Nga Linda Karadaku
“Eshtë pasionante, interesante për mua që gjërat që mësova në një qytezë të vogël, në një shtëpi shumë modeste, janë pikërisht gjërat që unë besoj se kanë fituar zgjedhjet,” ka thënë Margaret Thatcher.
Besoj që ky është thelbi i një fushate zgjedhore, pavarësisht se kush garon në të. Ato që udhëheqësit politikë, në vecanti ata pak që janë në krye të partive respective, kuptojnë dhe mësojnë në “shtëpitë modeste” të shqiptarëve janë ato që të parashikojnë edhe rezultatin zgjedhor.
Pavarësisht nga programet, të mira, të këqija, apo të sajuara, pavarësisht nga ato që thuhen, nënkuptohen apo kuptohen, pavarësisht nga kilometrat e bëra në fushatë, në fund të fundit, janë pak fjalë të mencura nga qytetarë të thjeshtë të këtij vendi, që të bëjnë të kuptosh ku po shkojmë.
Aq më tepër kur këtë herë, terreni electoral ka ndryshuar, ashtu sic ka ndryshuar papritur, me shpejtësi rrufeje edhe mënyra e të bërit fushatë, duke kaluar nga fushata të ashpra me sulme dhe kundër-sulme personale dhe kolektive në shkëmbim batutash dhe dërgim sinjalesh në distancë për dashuri ose urrejtje.
Gjithsesi, duke patur parasysh se partitë kanë dalë në zgjedhje secila më vete, sfida kryesore për cilëndo prej tyre, kryesore apo periferike, është ruajtja dhe shtimi i votuesve tradicionalë, të votuesve që u kanë besuar para 4 vjetësh apo para 27 vjetësh. Lëvizjet në këtë elektorat do të jenë factor përcaktues për fituesin e zgjedhjeve sepse numri i votuesve të paktën në 4 vitet e fundit ndryshon pak a shumë vetëm me votuesit e rinj, që gjithsesi vijnë nga familje që bëjnë pjesë në një elektorat të caktuar. Ndryshimet nga “baba tek i biri” ose nga “nëna tek e bija”, në kuptimin që të votojnë parti të ndryshme janë të natyrshme, por jo përcaktuese dhe jo normë në sjelljen elektorale.
Nuk janë rregulli, por përjashtim nga rregulli. Ndryshimet në elektoratet tradicionale janë të pashmangshme, përndryshe nuk do të kishte as demokraci dhe as zhvillim shoqëror. Por kalimi nga ndryshime të menaxhueshme dhe jo plotësisht përcaktuese, në ndryshime radikale të këtyre elektorateve tradicionale, ka të bëjë me politikën e lidershipit respektiv.
Një lider i kthjellët, vizionar, me synime të qarta, i afërt dhe komunikativ me njerëzit, arrin të mbajë të bashkuar një elektorat, ashtu si do arrinte në një pozicion tjetër të mbajë të bashkuar një komb, madje, ta shtojë këtë elektorat tradicional me qytetarë, votues, që ikin nga partitë e tjera sepse kërkojnë këtë lloj lidershipi për partinë dhe për vendin. Për më tepër, lidershipi ka të bëjë me impaktin për të dhënë rezultate në drejtimin e vendit, ndikimin në përhapjen e vizionit dhe pasionit për ndryshimin e vendit për mirë si dhe frymëzimin për një ushtri të tërë njerëzish partie që kanë nevojë për mobilizim dhe kauzë.
Kjo bëhet edhe më e rëndësishme në nje shoqëri tradicionale si kjo e jona ku gjithkush e njeh gjithkënd dhe po ti hysh thellë, dalim me njëri-tjetrin ose kushërinj ose krushqi. Linjat e brendshme familjare dhe fisnore të komunikimit të kësaj shoqërie janë shumë më të forta sesa linjat publike, politike, vertikale të piramidës që vijnë nga individi me pushtet në majë deri tek njerëzit poshtë.
Në këtë kuptim, kjo fushatë është më shumë se interesante. Është e qetë dhe pa përplasje të mëdha në sipërfaqe, me përjashtim të shigjetimit të LSI-së nga lidershipi aktual i PS dhe PD, për të njëjtin motiv, elektoratin tradicional dhe shqetësimin për prekjen apo rrudhjen e tij. Gjithsesi, ndryshimet në elektoratet tradicionale janë të pandalshme dhe të pashmangshme, ajo që mund të bëhet në këto raste, është thjeshtë “damage control”, “kontroll dëmi”, pa pasur nevojë për të shpallur “luftëra” të padobishme dhe që nuk prodhojnë rezultate.
Këto zgjedhje janë po kështu shumë interesante në lidhje me produktin që do të japin dhe konstelacionin pas-zgjedhor në kuptimin e formimit të qeverisë dhe institucioneve të ardhshme. Ndryshimet e pritshme në skenën politike, dhe vecanërisht në renditjen e partive, kërkojnë shumë më tepër vetëpërmbajtje dhe kujdes edhe në fjalorin politik. “Don’t burn the bridges”, është një shprehje anglisht, që do të thotë, mos i digj urat, se ndoshta do të duhet të kalosh prapë mbi to!