Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Ledian Memushaj insiston se nuk është i rëndësishëm goli i tij, sa fitorja e Shqipërisë ndaj Izraelit
Ledian Memushaj ka shënuar golin e tij të parë me fanellën e Kombëtares shqiptare të futbollit, duke ndihmuar kuqezinjtë të kthehen në vendin e tretë në grupin e eliminatoreve të Botërorit.
Sipas tij, kjo ishte pjesa më e rëndësishme e takimit të sotëm, duke mos I dhënë rëndësi faktit që kishte gjetur vetë rrugën e rrjetës.
Për atmosferën pas fitores
“Gjëja më e rëndësishme ishte të ktheheshim te fitorja dhe të gjenim grupin që kemi qenë. Sot e treguam që jemi ata që kemi qenë më parë”.
Nëse është fitorja e trajnerit apo ekipit
“Besoj se kur fiton një ekip, nuk fiton vetëm trajneri, lojtarët apo presidenti. Kur fiton, fitojnë të gjithë, trajneri, magazinieri, fizioterapisti, të gjithë. Askush nuk e fiton i vetëm”.
Për golin e shënuar
“Është kënaqësi, kënaqësi e madhe se e dëshiroja shumë golin. Por më shumë isha i kënaqur për fitoren. Nuk është i rëndësishëm goli, nuk jetoj për të, jetoj për ekipin”.
Për “zënkën” në fushë me Sadikun
“S’ka nevojë të sqarohemi, janë gjëra që ndodhin në fushë, bëri mirë që u inatos me mua. Atij desha t’ia jepja po e kapi kundërshtari. Ka raste që kam dhënë pasime të mira, ka raste që jo. Sot e rëndësishme ishte të fitonim, kush i bën golat nuk ka rëndësi”.
Për të ardhmen
“Tani gjëja më e rëndësishme është të arrijmë të tretët”. (b.an)