Këngëtarja Rovena Dilo, e cila ka në pronësi një bar-kafe në zonën e Bllokut në Tiranë, ka dalë e humbur nga beteja e saj ligjore me deputetin Tom Doshi dhe ish- deputetin demokrat, Ndriçim Babasi.
Gazeta Shqip thekson se Gjykta e Tiranës e ka njohur Doshin dhe Babasin si pronarët e rinj të truallit prej 888 metra katrorë, në një nga zonat më të lakmuara në Shqipëri.
Megjithatë lokali në fjalë do të administrohet sërish nga Dilo, pasi procesi ka qenë vetëm për truallin, ndërsa pritet të ketë të tjerë beteja ligjore mes Dilos dhe politikanëve Doshi dhe Babasi.
Deri më tani dihet që Gjykata e Tiranës dhe prokuroria i kanë dhënë të drejtë Doshit. Ky i fundit ka paraqitur në gjykatë një certifikatë pronësie të datës 11 qershor 2014.
Si është historia?
Doshi dhe Babasi e kanë blerë tokën nga Agron Vreto. Ai është daja i këngëtares Rovena Dilo. Vreto e ka të regjistruar pronën në bazë të një kontrate dhurimi. Në vitin 1995, Naim Vreto ia ka dhuruar këtë truall Agron Vretos.
Por Rovena Dilo dhe mamaja e saj, Silvia, thonë se kontrata është e pavlefshme.
Prokuroria dhe gjykata nuk mendojnë kështu dhe kanë njohur kontratën e shitjes në favor të Doshit dhe Babasit./Mapo/