Nga Shpëtim Nazarko
Nuk mund ta mendoja kurrë që pas 27 vjetësh pluralizëm ta shtroja në këtë mënyrë pyetjen që shoqëron zgjedhjet e 25 qershorit. Atëherë dukej e lehtë zgjidhja dhe u bë e qartë pas 10 ditësh të shpalljes së pluralizmit se kau që ishte i predispozuar për ta tërhequr parmendën dukej Berisha.
Natyrisht, në një situatë të qetë, çështja do të duhej të ishte zgjdhur ndryshe. Një tip si Berisha që thërriste fort rrugëve të atdheut sot, zor se do t’i kishte marrë 4 apo 5 për qind.
Kthesa e butë, pavarësisht regjimit të tmerrshëm të Lindjes komuniste, kërkonte njerëz më të butë dhe të arsyeshëm. Po a kishte realisht dhe pse nuk dolën dot në skenë?
Regjimi kishte dhënë shpirt, po bashkë me të edhe populli, dhe akoma më shumë intelektualët. Të mbetur pa pronë private dhe vetëm me lekët e 15-ditëshit, thuajse asnjërit nuk i vinte mendja për pushtet. Ishin të gjithë brenda parimit të Prudonit, që e mbaronte librin e tij të njohur ‘Filozofia e mjerimit” me frazën “Të shpëtojë kush të mundet”.
Megjithëse vendi ishte shumë më i arsimuar se momenti i shpalljes së pavarësisë për shkak të situatës ekonomike, nuk bënte dot realisht asnjë rezistencë ndaj të keqes.
Iu luta në një moment të caktuar të atyre kohëve Berishës, që të përpiqej të vinim në krye të vendit një njeri të tipit Jusuf Vrioni. Kishte mbaruar një shkollë të klasit të lartë, më duket école supérieure në Francë dhe me siguri mendoja, po ta linin të bënte një kabinet, do të na lehtësonte një barrë… Berisha ishte dakord që t’i propozohej për deputet… çka plaku i mençur nuk e pranoi.
A jemi në situatën e atyre viteve prapë dhe a nuk duket e habitshme pas 27 viteve pluralizëm ta shtrojmë pyetjen thjesht: “Kush është kau që duhet ta tërheqë parmendën e Shqipërisë”? Vërtet kemi ngelur aq keq sa përsëri si para shumë vjetësh, ta kërkojmë shpresën e ringritjes te një njeri i vetëm? Si adhurues i Bazakut dhe individualist, unë i besoj shprehjes së tij legjendare se “Ligji del nga truri i zgjuar i një njeriu gjenial dhe jo nga mendjet e nëntëqind njerëzve që e turbullojnë atë”. Shprehja i përket mendimit intelektual apo shkencor dhe jo situatës normale për udhëheqjen e vendit.
Po çështja është më e ngatërruar dhe vendi në disa drejtime është më keq se në 90-n. Dhe ky paradoks është i thjeshtë dhe mund të thuhet edhe me një fjali. Kemi hedhur keq themelet e vendit dhe kjo do të bëjë që të vuajmë gjithnjë e më shumë, edhe kur të gjejmë rrugën e drejtë. Gabimet e djeshme duhen paguar, në mos sot, nesër.
Kur kritizerët e Ramës thonë se sipas sondazheve të njohura gati 56 për qind e popullsisë kërkon të ikë, unë nuk mendoj se gënjejnë. Po ajo që ata nuk thonë saktë është, pse duan të ikin? A është vërtet ky katërvjeçar i Ramës më i keqi, apo do të vuajmë tani më shumë se më parë, për të ndrequr budallallëqet e shkuara?
Ç’do të thotë që për njëzet e pesë vjet të mos kesh rregulluar problemin e pronës, po të fillosh t’i lutesh tani Strasburgut që të na e shtyjë edhe ca kohë pagimin e borxheve pronarëve të dikurshëm?
Ç’do të thotë që kadastra e tokës nuk ekziston realisht? Ç’do të thotë që arsimi profesional për njëzet e pesë vjet është nëpërkëmbur dhe është zëvëndësuar me universitete që Noli i emëronte dikur me tallje në librin e tij Don Kishoti i Mançës si unversitete të Domosdovës apo të Rrogozhinës?
Do të thotë thjesht që shqiptarët të punojnë në fason apo call center me paga mesjetare dhe në mungesë të prodhimit kombëtar bujqësor, për shkak të mjerimit të fshatarit, të mos jenë në gjendje të paguajnë atë mall ushqimor gjysmë të kalbur që vjen nga jashtë.
Po ç’do të thotë që ato mijëra e mijëra shtëpi që kanë zënë veç të tjerave tokën bujqësore, të mos jenë në gjendje të paguajnë taksën e pronës nesër apo të sigurojnë paratë për ujin, energjinë apo riparimin e tyre.
