Edhe pse nuk kanë rënë dakord për rishpërndarjen e 40 000 emigrantëve mes shteteve anëtare, pritet që Bashkimi Europian të vendosë të hënën që azilantët shqiptarë dhe të tjerët nga Ballkani perëndimor të kthehen me procedurë të përshpejtuar në vendet e origjinës
Gjatë mbledhjes së para një jave të ministrave të Brendshëm të shteteve të unionit u diskutua edhe për një listë të vendeve të sigurta të origjinës, ku me shumë gjasë janë futur edhe Shqipëria dhe Kosova.
Disa prej shteteve më të fuqishme në BE, si Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe, i kanë përpiluar këto lista, por ka dallime mes tyre se cilat shtete janë futur në to. Sipas statistikave të Bashkimit Europian, përqindja e pranimit për shtetet e rajonit është mjaft e ulët, më pak se 1% për Maqedoninë e deri tek 7% për Shqipërinë, megjithatë kriteri për të përcaktuar një vend si të sigurt ndryshon nga shteti në shtet, çka sjell edhe papajtueshmërinë mes vendeve të unionit.