Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar për rezultatin paraprak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 11 qershor në Kosovë.
Në raportin e kësaj agjencie, thuhet se befasia më e madhe e këtyre zgjedhjeve ishte rezultati i Lëvizjes Vetëvendosje.
Koalicioni i kryesuar nga Partia qeverisëse e qendrës së djathtë, ajo Demokratike e Kosovës (PDK) doli e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës në Kosovë, por asaj do t’i duhet të gjejë një partner koalicioni për të formuar një qeveri të qëndrueshme.
Me 70 për qind të votave të numëruara, koalicioni i kryesuar nga PDK kishte 34.3 për qind të votave, Vetëvendosje (VV) 26.3 për qind, dhe koalicioni i udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), 25.8 për qind, shkruan Reuters duke cituar rezultatet e DnV-së.
Rreth 1.9 milion kosovarë, gati gjysmë milioni i të cilëve jetojnë jashtë vendit, janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e treta që kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në zgjedhje kanë marrë pjesë rreth 41.5 për qind, më e ulëta që nga viti 2008, me shumë kosovarë të frustruar mbi mungesën e përparimit ekonomik dhe një nivel të thellë të korrupsionit. Në vitin 2010 dhe 2014 pjesëmarrja ishte 48 dhe 43 për qind.
Surpriza më e madhe ishte partia Vetëvendosje e opozitës, e cila pothuajse ka dale partia e dytë, shkruan Reuters, transmeton KosovaPress.
“Vetëvendosja ka fituar këtë numër votash për shkak se ata duan që të ndëshkojnë partitë qeverisëse”, tha Ismet Kryeziu, kreu i Demokracisë në Veprim.
Qeveria e re do të duhet të merret me papunësinë dhe për të përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët e Kosovës, sidomos me Serbinë, një parakusht për të dy vendet për të ecur përpara në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian./a.ç