Mikel Shallari, i arrestuar një ditë më parë si autor i dyshuar për vrasjen e ish-kryekomisarit, Artan Cuku, ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, por me kushtin që t’i sigurohet familja.
Burime për Report Tv saktësuan se Shallari është treguar i gatshëm të nxjerrë emrat e porositësve të vrasjes së kryer nga vetë ai mbrëmjen e 8 prillit në Tiranë.
24-vjeçari kërkon garanci për familjen si dërgimi në një vend jashtë Shqipërisë dhe ndërrimi i identiteteve, për t’iu shmangur një hakmarrje të mundshme nga urdhëruesit e atentatit që i mori jetën ish-drejtorit të policisë së Vlorës.
Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzë për Mikel Shallarit për “vrasje me paramendim për gjakmarrje të kryer në bashkëpunim”./a.ç