Nga Shpëtim Nazarko
Presidenti ma tregoi historinë tuaj dhe të hebrenjve në Libi, por nuk më tha tamam se çfarë ndihme u dha-i thashë Rafaelos… -Të lutem, ma shuaj kuriozitetin!
Rafaelo qeshi: -Ne ishim një grup hebrenjsh, që Gadafi na përzuri brenda natës të gjithëve, vetëm me rrobat e trupit. Unë isha përfaqësues i tyre në takimin me Presidentin Andreotti për të kërkuar ndihmë.
Pasi na dëgjoi, ai, me një gjysmë shakaje, tha:
-Mirë… hidhini të gjitha lekët që ju kanë mbetur në tavolinë. Dhe kur ne të gjithë po shikonim njëri-tjetrin të habitur, ai vazhdoi:
Bashkohuni dhe bëni një tip kooperative me lekët që keni dhe merruni me mensat e universiteteve, se janë në gjendje jo të mirë.
Në periferi të Romës gjendet një ndërtesë e madhe afër njërit prej universiteteve të saj, me emrin, më duket, Kashina, që materializon idenë e hedhur në tavolinën e ndihmës.
Ngjarja e mësipërme shërben si një spunto për idetë e hedhura më poshtë, e që lexuesi mund t’i shohë si të dobëta apo me vlerë, apo, akoma më shumë, për të qenë i lutur që të marrë pjesë në një diskutim për problemet që lidhen me universitetet tona.
Njëzet e shtatë vjet pas grevës së studentëve që përmbysi diktaturën, duket se ngjarjet e ndodhura nuk i kanë favorizuar shumë ata për kushtet e jetesës.
Me gjithë përmirësimet në ndërtesat e universitetit shtetëror apo konviktet studentore, duket se situata nuk ndryshon shumë nga ajo e para njëzet e shtatë viteve. E ky nuk është problemi më i madh. Me mijëra studentë flenë jo në qendrat e tyre studentore, por andej-këndej nëpër Tiranë. Dhe kjo shpesh me çmime shumë më të larta sesa ato që ofrojnë qendrat studentore.
Taksat për studentët, për të fjetur apo vazhduar shkollën, duket se shtohen gjthnjë e më shumë dhe po ashtu edhe një korrupsion gati endemik përfshin gjithçka. Thuhet se për të kaluar shkollën duhet edhe paguar një diplomë, që në reailtet vlen pak. Ndërkaq, profesorët apo mësuesit e ndershëm gjenden shpesh në kushte më të vështira se vetë studentët apo nxënësit e tyre. Kjo jo vetëm për të ndjekur ambicien e tyre akademike, por edhe për kushte jetësore më të mira.
Shteti është ende i pafuqishëm për të dhënë ndihmë reale. Buxheti për arsimin, që thonë shtohet, faktikisht, në shumicën e rasteve, copëtohet në forma të ndryshme, duke e shtuar kështu akoma edhe më shumë korrupsionin.
Problemi shtrohet në formë të drejtpërdrejtë:
Si i bëhet të krijojmë vërtet një marrëdhënie të drejtë, apo ndryshe, për të krijuar dhe ndihmuar një elitë të profesorëve dhe po ashtu të studentëve të shkëlqyer? Si i bëhet që studentët apo profesorët e ardhur nga rrethet, apo thjesht këtu në Tiranë, të banojnë në kushte më normale?
Idetë e hedhura më poshtë hanë diskutim, por le të paraqesim dy prej tyre.
A nuk do të ishte më mirë për shtetin që licensimi i disa gjërave të kalojë drejtpërdrejt në duart e universitetit dhe jo të mbetet pronë e tij apo e privatit? A mundet që p.sh. licensat për sizmikën, cilësinë e ujit, apo të materialeve të përdorura në projekte të vogla apo të mesme në infrasrukturë, p.sh. të rrugëve apo ndërtimeve, t’u vendosen në dispozicion universiteteve?
Nëse firmat private janë ndonjëherë edhe të përkohshme, universiteti është i përjetshëm. Në këtë sens, një licensë e dhënë, apo një kontroll i tipit universitar, apo që ka siglën e tij, është shumë më i sigurt se i çdo prvati, pavarësisht shkollës së bërë prej këtij të fundit. Universiteti, veçanërisht ai shtetëror, nuk mund të japë kurrë licensa false, apo të dobëta, për gjërat e përmendura më sipër.
Për të ilustruar idetë e hedhura, le të marrim një shembull për konkretizim.
Nëse duam të ndërtojmë projektin e një rruge, ta zëmë Tiranë –Durrës, që kushton 30 milion euro, projekti i saj le t’i jepet katedrave përkatëse. Ashtu si dhe projektuesi i saj normal në një rast tjetër, universiteti mund të marrë tre deri në pesë për qind të kësaj shume.
