Zv.Kryeministrja Ledina Mandija ka reaguar pasditen e sotme në lidhje me lajmin se ministrt teknikë nuk kanë firmosur për blerjen e energjisë elektrike.
Në deklaratën e saj, Mandija shprehet se asnjë prej ministrave teknikë nuk u janë vënë në dispozicion relacionet, pavarësisht kërkesave të tyre.
Në njoftimin shpërndarë për mediat, Zv.Kryeministrja thotë se edhe ish-drejtori teknik i OSHEE, Haki Mustafa, ka publikuar tender për blerjen e energjisë elektrike. Sipas pretendimeve, paraardhësi i Mustafës, Adrian Çela nuk ka shpallur tender në muajin Maj.
Njoftimi:
Theksohet se për miratimin e VKM-së, referuar nenit 20, të Ligjit 9000/2003 “Për organizmin dhe Funksionimin e Këshillit të Ministrave” që parashikon se “Aktet e Këshillit të Ministrave miratohen me shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit të Ministrave, me votim të hapur” mjafton shumica e thjeshtë. Pra, nga 21 anëtarë që ka Këshilli i Ministrave, vota pro e të paktën 11 prej tyre ishte e mjaftueshme për miratimin e VKM.
Sipas nenit 25 të Ligjit 9000/2003 “Për organizmin dhe Funksionimin e Këshillit të Ministrave” mendimi i Ministrit të Drejtësisë, Ministrit të Financave, Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe KESH sh.a. duhej të vihej në dijeni të çdo anëtari tjetër të Këshillit të Ministrave, para se te shqyrtohen nga ministrat.
Në asnjë rast ministrave teknikë nuk u janë vënë në dispozicion këto akte, pavarësisht kërkesave të tyre.
Në asnjë rast nuk është zhvilluar një mbledhje Qeverie ku të jetë diskutuar ky projekt-vendim dhe të jenë servirur këto akte.
Me tej, sqarohet opinioni publik se Ministrat “teknikë” nuk kanë akses në e-Akte, ndërkohë që një akses të tillë e paskan pasur disa media elektronike. Ministri i ri i Drejtësisë ka akses në e-akte vetëm për akte që fillojnë nga data 23.05.2017 dhe nuk i është njoftuar asnjë akt para kësaj date që ishte i hedhur në sistemin në fjalë.
Gjithashtu gjejmë me vend të sqarojmë se Ministrat teknikë kanë konstatuar probleme ligjore lidhur me të drejtat e KESH sh.a. për të blerë energji nga importi tek projekt VKM e dërguar për miratim dispozitat e së cilës binin ndesh me dispozitat e VKM 244/2016.
Administratori i OSHEE Çela sipas faqes zyrtare të internetit të OSHEE nuk rezulton të ketë shpallur tender në muajin maj 2017 për blerje energjie në muajin pasardhës qershor 2017. Ndërsa administratori i ri Mustafa, me marrjen e detyrës në 03.06.2017 shpalli në 21.06.2017 tenderin për blerje energjie për muajin korrik 2017.
Nga ana tjetër, sot në datë 04.07.2017 është njoftuar një projekt VKM e re ku janë bërë ndryshime referuar vërejtjeve të 2 prej ministrave “teknikë”. Kjo VKM e shoqëruar nga relacioni shpjegues nuk i është dërguar paraprakisht për mendim Ministrit të Drejtësisë, atij të Financave dhe Ministrave të tjerë. Në këto kushte, këta ministra duhet të japin mendimin e tyre referuar nenit 24 të Ligjit 9000/2003.
Më pas ministrat “teknikë”, ashtu si të gjithë ministrat e tjerë sipas nenit 25 të Ligjit 9000/2003 do të bëjnë vlerësimet e tyre të projekt-aktit.