Skuadra e Volfsburgut ka bërë sot lajmërimin më të çuditshëm të viteve të fundit sa i përket rinovimit të një futbollistit. Duke lajmëruar në rrjetet sociale rinovimin për një vit të kontratës me Mario Gomez i cili deri pak javë më parë mendohej se mund të largohej, klubi gjerman ka përdorur një status shumë të çuditshme.
Gjatë ndeshjes play-off për mbijetesën në Bundesligë, kundër Eintraht Braunshvajg, tifozët kundërshtarë filluan koret “Mario Gomez është një bir k…”. Volfsburg, pasi siguroi mbijetesën dhe rinovimin e sulmuesit, dha sot përgjigjen e tij.
“Duke cituar ish-presidentin e SHBA, Frenklin D. Ruzvelt: Ai mund të jetë një bir k…, por ai bir i k… është i yni”, shkruhej në statusin e klubit për këtë ngjarje.
Gomez nuk është fyer aspak nga kjo deklaratë, pasi në mbyllje të ndeshjes me Eintraht, bashkë me shokët e skuadrës, ai filloi të këndonte edhe vetë korin “Mario Gomez është një bir k…”.
a.ç