Niveli i huave me probleme ra në muajin maj 2015, sipas raportit statistikor të Bankës së Shqipërisë. Kreditë e këqija shënuan shifrën 21.9% të totalit, duke stabilizuar trendin rënës që ka filluar qysh në fillim të vitit, por me ritme më të ngadalta. Krahasuar me muajin prill, diferenca është 0.5%, ndërsa në bazë vjetore zbritja është 2%.
Në maj 2014, niveli i kredive të këqija ishte 23.9%, ndërsa në fund të vitit arriti në 24.1%. Mesatarja e rajonit për kreditë e këqija është 16.6%. Vende që e kanë këtë tregues më të ulët se mesatarja janë Kosova me 8.2%, Maqedonia me 11.3%, Bosnja dhe Hercegovina 15.5%. Nivelin më të lartë të kredive me probleme në Europë e kanë vendet që u goditën të parat nga kriza financiare, si Greqia dhe Qipro, që e kanë mbi 30% këtë pjesë. /ATSH/