Mes debateve në Kuvend ku po diskutohej marrëveshja me qeverinë amerikane për kontrollin e lëndëve narkotike dhe zbatimin e ligjit, nuk ka munguar as edhe një batutë e deputetit Pandeli Majko në drejtim të ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri.
Majko nënvizoi se partneri ynë SHBA, por dhe BE janë në krah të Shqipërisë e të qeverisë shqiptare në një mision mjaft të rëndësishëm siç është lufta kundër krimit dhe kontrollit të narkotikëve. Ai i kërkoi kolegëve të opozitës që të jenë seriozë kur parlamenti diskuton një marrëveshje kaq të rëndësishme.
“Duhet të jemi seriozë kur diskutojmë marrëveshje të tilla, e cila në thelb është një marrëveshje standarde mes dy vendeve dhe që dëshmon se partneri ynë më i rëndësishëm strategjik, SHBA, do të na jetë në krah në luftën kundër krimit”, tha Majko.
Gazeta DITA shkruan se madje Majko i kërkoi opozitës të jetë e matur në këtë moment kur etiketohet Shqipëria si “Kolumbi” dhe thumboi ministrin Tahiri se shkel ligjin për duhanin.
“Edhe unë mund të kem vërejtjet e mia për ministrin e Brendshëm, i cili vazhdon të jetë shkelës permanent, zoti Paloka për ligjin e duhanit”, tha Majko.