Mithat Frashëri shkruante dikur se nuk duhej të ngrije një fshat pa qenë 250 shtëpi bashkë që të ndanin harxhet, se ndryshe nuk kishte rentabilitet si fshat dhe ai do të zhdukej si i tillë.
Po kaq sa u tha, ndoshta është maja e ajsbergut. Vendi është totalisht në gjunjë dhe i mungojnë sindikatat. Shtresa e lartë që do të duhej të investonte, ka kohë që ka investuar jo në prioritete që shtrojnë shinat e Strategjisë Kombëtare, por në qendra tregtare, kafenera, pika karburanti, ndërtime pa vlerë etj. Kjo klasë, në shumicën e saj, është, në një pikëpamje, më e varfër se vetë fshatari i varfër. Ajo rron në shumicën e rasteve duke iu ngjitur partive nga prapa më shumë për të shpëtuar lëkurën, sesa si partnere reale e qeverisë.
Klasa e mesme thuajse mungon dhe nuk ka asnjë arsye pse të çuditemi pse 56 për qind e njerëzisë duan të ikin nga sytë këmbët.
Po përpara se t’i japim përgjigje se cili është kau që duhet të tërheqë parmendën, mund të themi edhe kështu. Nëse vërtet vendosim të vëmë rregull, Shqipëria i ngjan një vendi që sapo ka dalë nga lufta dhe në luftë luhet për mbijetesë. Aty nuk vihen re mungesat që duken menjëherë sa vendoset paqja.
Rama që e mori këtë parmendë në 2013, e pa shpejt këtë rrëmujën e mësipërme. Nuk ishte puna në ato paratë që duheshin paguar për punë të pambaruara. Po duheshin bërë ato rrugë të lëna gjysmë andej këndej nëpër atdhe. Çfarë duhej bërë me sistemin energjitik, që kishte mbaruar përfundimisht? Çfarë duhej bërë realisht me pronën? Ç’duhej bërë realisht me arsimin universitar apo atë profesional? Ç’duhej bërë me legalizimet? Dhe më në fund, sa mbante realisht kurrizi i popullsisë që në kushte të mbijetesës ishte si në një gjendje lufte të pandërprerë, megjithëse asnjë armik nuk kishte në kufi?
Sa thashë më lart përcaktojnë atë gjendjen e tmerrshme, që në fakt në shumë drejtime është më e keqe se e 90-s. Kjo gjendje bëhet akoma më e keqe kur e dimë mirë se emigrantët nuk janë më ata të parët, kur pyjet i kemi prerë dhe tokat i përmbysim thuajse çdo vit.
Kush duhet ta tërheqë parmendën e Shqipërisë?
Populli duhet të zgjedhë për Ramën, Metën apo Bashën më 25 qershor?
Pyetja është e thjeshtë. Kush e ka këtë fuqi nga përfaqësuesit e këtyre tri partive?
Për mua përgjgjja do të ishte kjo.
Parmendën e Shqipërisë duhet ta tërheqë ai që tregon se është në gjendje të bëjë reforma. Së pari, atë të drejtësisë. Së dyti, ta shpjerë me forcë deri në fund atë të territorit. Së treti, atë të pronësisë reale mbi tokën. Së katërti, atë të arsimit profesional dhe universitar. Dhe së fundi, por jo nga rëndësia, reformën kushtetuese.
Shakatë që partitë e ndryshme theksojnë se do hapin kaq e aq vende pune, nuk ndryshojnë asgjë. Shqipëria nuk mund të vazhdojë të shpresojë në fasonë e call center. Nuk mund të vazhdojë të shpresojë se do luajë një politikë taksash më të lehta etj., si këto. Këtu është provuar si taksa e sheshtë dhe ajo progresive. Vendi nuk është punë numrash. Vendi kërkon caktimin e prioriteve kombëtare që duhet të ndiqen me riogorizitet për të mos thënë me hekur dhe zjarr.
Vendi nuk mund të rrojë me histori partiçkash që ndajnë vendet e punës në admnistratë, duke u bërë burim jo vetëm nepotizmi, por dhe pengesash të pafundme në rrugën që çon përpara.
Kush është kau që do të tërheqë parmendën e Shqipërisë?
Kolosi i madh Konica thotë se për këtë duhen njerëz të hekurt, që çajnë përpara me forcë dhe ndonjëherë nuk arrijnë të shijojnë lavdinë, se bien të vdekur nga lodhja me arritjen e qëllimit.
Kjo është çështja më 25 qershor? Për mua këto janë zgjedhjet më të rëndësishme të historisë së pluralizmit. Nuk është aspak punë tepsie a timoni. Është puna e kaut që duhet të tërheqë një parmendë të rëndë, që mund t’ia këpusë qafën rrugës.
Kë do të zgjedhim?
Këtë e di populli më mirë nga unë. Vetë do të pyesja lexuesit se kush e ka më të qartë rrugën që duhet çarë e pluguar pa pyetur për pushtetin, por vetëm për shtetin.(Konica.al)