Pas largimit nga Milani dhe debatit mes Barcelonës dhe Evertonit për kartonin e tij, telenovela e Geri Deulofeut pasurohet me një tjetër kapitull të ri. Juventusi është hedhur në sulm për kapitenin e Kombëtares së 21-vjeçarëve spanjollë dhe për shërbimet e tij do t’i duhet të konkurrojë me kuqezinjtë, por edhe me Romën, e cila është në kërkim të një sulmuesi krahu pas largimit të Mohamed Salah drejt Liverpulit.
Duke qenë një prodhim i akademisë blaugrana “La Masia”, Barcelona kur e shiti tek Evertoni u “mbrojt”, duke përfshirë në kontratën e shitjes një klauzolë që i garantonte të drejtën e blerjes për 12 milionë euro deri më sot, 30 qershor. Meqë vlera e 23-vjeçarit është rritur ndjeshëm pas përvojës kuqezi në gjashtë muajt e fundit, katalanasit kanë vendosur të blejnë kartonin e futbollistit, i cili nga ana tjetër është kundër këtij operacioni merkatoje, pasi në hierarkitë e trajnerit Ernesto Valverde ai do të ishte pas treshes Mesi-Nejmar-Suarez.
Deulofeu nuk dëshiron të humbë Botërorin në Rusi në 2018-n, ndaj kërkon një skuadër që t’i garantojë minutazhin e nevojshëm për t’u përfshirë në Kombëtaren spanjolle. Te Milani është ndier mirë, por me blerjet në kampin kuqezi titullariteti i tij nuk do të ishte edhe aq i garantuar, ndaj Juventusi do të përballet me Romën për shërbimet e ishnumrit 7 kuqezi.
Te bardhezinjtë nuk mungon konkurrenca, por ambientimi i tij te kampionët e Italisë do të ishte i lehtësuar nga skemat ofensive të Alegrit, i cili e mbylli sezonin me tre sulmues titullarë, çka do të shtonte mundësitë e spanjollit për aktivizim të shpeshtë. /b.d