Nga Armando Meta/
Kur ka mbetur thuajse një javë nga votimi dhe kur janë profilizuar edhe subjektet që pretendojnë të dalin fituese në këto zgjedhje, është koha për të hedhur edhe një vështrim edhe mbi programet e paraqitura nga tre forcat kryesore politike, PS- PD- LSI, për të joshur zgjedhësit për të votuar për to. Konstatohet se fushata, në pjesën më të madhe, përgjithësisht ka qenë shumë më e qetë se fushatat e mapërshme elektorale, duke përjashtuar disa raste kërcënimesh nga presidenti i zgjedhur, njëkohësisht edhe ish kreu I LSI-së Ilir Meta, për mosdekretim të kryeministrit apo ministrave nëse, sipas tij, cënohen zgjedhjet, si dhe thirrjet për armatosje të popullit. Për këtë ai ka marrë përbazë nja dy ngjarje lokale si një zënie për një vijë uji dhe një konflikt tjetër për motive jo politike, për të rritur tonet e fushatës, ndonëse nuk ka asnjë tagër ligjor dhe kushtetues, si për të mos dekretuar kryeministrin dhe ministrat, si dhe për thirrjet për armatosje. Deklaratat e tij në thelb janë dhunim i Kushtetutës dhe i ligjit. Në një farë mënyre kjo është një sjellje për të nxitur votuesit për të votuar me instikte dhe jo me arsye.
Për tu kthyer te programet ajo që kosntatohet është se programet e tri partive PS- PD- LSI, nuk është se sigurojnë rrugët e duhura për të mbështetur një rritje ekonomike të vlerësueshme. Vihet re se uk ka prioritete të qarta për reforma në arsim, shëndetësi, si dy sektor me rëndësi parësore për zhvillimin e vendit. Gjithësesi në programet elektorale vihet re ka një tendencë për uljen e taksave, specifikisht për tatimin mbi punën dhe kapitalin. Rritja e tatimit mbi punën dhe kapitalin vlerësohet se ka ndikuar negativisht në rritjen e punësimit si dhe lënien në hije të mundësive që ka ekonomia shqiptare për më shumë invetsime private, vendase dhe të huaja. Tendenca është modernizim i taksës së sheshtë, dhe ruajtja e tatimit progresiv, duke reduktuar ndjeshëm barrën fiskale. Gjithësesi qartazi programet elektorale ofrojnë premtime të pajustifikuara me burime financiare, gjë që është me rreziqe nga pikëpamja e stabilitetit financiar. Ndryshe nga zgjedhjet e 2013-ës, ku debati për platformën ekonomike ishte në thelb të garës elektorale, në këto zgjedhje përballja mes palëve sa i përket programeve është në nivel minimal.
Programi elektoral i PS
PS në programin e saj për katër vjecarin e ardhshëm ven theksin te hapja e 220 mijë vendve të reja të punës dhe rritje ekonomike deri 5.5 %. “Ekonomia do të bëhet një markë e konsoliduar “Made in Albania” në shumë sektorë. Produktet bujqësore, cilësore dhe të shtuara në llojshmëri e sasi, do të konsolidohen në tregjet aktuale, do të gjejnë e konkurrojnë në tregje të reja”, thuhet në programin e PS.
Lidhur me borxhin publik, PS parashikon uljen e tij nën 60% të PBB-së. Në program nënvizohet se: “Borxhi i lartë publik është një kërcënim serioz ndaj rritjes ekonomike afatgjatë. Me politikat tona të kujdesshme, ne garantojmë një defiçit buxhetor nën nivelin 2 përqind dhe uljen e borxhit publik nën nivelin 60 përqind. Ne do të garantojmë vazhdimin e financimit të investimeve publike në rreth 5% të PBB-së”.
Përsa i përket vendeve të punës në programin e PS nënvizohet se: “Ne e konsiderojmë punën dhe punësimin si mjetin e parë e të patjetërsueshëm në luftën kundër varfërisë dhe uljen e pabarazisë. Nëpërmjet politikave sociale për barazinë gjinore dhe progameve të riaftësimit dhe punësimit profesional, do të synojmë rritjen e mëtejshme të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës dhe reduktimin e hendekut gjinor në paga”.