Pas kësaj, një grup profesorësh të katedrave të ndryshme dhe studentët më të mirë të vitit të fundit mund të fillojnë e të bëjnë projektin. Ata do të marrin pikërisht ato para që marrin arkitektët privatë. Gjysma e këtyre parave mund të shkojë për modernizimin e katedrës, apo katedrave me mjete. Ndërkaq, gjysma tjetër e këtyre parave, që mbeten nga shuma e përgjithshme, u ndahet profesorëve dhe studentëve që realizojnë projektin.
Do të krijonim një elitë profesorale të paguar mirë, e cila nuk ka nevojë të korruptohet apo të përgojohet, siç ndodh rëndom. Kjo praktikë shpie edhe në një konkurrencë midis studentëve, që po ashtu do të paguheshin mirë. Dhe çfarë është më e rëndësishmja, cilësia do të ishte shumë më e garantuar.
Po për të mos u rënë në qafë privatëve, që do të shihnin këtu një dorë të centralizuar, mund të themi se vetë shteti ka dhjetëra projekte që nuk mund t’i bëjnë dot nëpunësit që paguhen pak dhe që qëndrojnë vetëm 8 orë në punë.
Gradualisht do të krijohej vërtet një elitë profesorale dhe studentësh, që do të ishin të paguar realisht mirë. E siç e theksuam edhe më sipër, do të shuheshin ata zërat që thonë se “me pak lekë kalon provimet” dhe meritokracia do të fitonte terren.
Një ide tjetër ka të bëjë me kushtet e jetesës së studentëve. A mund të kishte më kuptim ndërtimi i godinave të reja, në vend të arnimit të pafundëm me tendera shtetërorë deri në pafundësi të godinave të vjetra?
Një shembull i thjeshtë mund të ilustronte përgjigjen për pyetjen e bërë së fundmi.
Le ta zëmë se duam të ndërtojmë një godinë me sipërfaqe 6000 metër katror. Në këtë sipërfaqe, në 4000 metër katror mund të rrinë apo banojnë 300 studentë, dhe në 2000 metrat e tjera që mbeten, mund të bëhen katër salla të mëdha me nga 500 metra katror secila. Këto salla mund të shërbenin si mensë, kafene, sallë studimi apo palestër, etj., etj.
Po ku t’i gjejë këto para shteti? Këto para, në princip, i ka vetë universiteti. Duke i garantuar një autonomi atij, ai mund t’i ndërtonte vetë nëpërmjet bankave, të cilat do të kishin garanci pronat e universitetit (toka, ndërtesa, etj., që shteti duhet t’ua jepte përfundimisht atyre për t’i administruar). Një llogari e thjeshtë do të tregonte në këtë rast se në një banesë, që u përmend më sipër, do të jetonin 300 studentë në dhoma teke, apo ndryshe, me një person, me komoditetin e një studenti perëndimor.
Sallat e mëdha do t’i jepeshin me qira privatëve që do të ishin të interesuar për të adminstruar restorantin, kafenenë, etj. Në periudhën e pushimeve, administrata e universitetit mund t’i përdorte këto dhoma jo vetëm për studentët, po edhe si hotele me çmime të lira për klientë të çfarëdoshëm. Në thelb, kjo do të ulte akoma më shumë kostot e banimit të studentëve, por edhe fuqizonte universitetet.
Kostoja e kësaj historie, e bërë nga ekspertë, tregon se studentët do të akomodoheshin shumë më lirë se në dhomat me qira ku banojnë sot, apo në vetë konviktet shtetërore.
Shembulli i treguar është në të vërtetë në formë të ngjashme apo i përdorur drejtpërdrejt në praktikë në shumë vende në Evropë dhe nuk është shpikja e autorit të artikullit. Po a mund të veprojmë ndryshe, apo të bëjmë siç kemi bërë deri tani?
Kohë më parë, po dëgjoja një nga përfaqësuesit e lartë të universitetit shtetëror se po bëhej gati një kampus i madh universitar, që do të kushtonte 26 milionë euro. E dëgjova duke buzëqeshur. Natyrisht që kampusi nuk është ndërtuar akoma…
Duke iu kthyer prapë fillimit të shkrimit, mund të them se në vend të qarjeve të vazhdueshme, duhet të vëmë në përdorim idetë më shumë. Besoj se dhe nëse nuk i kemi vetë, shembulli I të tjerëve është i mjaftueshëm për të dalë nga kjo situatë që është së pari e vështirë dhe së dyti, veç korrupsionit të madh, po na mban në vend-numëro. /Konica.al