Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, deklaroi të enjten në Kuvend se lufta kundër krimit të organizuar është një çështje që ka të bëjë me të ardhmen e vendit.
Duke marrë fjalën ndërsa diskutohet marrëveshja me qeverinë amerikane për kontrollin e lëndëve narkotike dhe zbatimin e ligjit, Majko nënvizoi se partneri ynë SHBA, por dhe BE janë në krah të Shqipërisë e të qeverisë shqiptare në një mision mjaft të rëndësishëm siç është lufta kundër krimit dhe kontrollit të narkotikëve.
Ai i kërkoi kolegëve të opozitës që të jenë seriozë kur parlamenti diskuton një marrëveshje kaq të rëndësishme. “Duhet të jemi seriozë kur diskutojmë marrëveshje të tilla, e cila në thelb është një marrëveshje standarde mes dy vendeve dhe që dëshmon se partneri ynë më i rëndësishëm strategjik, SHBA, do të na jetë në krah në luftën kundër krimit”, tha Majko ish-kryeministër.
Nisur nga përmbajtja e projektit, që i shërben forcimit të sektorit të drejtësisë penale shqiptare dhe kapacitetit të saj për të hetuar, ndjekur penalisht dhe gjykuar krimin, deputeti socialist tha se ne sot kemi gjyqtarë apo prokurorë të cilët për të njëjtat krime japin vendime të ndryshme apo për trafikantë kanë dhënë vendime duke i nxjerrë nga burgjet dhe duke i dhënë dënime mininale.
“Ne këtu në parlament mund të miratojmë ligje të mira, por kur ato bien në duar të këqija ligjit humbet. Nuk mund të them sot se Shqipëria ka një sistem të dobë ligjor, por sistemi i drejtësisë pa diskutim duhet të presë dhe të jetë i gatshëm për një reformë thelbësore dhe cilësore”, nënvizoi deputeti Majko në fjalën e mbajtur sot në Kuvend.ija,