Ngrihen grupet e punës për ndryshimin e strukturës së policisë. Burime pranë uniformave blu sqarojnë se prej pak kohësh ka nisur puna për strukturën e re të Policisë së Shtetit, e cila pritet që të miratohet shumë shpejt dhe brenda muajit shtator të vihet në zbatim. Të njëjtat burime shtojnë se struktura në vetvete nuk do të pësojë shumë ndryshime, me përjashtime të vogla, me qëllim përmirësimin e punës dhe rritjen e efikasitetit të policisë. Deri tani dihet që grupet e punës, pjesë e të cilëve janë specialistët më të vjetër të policisë dhe profesionistët më të mirë, të cilët janë duke diskutuar ide të ndryshme për funksionimin e strukturës së re të policisë.
STRUKTURA
Për çdo njësi vendore, do të ketë njësi policie. Mbi bazë të këtij parimi është menduar të funksionojë struktura e re e policisë, e cila do të jetë në përshtatje me reformën territoriale. Burime nga grupet e punës që janë ngritur për strukturën e re bëjnë me dije se është menduar që komisariatet aktuale të policisë të vazhdojnë të jenë ekzistentë, vetëm se do të pësojnë ndryshime në mënyrën e funksionimit. Kështu, mësohet se është duke u diskutuar ideja se komisariatet e policisë do të funksionojnë në bazë të numrit të popullsisë që ka çdo njësi vendore.
“Pranë njësive vendore që kanë një numër të madh banorësh, do të jenë komisariatet e nivelit të parë, tek ato njësi ku popullsia do jetë mesatare, komisariatet do quhen të nivelit të dytë dhe në bashkitë e vogla, do të ngrihen komisariatet e nivelit të tretë ose siç do të quhen ndryshe stacione policore”, bëjnë me dije burime pranë grupeve të punës në Policinë e Shtetit.
Ndërkohë, që të njëjtat burime shpjegojnë se komisariatet e nivelit të parë është menduar që të drejtohen nga efektivët që kanë gradën drejtues i parë, komisariatet e nivelit të dytë do të drejtohen nga efektivët me gradën kryekomisar dhe stacionet policore do lejojnë drejtimin edhe nga komisarët. Veç kësaj, grupet e punës janë duke menduar edhe një mënyrë tjetër të funksionimit të sektorëve dhe drejtorive të veçanta të Policisë së Shtetit.
Kështu eshte duke u diskutuar fakti se sektoret e krimit te organizuar nuk do te jene me pjese e drejtorive
te Policise ne qarqe, por eshte menduar qe te funksionojne ndryshe./Gazeta Shqiptare/