Ditëlindja nuk e ka shpërqendruar Lulzim Bashën nga fushata elektorale. Ai bashkëbisedoi me qytetarë në njësinë numër 7 në Tiranë për t’i sqaruar planin e tij ekonomik, që ka për qëllim rritjen e punësimit.
“Vendet e punës i krijon një ekonomi me taksa të ulëta, ku çmimi i energjisë dhe i naftës është konkurrues. Këtë do bëjmë ne, do ulim taksat dhe do rrisim konsumin. Vende pune fasadë dhe zyra pune pa punë nuk krijon njeri”, tha Basha.
Në fokus janë të rinjtë, për punësimin e të cilëve plani Basha parashikon praktika të paguara pune njëvjeçare për 10 mijë të sapodiplomuar. Një prej të rinjve shqiptarë tregoi mundësinë e dhënë në Londër për të fituar bursë studenti dhe një punë.
“E gjithë platforma jonë është që ajo që bën ky djalë në Londër ta bëni ju në Shqipëri. Të shkoni në shkollë pa mik, të mbaroni studimet pa pasur nevojë për ndërhyrje dhe pa iu servilosur politikanëve”, nënvizoi Basha.
Biznesi i vogël është një shtyllë kryesore e planit të Bashës për ekonominë. “Si jeni me faturat, taksat dhe inspektorët? Janë rritur apo janë ulur? Janë rritur? E keni në dorë ta ndryshojmë”, u shpreh Basha.
Pensionistët janë një tjetër fokus i Bashës. “Jo brenda vitit, por brenda 4 viteve ne e kapim shifrën 25 mijë lekë të reja në muaj pension minimal për fshatin dhe qytetin. Por që të bëhet kjo duhet të rritet edhe ekonomia, që përmirëson gjendjen e buxhetit”, tha Basha.
Por qytetarët kërkojnë t’i jepet fund edhe korrupsionit. “Po nuk luftuam faturën e rryshfetit nuk kemi për t’ia arritur kurrë. Faleminderit për besimin, nuk do t’ju zhgënjej”, u ka thënë Basha banorëve.
ma.me