Ambasadorët e 28 vendeve anëtare të NATO-s do të mblidhen nesër me kërkesë të Turqisë për bisedime në kuadër të rritjes se tensionit mes Ankarasë, rebelëve kurdë dhe grupit xhihadist të Shtetit Islamik, njoftoi Aleanca në një komunikatë.
”Turqia e kërkoi këtë takim në kuadër të situatës serioze pas atentateve terroriste të këtyre ditëve të fundit dhe për të informuar Aleatët për masat që do të marrë”, thekson komunikata.
“Aleatët e NATO-s po ndjekin nga afër zhvillimet dhe solidarizohen me Turqinë”, vijon komunikata.
”Ankaraja i është referuar nenit katër të Traktatit të Aleancës Atlantike, që i mundëson një prej anëtarëve të kërkojë bisedime kur ai vlerëson se një kërcënim po i kanoset integritetit territorial, pavarësisë së tij politike apo sigurisë”, sipas komunikatës.
”Një takim i tillë i kërkuar nga Turqia mendoj se është i drejtë dhe në kohën e duhur për të trajtuar trazirat dhe paqëndrueshmërinë në Siri, Irak dhe në afërsi të kufijve të vendeve anëtare të NATO-s” theksoi Stoltenberg.
Ai tha se kishte folur dy ditë më parë me kryeministrin turk, Davutoglu, ku i kishte shprehur ngushëllimet për viktimat e fundit dhe i kishte dhënë mbështetje Turqisë për të kryer sulme ndaj Shtetit Islamik.
Rebelët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) morën përsipër përgjegjësinë e një atentati që vrau dy ushtarë turq si kundërpërgjigje e sulmeve ajrore turke kundër bazave të tyre në veri të Irakut duke nënshkruar fundin e armëpushimit të arritur që prej vitit 2013.
Ky përshkallëzim i tensionit mes qeverisë islamo-konservatore turke dhe rebelëve kurdë ndodh ndërkohë që Ankaraja është e vendosur të kalojë në ofensivë kundër grupit xhihadist të Shtetit Islamik duke goditur disa herë pozicionet e tij në territorin sirian, në përgjigje të atentati kamikaz, atribuar Shtetit Islamik, kryer në Suruç më 20 korrik./ATA/