteve që i vuri menaxheri italian.
Mediat italiane raportojnë se portieri do të përfitojë 6 milionë euro në sezon, ndërsa tre javë më parë, Milani deklaroi se ishte absurditet që ai kërkonte më shumë se 4,5 milionë euro në vit, sa i kishin ofruar asokohe.
Njëkohësisht, vëllai i portierit, Antonio, është punësuar si portier i tretë, me një rrogë prej 1 milion eurosh në sezon. Aspak keq po të kesh parasysh se në Serinë A, numërohen me gishta portierët titullarë që marrin një rrogë të tillë.
a.ç