Pas atentatit që iu bë dy vëllezëve Beqiri ditën e sotme në punishten e tyre në qytetin e Elbasanit, “BalkanWeb” ju sjell historikun e hasmërisë dhe konflikteve mes familje Çapja dhe Beqiri në vite.
• Atentati ndaj vëllezërve Beqiri – 21 qershor 2017
Më datë 21.06.2017, në orët e para të mëngjesit jemi njoftuar se në afërsi të një punishteje e cila ndodhet në Lagjen “Shënkoll” Elbasan janë dëgjuar të shtëna armësh. Arben Beqiri, 49 vjeç dhe G.Beqiri, 60 vjeç, u qëlluan sot në punishten e tyre, dhe u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin Kirurgjik Elbasan dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
• Vrasja e Saimir Beqirit më 11 April 2016 Një 40-vjeçar, baba i tre fëmijëve, është gjetur i pajetë mëngjesin e të hënës në Elbasan. Sipas policisë viktima është gjetur i vrarë me armë zjarri në lagjen “28 Nëntori”, në afërsi të një pike karburanti. Viktima u gjet në një lokal, teksa konfirmohet se ai është vëllai i Gentian Beqirit, të vrarë në 2012 në banesën e tij, teksa ishte në “arrest shtëpie” në ruajtje me policë. 40-vjeçari i vrarë është identifikuar si Sajmir Beqiri, vëllai i Gentian Beqirit, i vrarë në vitin 2012 e i dyshuar si autor i vrasjes së Sokol Çapjas në vitin 2005.
• Vrasja e Fadil Memës më 13 Mars 2015
Me 13 mars 2013, u vra në Torino të Italisë, Fadil Mema. Ai u qëllua në mbrëmje me armë zjarri duke marrë 6 plagë, poshtë shtëpisë së tij. Djali i tij Eltoni iu pohoi mediave italiane se ata i dinin autorët e vrasjes së babait të tij. Gjithë seriali i vrasjeve, i pandëshkuar nga drejtësia solli edhe masakrën e mbrëmshme me tre të vrarë dhe 8 të plagosur
• Vrasja e Gentian Beqirit në vitin 2012
Dy persona ekzekutuan me armë zjarri Gentian Beqirin, i akuzuar nga Prokuroria si autor i vrasjes së biznesmenti Sokol Çapja në dhjetor të 2005. Vrasja riktheu historinë e ekzekutimeve mafioze të ndodhura në këtë qytet, që nisi vite më parë. Autorët kanë trokitur në portën e shtëpisë së viktimës, ndërsa ka qenë babai i viktimës që ka hapur derën. Vrasësit hynë dhe e vranë Beqirin i cili ishte i shtrirë në shtrat, pasi ishte i paralizuar si pasojë e një plumbi që kishte marrë pas shpine. Ka qenë tragjike për babain e tij e gjithë kjo skenë, ku pasi pa djalin të vdekur pësoi atak kardiak dhe ndërroi jetë në Spitalin e Elbasanit.
• Vrasja e Roland Rexhepit – Viti 2009
Mbeti i vrarë ish- efektivi i antidrogës së Elbasanit Roland Rexhepi, i njohur edhe me nofkën Doda. Për këtë krim ishin dyshuar dhe u ndaluan, Armand Llaka e Marjus Tafa e Arben Jace. Gjykata nuk i vlerësoi provat e ofruara nga prokuroria, duke liruar të dyshuarit.
• Vrasja e Dritan Sheme – Qershor 2006
Pas vrasjes së Çapjes në vitin 2005, me 19 qershor 2006, u vra Dritan Sheme në një banesë në kryeqytet, pak kohë pasi ishte kthyer në Shqipëri nga Italia. Për këtë krim, policia nuk ka identifikuar dot të dyshuarit.
• Vrasja e kunatit të Fadi Memës, Ardian Ibrahimi – Viti 2006
Po në vitin 2006, mbeti i vrarë kunati i Fadil Memës, Ardian Ibrahimi, i cili u qëllua pranë autoshkollës që ishte në pronësi të Memës. Po ashtu edhe për këtë ngjarje, nuk pati persona të ndaluar apo të arrestuar pavarësisht se u shoqëruan shumë të tillë.
• Vrasja e Sokol Capja – Viti 2005
Për hakmarrje, me 26 dhjetor të vitit 2005, në një lokal pranë universitetit të Elbasanit, tre persona qëlluan ndaj Sokol Çapes, pronari i hotel Universit në Elbasan. Autorët pasi hynë në lokal iu kërkuan të klientëve që të shtriheshin ndërsa iu drejtuan Sokol Çapes duke e qëlluar atë dhe duke e lënë të plagosur rëndë, ndërsa vdiq në spital. Të dyshuar për këtë krim, policia arrestoi Armand Hasanin, kunati i Fadil Memës Dritan Shemen, si dhe Gentian Beqirin, i njohur edhe me emrin Ardian Meta. Beqiri, u dënua me 25 vite burg në Gjykatën e Apelit në Durrës, por Gjykata e Lartë riktheu çështjen ndërsa Beqiri u la në arrest shtëpie. Ai u vra me 16 gusht të vitit 2012, ndërsa dy person iu afruan banesës që ruhej me policë dhe iu prezantuan atyre se ishin djemtë e tezes së Gentian Beqirajt. Në të njëjtën ngjarje mbeti i vdekur edhe babai i tij, Nazim Beqiraj.
a.ç