Në pak më shumë se një muaj do të shohim nëse Shqipëria do ta zgjedhë Presidentin e ri, pra do të arrijë Ilir Meta të bëjë betimin më datë 24 korrik apo vendi do të hyjë në një krizë të paralajmëruar. Ajo që shohim tani gjatë fushatës elektorale, po tregon se Meta nuk e ka staturën e një burri shteti. Në më pak se një javë do të marrim vesh nëse lufta e numrave do të prodhojë një qeveri të qëndrueshme apo vendi do të zhytet në kaos dhe krijimi i qeverisë së re nga luftë numrash do të kthehet në pazar mandatesh. Gjithë kjo tollovi që është krijuar në këto zgjedhje, sipas opinionit publik të shprehur me analiza e komente, erdhi për shkak se kjo është fushata elektorale në të cilën partitë politike dhe liderët e tyre dolën lakuriq dhe u shfaqën si karagjozë të luftës për pushtetin dhe egoizmin e tyre dhe jo si vizionarë të Republikës së shkallmuar shqiptare. Është hera e parë që, edhe formalisht, partitë politike në këtë vend nuk e llogaritën elektoratin, nuk ndërtuan programe politike që t’i negocionin me zgjedhësit dhe t’i pyesnin e të konsultoheshin me ta në forma demokratike, në mënyrë që të merrnin prej tyre mandatin për t’i përfaqësuar në pushtetin që do të dalë pas 25 qershorit. Këto zgjedhje dhe kjo fushatë elektorale po na bind përfundimisht se klasa jonë politike është rrëgjuar dhe se arti i politikës në këtë vend ka ndryshuar kahje.
Orientalë me brekushe
Për të kuptuar nivelin e politikës, thellësinë e angazhimit dhe seriozitetin e një fushate, duhet të shohësh programin, mesazhet dhe reklamat politike. Prej programit politik një vëzhgues i jashtëm apo një studiues do të nxjerrë tri ose katër tema kryesore mbi të cilat do të mbështetet programi i qeverisjes së forcave politike që marrin pjesë në një garë elektorale. Këto tema artikulohen nga aktorët në fushatën elektorale dhe zgjedhësit orientohen sipas tyre. Temat e mëdha politike janë vizioni që kanë këta politikanë për të ardhmen e vendit të tyre dhe projektimi i atdheut në të ardhmen. Për shkak se globi tani është një fshat i madh, ne jemi në gjendje të ndjekim garat elektorale që zhvillohen në shtetet me traditë të gjatë demokratike dhe entuziazmohemi me të drejtë nga fushatat e tyre, nga teatri dhe nga spektakli që ato ndërtojnë. Nuk po përmend këtu fushatat që zhvillohen në shtetin kampion të demokracisë, në SHBA, por kam parasysh me këtë rast edhe fushatat që zhvillohen në vende të tjera. Ne, shqiptarët, të etur për të ndjekur me shpirt atë që ndodh jashtë nesh, e njohim më mirë jetën politike të atyre vendeve sesa tonën. Mirëpo ajo që na tërheq vëmendjen qysh në fillim janë temat kryesore mbi të cilat ngrihet debati elektoral në këto vende. E dimë të gjithë se në SHBA fitoi slogani “Make Amerika great again” ose Amerika në qendër. Bota demokratike euratlantike i ndërton betejat elektorale mbi tema të përcaktuara qartë që janë lufta kundër terrorizmit, qëndrimi ndaj emigracionit, qëndrimi ndaj Europës së Bashkuar dhe institucioneve të saj. Këto tema duket se e kanë ndarë botën demokratike në mbështetës të hapjes së dhe në nxitës të mbylljes së kufijve ose thënë ndryshe në frymëzues të një bote të hapur dhe në nxitës të një bote me kufij të mbyllur. Nëse politikën e madhe globale e kanë në dorë vendet që janë më të mëdha se ne dhe që kanë përgjegjësi më të mëdha sesa ne, kjo nuk do të thotë që ne të sillemi si idiotë të lumtur dhe të shfaqemi si karagjozë që e shohin botën me ngjyrat e portokallisë. Vetëm një vend si ky i yni mund të kalojë nga një gjendje groteske në një tjetër. Para takimit Rama-Basha të krijohej përshtypja (mua personalisht jo dhe për këtë kam dëshmi gjithë shkrimet e asaj periudhe) se vendi do të zhytej në kaos social dhe në përplasje civile. Pas kësaj marrëveshjeje duket se në vend nuk ka asnjë problem për të diskutuar. Kush mund të më thotë se