Në programin e PS theksohet se do ketë 25% rritje e të ardhurave të disponueshme të populates, si edhe parashikohet një rritje me 68 miliardë lekë të pagave në sektorin publik. Gjithashtu në prorgamin e saj PS parashikohet që paga minimale të shkojë në 30 mijë lekë të reja. “Paketa e solidaritetit për pensionistët 24 miliard lekë; 7- 10 mijë lekë çdo fundvit për çdo pensionist! Ne do të vazhdojmë rritjen vjetore të pensioneve si dhe angazhohemi për dhënien e shpërblimit në fundvit nga 7 deri në 10 mijë lekë për çdo pensionist, duke nisur nga viti i parë i qeverisjes. Paketa e solidaritetit në fund të vitit do të jetë një politikë e përhershme e Qeverisë gjatë mandatit të dytë”, thuhet në program.
Platforma elektorale PD
PD ka shpallur në programin e saj ekonomik taksën e sheshtë 9%, zerim të tatimit mbi dividentet, një shkallë të vetme tatimore prej 15% të TVSH dhe kuotë fikse të tatimit të biznesit të vogël. Sipas demokratëve, një taksim prej 9 % i jep frymëmarrje ekonomisë shqiptare duke synuar rimëkëmbjen e shpejtë të saj. Në programin e saj PD thekson se në kushtet kur papunësia mes të rinjve është në masën 34 %, në katër vite do të mundësohet përgjysmimi i saj, por pa treguar sesi do të arrihet kjo dhe rrugët që do të ndiqen. Në fushën sociale, sipas programit të PD-së, familjet në ndihmë ekonomike do kenë paketën ku përfshihet: buka, energjia elektrike, uji, libra për fëmijët dhe kujdesi shëndetësor. Programi parashikon që 200 kv energji elektrike të paguhen nga shteti. PD ka si objektiv dyfishimin e pagesës për ndihmën ekonomike, rritjen e pagës minimale rreth 32 mijë lekë, si edhe rritjen e pensionit minimal me me 33%. Po ashtua parashikohet që 32 mije leket e para të të ardhurave nga paga, do përjashtohen nga tatimi. Lidhur me energjinë PD propozon në programin e saj uljen me 5 % të TVSH për energjinë, falje të kamatëvonesave, dhënie fund të faturimit afrofe. Sa i përket tatimit, dhe përkatësisht biznesit të vogël, PD bën një ndarje të kuotave fikse sipas fashave të të ardhurave bruto, të barabarta me 0,5% të mesit të fashës: fasha e I: 0-4mln, kuota-10 mijë lekë/vit; fasha e II: 4-8mln, kuota 30 mijë lekë në vit; fasha III: 8-12 mln, kuota 50 mijë lekë në vit
Sa i përket tatimit mbi vlerën e shtuar, PD premton rritjen e kufirit të regjistrimit për TVSH nga 5 mln lekë qarkullim vjetor në 12 mln lekë, si edhe prezantimin e një shkalle të dytë tatimore prej 6% për furnizimet e mëposhtme: energjia elektrike; karburant për nevoja biznesi; bukë, miell, grurë, vaj ushqimor, oriz, sheqer; shërbimet e edukimit publik dhe privat dhe librat e arsimit 9-vjeçar; shërbimet turistike; furnizimet e fermerëve për grumbullues, agropërpunues etj
Lidhur me tatimi mbi të ardhurat, PD propozon shfuqizimin e shkallëve progresive në taksimin e të ardhurave personale, uljen e tatimit korporativ dhe barazimin e të dyjave në nivelin 9%; shfuqizimin e taksimit mbi dividendin dhe fitimin kapital; uljen e tatimit mbi interesat nga 15% në 9% ; uljen e tatimit mbi të gjitha të ardhurat e tjera nga qirate, shpërblimet, etj., në nivelin e 9% si edhe formulë të re për këstet e parapagimit.
