Ka edhe rreze drite për emigrantët që po shkojnë në Gjermani. Kështu, diskursit të artikujve dhe opinioneve në mediet gjermane që ngjallin panik lidhur me fluksin e madh të kosovarëve dhe ballkanasve tjerë në Gjermani ka filluar t`i kundërvihet një diskurs tjetër, ai i logjikës ekonomike të absorbimit të refugjatëve nga vendet e përmendura.
Siç shkruan në botimin e së dielës gazeta më prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) me penën e korrespondentit të saj për ekonomi nga Berlini, Ralf Bollmann, Gjermania duhet të heq dorë nga demonizimi i gjithë asaj që vjen nga Ballkani perëndimor.
“Ekziston një fjalë frikësuese në politiken gjermane dhe kjo fjalë është “Ballkani Perëndimor”, shkruan FAZ.
Ky term lidhet me 31,000 kosovarë, 21,000 shqiptarë, 16,000 serbë dhe 7,000 maqedonas të cilët të gjithë brenda 6 muajve të këtij vitin kanë kërkuar azil në Gjermani…
“Pasi që shanset për pranim të azilit të tyre janë fare të pakta sepse në vendet përkatëse nuk ka ndjekje politike në kuptimin e ngushtë, politikanët gjermanë të partive të ndryshme po shtyhen me kërkesat se si Gjermania duhet të heqë qafe sa me shpejt këta njerëz: procedurat e shpejtuara, më pak para xhepi, strehimi në tenda…”, vazhdon tutje artikulli i botuar në FAZ me titullin “Jeni të mirëseardhur, kosovarë” që e transmeton albinfo.ch.
Fakti se refugjatët që me të vërtetë janë ndjekur nga dhuna në vendet e tyre si sirianët, irakianët etj., duhen pranuar pa dilemë nuk i përjashton automatikisht ballkanasit, është ideja që shtron Bollmann duke iu referuar logjikës ekonomike.
“Hulumtuesit e tregut të punës dhe përfaqësuesit e ekonomisë besojnë se Gjermanisë i nevojiten edhe migrantët e ardhur nga Serbia ose nga Shqipëria. Ata mendojnë se pranimi i sirianëve i motivuar nga humaniteti nuk është argument kundër hapjes së kufijve për migrantët nga vendet fqinje evropiane, shanset e të cilëve për integrim, në rast krahasimi, janë dukshëm më të mëdha. Ata mendojnë se qeveria duhet të krijojë mundësi të reja në këtë drejtim, duke anashkaluar azilin”.