çfarë temash diskutojnë politikanët tanë në këtë fushatë dhe si mund të përmblidhen ato? Askush. Të gjithë po bombardohen me mesazhe egocentriste dhe në garë nuk janë programet por politikanët që shfaqen si në një konkurs bukurie të misseve. PS-ja ka hequr dorë nga infrastruktura zgjedhore. Nuk ka zyra elektorale, nuk ka reklama elektorale. Të gjitha ia ka besuar Edi Ramës dhe ai ka gjithë këto kohë që shetit si një artefakt. Po ta shohësh me kujdes, Edi Rama është një baner i lëvizshëm. Pantallona brekushe, këmishë e bardhë me numrin dy, bluzë të PS-së. Nëse për një çast ai nuk do të lëvizte, atë mund ta merrje e ta fusje në një nga vitrinat e rrugëve në Tiranë dhe do të ishte një reklamë perfekte. Temat që ai artikulon janë timoni, prehri, kazani. Gjithë shqiptarët që takon anë e kënd vendit i trajton si juria që zgjedh atë që tregon barcaleta më të bukura. Ankthi i tij më i madh është që juria që dëgjon barcaletat e tij ta rizgjedhë edhe njëherë në krye të vendit sepse herën e parë, për shkak të Ilir Metës nuk arriti që të na gajasë ashtu si duhet, pra nuk arriti të na shkrijë së qeshuri dhe t’i bëjë m… të gjithë majtas e djathtas me batuta e qyfyre nga ato të fushës së druve, pra jo të kazanit.
Trimi i vonuar me shokë pak
Kulmi i banalitetit në këtë fushatë është padyshim Ilir Meta. Që koalicioni i LSI-së me PS-në ishte një koalicion i panatyrshëm dhe i ngritur vetëm mbi interesa klienteliste, këtë nuk e ka dyshuar askush, por që të shpallë Ilir Meta dhe forca e tij politike se ai përfaqëson të ardhmen dhe shpresën në këtë vend, kjo është tragjike. Megjithatë, në këtë vend kemi parë dhe më keq. Por le të mbetemi te mesazhet dhe te profili i politikanëve. Ilir Meta kishte rastin e artë që të tërhiqej dhe të mos bëhej pjesë e kësaj fushate. Ai është President i Republikës, pra është figura më e lartë dhe më e çmuar e një vendi. Për hir të kësaj simbolike që ka kjo figurë, atij i takonte të përmbahej dhe t’ju tregonte shqiptarëve se institucionet e Republikës janë të shenjta. Mirëpo kur sheh Ilir Metën se si shfytyrohet nëpër mitingje, kur dëgjon nga goja e tij të gjitha akuzat që artikulonte Lulëzim Basha në çadër, bindesh se në këtë vend një tufë karagjozësh të përkëdhelur nga fati i mbrapshtë i shqiptarëve sillen sikur ta kenë Shqipërinë arën e babait. Ashtu si Edi Rama që tani po na thotë se e paska mbajtur në prehër Ilir Metën dhe ai nuk e linte të drejtonte timonin edhe Ilir Meta po na tregon se ky shofer është i droguar, kriminel, bandit. Po mirë, po këta katër vjet nga jemi qeverisur?
Në fund është lodhja
Nëse ka një politikan pa asnjë ngjyrë, të lodhur, pa ide, pa asnjë shpresë dhe optimizëm, ky është Lulëzim Basha. Shqiptarët kanë një tipar antropologjik të përbashkët që e shfaqin në momente të caktuara. Në shumicën e rasteve i lënë punët përgjysmë, në raste të tjera i bëjnë punët në minutën e fundit dhe në të gjitha rastet nuk mbajnë mend, harrojnë gjërat themelore. Këtë tip shqiptari po e paraqet Lulëzim Basha me perfeksion në këtë fushatë. Ai bëri mirë që harroi shumë nga ligjërimet absurde që artikulonte në çadër, por mesa duket ai nuk po kujtohet se çfarë përfaqëson. PD-ja sot është një forcë politike që nuk mund ta vendosësh në asnjë krah. Është një hibrid i mbushur me emocionet e pakontrolluara të Lulëzim Bashës dhe kandidatët e tij nuk konkurojnë për të fituar një mandat qeverisës, por për një vend pune.
Më në fund kjo fushatë do të mbahet mend edhe sepse këtë radhë shqiptarët kuptuan se demokracia nuk është një sistem që i mundëson popullit të zgjedhë qeverisjen e tij, por është një konkurs mes burrash që akuzojnë njëri-tjetrin nga mëngjesi në darkë. Shqiptarët nuk janë popull, por një juri spektakli që do të duhet të zgjedhë jo atë që i qeveris, por atë që sfidon kundërshtarin me batuta, akuza sharje dhe mallkime.