Trafikant i drogave të forta në Greqi, një 38 vjeçar shqiptar ishte edhe vrasës në Shqipëri. Bashkë me gjashtë persona të tjerë, ai u vu në pranga nga policia greke në Athinë, në kuadër të një operacioni antidrogë ku u sekuestruan 20 kilogramë heroinë. Shqiptari që akuzohet edhe për vrasje në Shqipëri, është një 38 vjeçar, tha zyrtarisht policia e Greqisë.
Për më tepër, ndaj tij kishte një mandat arresti ndërkombëtar dhe ishte shpallur në kërkim nga Interpol. Policia greke e Atikës refuzoi të konfirmojë identitetin e 38 vjeçarit që u prangos në një banesë në Nea Peramo të kryeqytetit helen. Mes të arrestuarve, veç 38 vjeçarit janë edhe dy shqiptarë të tjerë, 22 dhe 26 vjeç, si dhe dy grekë 27 e 30 vjeç.
Po ashtu u prangosën edhe dy vajza 24 dhe 25 vjeçe. Grupi trafikant përdorte një makinë tip Hyundai ku kishin sajuar pjesë të posaçme për të fshehur drogën e fortë. Kjo makinë dhe dy të tjera u sekuestruan bashkë me 2800 euro dhe 14 celularë. Në total, droga e zbuluar, 20.4 kg heroinë, në tregun e zi kap vlerën e afro 900 mijë eurove. Ne foto shikoni makinen dhe materialet e sekuestruara gjate operacionit policor grek. Policia greke thotë se edhe pesë shqiptarë të tjerë, pjesë e grupit trafikant, janë identifikuar.
Tre prej tyre gjenden në burg për akuza të tjera, kurse dy të tjerët kërkohen. Rrjeti i trafikut përfshin Turqinë, Shqipërië dhe Greqinë. Shitja e heroinës ishte përqendruar në qytetet Selanik, Athinë, Halkidhiki dhe Janinë. /noa.al/