Të martën Kuvendi kaloi vetëm me votat e mazhorancës ligjin e ri për arsimin e lartë, një ligj i kundërshtuar nga shumë pedagogë e studentë, e në ditët e fundit para miratimit të tij edhe nga opozita.
Si ndryshon arsimi i lartë me këtë ligj? Cilat janë objektivat? A garanton ai rritjen e cilësisë? Cila është e vërteta mbi kapitullin 12, ai që është goditur më fort nga kundërshtarët e ligji që thonë se përmes kësaj shteti do të çojë para publike tek institucionet private të arsimit të lartë?
Për këto dhe për të folur për të tjera detaje të ligjit, e ftuar në Top Story-n e kësaj të enjte me gazetarin Sokol Balla, ishte ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.Ministrja tha se kontestimi i fortë ka ardhur edhe për shkak të debatit dhe gjithpërfshirjes së aktorëve në hartimin e ligjit.
“Kontestimi i fortë ka ardhur edhe nga ky debat. Debati mendoj se është edhe thelbi i suksesit që kjo reformë do të arrijë nesër në zbatim, sepse nuk arnon, nuk përmirëson, nuk jep zgjidhje të momentit, por rrënjësore dhe në mënyrë kapilare në sistem, ndaj kishte debat të shëndetshëm. Ligji i ri ngrihet me në thelb një vizion për arsimin e lartë. Është një vizion i ri, si të ndryshojmë mënyrën për të mësuar studentët dhe për të kthyer mbrapsht çdo qindrarkë duke marrë maksimumin e vlerës së tyre dhe kthyer në një kohë të vyer studimet e studentëve. Për herë të parë kishte proces në hartimin e ligjit, kishte debat. Është një vizion për të përmirësuar mënyrën sesi marrin dijen studentët dhe jo më kot kanë qenë mbi 30 forume publike për këtë”, tha Nikolla.
Ministrja shtoi se reforma synon t’u japë përgjigje shteruese të gjitha problematikave që ka sot sistemi. Nikolla rrëzoi akuzat për klientelizëm të ligjit. Ajo tha se përmes kësaj reforme, qeveria tregon edhe përgjegjshmëri karshi studentëve, njësoj siç tregoi me mbylljen e institucioneve që ishin në shkelje flagrante të ligjit dhe sërish sistemoi studentët e këtyre institucioneve të mbyllura.
Çfarë sjell të re kjo reformë?
“Risia e ligjit është dija cilësore që ofron, konkurrenca e ndershme dhe përgjegjësia e re që vjen pas një mënyrë të matshme treguesish performancash dhe sigurisht edhe skema e re e financimit”, tha Nikolla.
Ministrja tha se skema e re e financimit që ofrohet përmes kësaj reforme nuk prek të drejtën e arsimimit për asnjë të ri. Ajo tha se qeveria nuk heq dorë nga angazhimi për të mbështetur institucionet e arsimit, por ndryshon mënyrën se si e bën këtë mbështetje.
“Kuotat e këtij viti nuk kanë pësuar asnjë rritje, nuk ndryshojnë. Në vijim nuk mund të jap një përgjigje sepse është tagër i institucioneve të arsimit të lartë për të përcaktuar kuotat. Reforma ka fuqi që e bën skemën e financimit më të drejtë nga pikëpamja sociale, sepse ka bursa për 3 kategori studentësh, bursa që do të përcaktohen kundrej kritereve që plotëson studenti. Studentët e ekselencës do të përfitojnë bursën, pavarësisht ku studiojnë, në universitet publike apo private. Kjo është pika e re e lidhjes me institucionet private”, tha Nikolla.
“Ligji sjell një standardizim të gjithë sektorit në vlerësimin e cilësisë dhe kriteret të ligjit. Kjo do të bëhet nga Agjencia Shqiptare e Akredimit dhe e Cilësisë që po punon fort me agjencinë britanike që do të realizojnë procesin e akreditimit të gjithë institucioneve tona të arsimit të lartë publik dhe privat, sepse në gjithë këto vite nuk ka pasur akreditim profesional dhe pa folur për kakofoninë e profileve dhe programeve”, shtoi ministrja e Arsimit.
A çon ky ligj para publike për universitetet private?
“Jo e prerë dhe e madhe! Ky ligj nuk çon para publike tek universitet private, përveç fondit të ekselencës dhe që lidhen me kërkimin shkencor, mbi bazën e projekteve që të financohen, që është edhe me ligjin e vjetër. Asnjë qindarkë nuk shkon për universitetet private, përveç rasteve të ekselencës dhe kërkimin shkencor”, deklaroi Nikolla.
Ligji parashikon shndërrimin e institucioneve private në OJF, dhe për këtë, ministrja Nikolla tha se u jepet një periudhë 2-3 vjeçare të gjitha institucioneve, një periudhë e nevojshme për t’u shndërruar.
Qeveria mbylli kuotat e sistemit ‘part time’, që e konsideron një tjetër plagë të arsimit. Nikolla tha se ky sistem ishte shndërruar në një industri.
“Part time ishte kthyer në një industri për të sjellë para më shumë për universitet. Ne bëmë operacionin e parë aty duke mos dhënë kuota, por ligji nuk e mbyll si filozofi procesin e arsimimit me kohë të pjesshme, por duke e kthyer atë në parametra që i ka gjithë bota”, u shpreh ajo.
Akuzat ndaj ligjit lidhen edhe për autonominë, megjithëse reforma u kalon një sërë kompetencash që sot i ka Ministria, në duart e bordeve dhe senateve të institucioneve arsimore. Për këtë, Nikolla tha se si shumica e kundërshtive, edhe këto ishin të pavaza dhe nga persona që as e kishin lexuar ligjin.
“Disa që në fillim kanë pasur një vullnet për ta kundërshtuar këtë refromë. Ka një kategori që pa e lexuar ligjin kanë hobin ta kundërshtojnë. Ka një pjesë që janë refraktarë ndaj ndryshimit, sepse ky ligj është një qasje krejtësisht e re organizimi”, shpjegoi Nikolla.
Ministrja tha se ligji i ri mundëson konkurrencë, cilësi dhe përgjegjësi. Sipas saj, reforma standardizon të gjithë treguesit e matjes së institucioneve të arsimit të lartë, që më pas do të renditen sipas vlerësimit që meritojnë.
Në fund, e pyetur se sa janë mundësitë që reforma të dështojë dhe të mos japë rezultatin që pret sot qeveria, Nikolla u përgjigj: “Zero mundësia për të dështuar sepse ka në qendër studentin dhe pedagogun”.