Nga Linda Karadaku
“Një votë është si një pushkë, dobia e saj varet nga karakteri i përdoruesit,” ka thënë presidenti amerikan Theodore Roosevelt.
Më duket thënia më pikante për të portretizuar atë që ka ndodhur dhe ndodh përgjithësisht me votimet shqiptare. Duket tamam si një pushkë që godet, duke ndëshkuar një palë për inat të palës tjetër, të paktën kështu ka ndodhur deri tani. Dhe pastaj, pas zgjedhjeve, ndodh po e njëjta gjë, nuk ka mëshirë për atë që ka humbur, për atë që është goditur, ai nuk ka më asgjë, pushteti thjeshtë zhvendoset në njërin krah, duke lënë hapësirë mjaftueshëm që humbësit të mbledhin veten dhe të kthejnë inatin dhe reagimin ndaj mos-përfilljes, në krizë.
Dhe kriza pastaj ka “outcomes” të ndryshme, që nga perdorimi i institucioneve të sigurisë deri tek marrëveshjet me shpejtësi rrufeje që kënaqin të dy palët e përfshira. Në të dyja rastet ka përdorim dhe keq-përdorim në të njëjtën kohë të mekanizmave të një sistemi demokratik. Institucionet e sigurisë duhet ti shërbejnë shtetit dhe ruajtjes së interesave të tij, edhe marrëveshjet duhet të shërbejnë për të njëjtën gjë, duke qenë model normal i bashkëpunimit dhe jo model nga halli i zgjidhjes së krizës në momentin kur ajo rrezikon të dalë jashtë shtratit të lumit dhe të derdhet në rrugë duke rrezikuar vetë sistemin.
Gjithsesi, më mirë vonë se kurrë! Për t’iu kthyer votimeve shqiptare, ne shquhemi për inatcorë dhe nuk ta harrojmë kollaj po na shpërfille dhe po na le në margjinat e mitingjeve sa herë ka fushatë dhe duhet votuar. Kjo bën pjesë në karakterin e votuesit tonë dhe nga ky karakter varet dobia e votës sonë. Ne kemi shumë inate dhe nga këto inate nuk mund të përjashtohet askush. Një prej tyre është fakti që për më shumë se dy dekada e gjysëm, politika shqiptare nuk po arrin të qeverisë si duhet një vend të vogël, zyrtarisht me pak milionë banorë, jo-zyrtarisht me shumë më pak se ca milionë banorë.
Ne e kemi inatin me faktin se politika jonë premton Evropën politike me sindroma ballkanike. Ne e kemi inatin me faktin që politika jonë shan, fyen, bërtet, urren, nuk fal, kur i duhet dhe sa herë i duhet, por pastaj buzëqesh, na thotë të mos ia vëmë re, të harrojmë se iu duhet të bëjnë pakte dhe marrëveshje. Kjo është ta trajtosh popullin si një grumbull njerëzish që si politikan mund ta drejtosh edhe nga e mira, edhe nga thertorja, varet cfarë të duhet në një moment të caktuar, nëse do të bësh luftë po paqe, paqe për luftë, betejë apo marrëveshje.
Ne kemi inat se vota jonë vazhdon të llogaritet si numër, jo si shprehje e revoltës apo mbështetjes, sepse revoltën dhe mbështetjen e tregojmë në mitingje…Ne e kemi inatin se vota jonë është tregues i një mentaliteti ku familja voton, po “e din baba cka është mirë.” Po baballarët tanë, pasi marrin votën, qoftë si inat, qoftë si dashuri, harrojnë me qëllim kush ua dha, dhe një ditë pas zgjedhjeve, kthehen në një tjetër dimension, duke u ulur, pirë, qeshur apo qarë dhe bëjnë llogaritë, kush me kë, sa me sa, duke planifikuar 4-vjecarin e ardhshëm, ku ne nuk figurojmë edhe aq, sepse dobia e votës sonë përcaktohet nga karakteri ynë inatci, por jo nga ftohtësia e gjykimit.
Megjithatë, “eppur si muove,” megjithatë rrotullohet, dhe numri i njerëzve që nuk votojnë, abstenojnë apo “e shpartallojnë” fletën e votimit, duke votuar për futbollistë apo filma vizatimorë, apo me ndonjë sharje të “lezetshme”, janë shtuar duke provuar tezën se votat e gjykimit me gjakftohtësi, votat e revoltës, votat e pandikuara nga interesa afatshkurtra, po shtohen. Kjo është kategoria e votuesve që nuk presin asgjë, nga askush, dhe nuk joshen nga premtime afatshkurtra.
Kjo është këmbanë alarmi për politikën shqiptare, duke i treguar asaj se nuk ka edhe shumë kohë në dispozicion për të ndryshuar veten dhe mënyrën e të bërit politikë. Kjo tregon se karakteri i votuesit shqiptar ka ndryshuar dhe po ndryshon dhe për pasojë edhe dobia e votës së tij. Të paktën këtë të mirë e ka demokracia dhe matematika, ka një ndryshim cilësor në mentalitetin e votuesit, i cili po shkon drejt ndryshimit sasior. Sa më shpejt ta kuptojë politika këtë, aq më mirë për të gjithë, për ata dhe për ne.
Politika e shkreh armën sot, si ditë pushimi, votuesi e ngreh nesër, duke votuar, qoftë me mentalitetin e inatit, qoftë me atë të gjykimit të ftohtë, qoftë me atë të abstenimit apo pavlefshmërisë së fletës së votimit. Fushata mbaroi, bashkë me mbledhitë dhe oktavat e larta që vetëm muzikë nuk janë!
Nesër, ditë e re, “nafakë” (fat) i ri! “Një votë është si një pushkë, dobia e saj varet nga karakteri i përdoruesit,” ka thënë presidenti amerikan Theodore Roosevelt. Të shohim cili do të jetë karakteri i votuesit këtë herë dhe sa…Në fund të fundit, “eppur si muove!” Edhe për politikën, edhe për njerëzit e zakonshëm!