Sa i përket pensioneve, PD propozon me programin e saj uljen e kontributit të Sigurimeve Shoqërore në 9% si për punëdhënësin edhe për punëmarrësin. Programi i PD parashikon në këtë sektor që të vetëpunësuarit të kenë 18% të pagës minimale.
Lidhur me gjobat e ndëshkimet parashikohet që dënimet administrative pavarësisht llojit të tatimit do të unifikohen dhe do të jenë: 2% për mospagesë në kohë; 5% për mosdeklarim në kohë; 25% për mosdeklarim të saktë të detyrimeve tatimore; 100% për evazion fiskal dhe fshehje me qëllim të detyrimeve tatimore. Lidhur me sektorin e bujqësisë, platforma e PD-së parashikon një subvencionim të drejtpërdrejtë për fermerët në rreth 1% të GDP-së, si edhe naftë pa akcizë për fermerët që kanë sera dhe që përdorin karburantin për ngrohjen e tyre apo për punimet me mekanike bujqësore.
Platforma elektorale LSI
Platforma e LSI mbështetet në dy shtylla: zhvillimin e turizmit dhe të bujqësisë. Turizmi është ndër premtimet kryesore të LSI-së, ku në bazë është masterplani integral i investimeve në këtë fushë, duke synuar: investime në resorte dhe zona kulturore, promovimin e komplekseve agro-turistike, kualifikimin menaxherial të shërbimeve. Pikë e rëndësishme në këtë çështje është përjashtimi nga taksat dhe tatim fitimi për 5 vjet për sipërmarrjet turistike në zonat rurale dhe në zonat e thella malore. Premtim i rëndësishëm i LSI-së është edhe ai për hapjen e 170 mijë vendeve të reja të punës, nga ku parashikohet që 100 mijë do jenë vende pune vetëm për të rinjtë. Në plan theksohet se premtimi për 170 mijë vende të reja pune është i mirëdetajuar dhe i sigurtë në zbatim.
Lidhur me aspektet fiskale, LSI parashikon të ulë taksat për rreth 90% të bizneseve. “1. Bizneset që kanë një xhiro vjetore deri në 20 milion lekë do të kenë tatim fitimin vetëm 5%, nga 15% që është aktualisht. 2. Bizneset me xhiro vjetore nga 20 milion lekë deri në 100 milion lekë do të kenë tatim fitimin 8%, nga 15% aktualisht. 3. Bizneset me xhiro vjetore mbi 100 milion lekë do të kenë një normë tatim fitimi 10%, nga 15% aktualisht”, thuhet në programin e LSI.
Sa i përket tatimit mbi të ardhurat personale, LSI parashikon që: “ -1. Pagat deri 35.000 lekë në muaj, zero tatim mbi të ardhurat personale; 2- Pagat 35.000 – 200.000 lekë në muaj, tatimi (TAP) 8%, do të llogaritet vetëm mbi shumën 35.000 lekë; 3- Pagat mbi 200.000 lekë do të aplikohet tatimi 10%”. Sipas platformës së LSI-së, TVSH-ja për produktet bazë të shportës të përgjysmohet nga 20% aktualisht në 10%, që do të përkthehet në ulje të çmimeve të këtyre produkteve me rreth 10%. LSI-ja premton rritjen e buxhetit për arsimin dhe shëndetësinë. “1. LSI angazhohet që të 3 – fishojë buxhetin për Bujqësinë nga 0.7% e PBB-së aktualisht, në 2.5% të PBB-së brenda mandatit qeverisës. 2. LSI synon që buxheti për arsimin të rritet në 5% të PBB-së dhe pagat për arsimtarët të rriten me 50% brenda mandatit qeverisës. 3. LSI angazhohet që të dyfishojë buxhetin për shëndetësinë në nivelin e 5% të PBB-së brenda mandatit qeverisës”, thueht në programin e LSI.