Gjykata Speciale, e cila do të jetë në rend dite këtë javë, pritet ta marrë përfundimisht bekimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Burime brenda partisë së Hashim Thaçit i kanë konfirmuar gazetës “Zëri” se deputetët e kësaj partie tashmë kanë ndryshuar pozicion dhe e kanë siguruar shefin e tyre se do ta mbështesin krijimin e Dhomave të Specializuara.
“Tashmë ekzistojnë numrat dhe çështja e Speciales do të përmbyllet gjatë javës. Janë diku katër deputetë brenda PDK-së që nuk do ta votojnë, por ky numër nuk do ta pamundësojë krijimin e Gjykatës, meqenëse pjesa tjetër do ta mbështesë. Presim që Specialja do ta marrë mbështetjen e diku 84 deputetëve, nga 80 sa nevojitet”, ka thënë njëri nga nënkryetarët e PDK-së për ‘Zëri’.