Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë në konstituimin e Bashkisë së re të Skraparit pas fitores së kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Europiane, z. Nesim Spahiu në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. I pranishëm në këtë aktivitet që shënoi edhe mbledhjen e parë të këshillit bashkiak ishte edhe Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço si edhe Prefekti i Qarkut të Beratit, z. Çlirim Brisku.
Gjatë kësaj mbledhje të parë të këshillit bashkiak, kryetari i ri i Bashkisë së Skraparit, z. Nesim Spahiu bëri betimin e tij ashtu si edhe anëtarët rinj të këshillit. Vlen për t’u theksuar se z. Spahiu ishte njëkohësisht kandidati më i votuar në zgjedhjet e fundit vendore, duke u shpallur fitues me 86,34% të votave. Ndërkohë që kryetari i ri i këshillit bashkiak u zgjodh me konsensus, Luan Çuedari, i propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Nënkryetare e këshillit bashkiak u zgjodh gjithashtu me konsensus pas votimit, Flora Çela, e propozuar nga Partia Socialiste.
Duke marrë fjalën gjatë mbledhjes, z. Meta tha se bashkia e re, pas reformës territoriale ka mundësi të reja për progres ekonomik dhe social, duke premtuar se Skrapari do të kthehet në një qendër turizmi dhe agroturizmi.
“Nuk mund të mungoja në këtë ceremoni të betimit të këshilltarëve dhe të kryetarit të ri të bashkisë së re të Skraparit, në këtë konstituim shumë të rëndësishëm të një bashkie të re, shumë më e madhe se ajo e para, si një bazë e shkëlqyer për të shtuar mundësitë për progresin social dhe ekonomik të gjithë banorëve të kësaj zone përmes një implementimi të suksesshëm të reformës administrative-territoriale dhe unë besoj shumë tek fryma juaj e bashkëpunimit këtu. Besoj shumë edhe tek vullneti i kryetari të ri të Bashkisë Skrapar për të punuar ngushtë me këshillin e ri dhe me të gjithë anëtarët e tij në mënyrë që Bashkia e re e Skraparit të jetë një ndër modelet më të suksesshme në të gjithë vendin për të arritur atë objektiv kryesor që kishte dhe që ka reforma administrative-territoriale për ne, por sidomos për të gjithë komunitetin që është garantimi i shërbimeve të reja të një niveli të lartë dhe në mënyrë të veçantë, mundësitë në rritje për punësimin e të rinjve e të rejave në këto zona dhe gjithë banorëve të tjerë në mënyrë që gjithnjë e më shumë, fëmijët tuaj ta shohin të ardhmen në mundësitë jo të pakta që gjithnjë e më shumë Skrapari ofron për të ardhmen e tij”, tha Kryetari i Kuvendit.
Më tej, z. Meta u kërkoi anëtarëve të këshillit që të punojnë bashkë për projektet e nisura dhe ka kthejnë Bashkinë e Skraparit në një shembull dhe në një vend që ofron të ardhme.
“Ndaj unë besoj se duke punuar të gjithë së bashku, duke vazhduar në rrugën e përfundimit të shumë projekteve të nisura dhe duke ecur në rrugën e hartimit dhe realizimit të shumë projekteve të reja, ne do të bëjmë të mundur që në fund të katër viteve, Bashkia e Skraparit të jetë vërtet një shembull në të gjithë vendin se si, edhe një bashki e cila është larg qendrave kryesore të zhvillimit urban të vendit, ofron të ardhme, ofron mundësi, ofron besim dhe mbi të gjitha padyshim që ofron një model të bashkëpunimit dhe të bashkëjetesës midis të gjithë banorëve të saj, midis të gjithë forcave politike dhe unë besoj se kjo është shumë e rëndësishme sidomos kur bëhet fjala për të zgjidhur problemet e komunitetit”, theksoi z. Meta.
Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit shprehu bindjen se me mbështetjen e pushtet vendor, ky komunitet do të ketë një progres të shkëlqyer, për ta kthyer Skraparin në një qendër të rëndësishme zhvillimi.
“Jam i bindur që edhe kryetari i Bashkisë së Skraparit, z. Nesim Spahiu dhe të gjithë ju së bashku do të arrini të mishëroni atë çka nënkuptojnë vetë zgjedhjet vendore, përkushtimin pa dallime politike, pa dallime partiake për t’u shërbyer qytetarëve njësoj dhe për të zgjidhur problemet e përditshme dhe të vazhdueshme të cilët ata ndeshen. Në këtë mënyrë unë jam i bindur që ky komunitet do të ketë një progres të shkëlqyer dhen e padyshim që do të jemi dëshmitar në muajt që vijnë, por edhe në vitet që vijnë se Skrapari nga një vend shumë kohë më parë, deri diku i braktisur, do të kthehet në një qendër të rëndësishme, jo vetëm të zhvillimit të tij, por edhe të zhvillimit të turizmit, të agro-turizmit në të gjithë këtë pjesë të vendit dhe do të bëhet gjithë edhe më i vizituar, më i kërkuar për turistët vendas dhe për turitët e huaj”, theksoi z. Meta duke shtuar në mbyllje se Skrapari ofron mundësi të shkëlqyera dhe ka shumë resurse të pashfrytëzuara të cilat me projekte konkrete do të vihen në lëvizje për të hapur vende të reja pune.
“Ne të gjithë jemi dëshmitar të rritjes të interesit për Skraparit, jo vetëm për kanionet, por edhe për të gjithë mundësitë e tjera të shkëlqyera që ai ofron, por njëkohësisht jemi të ndërgjegjshëm se ende kemi shumë burime vendore, shumë resurse të pashfrytëzuara, të cilat me projekte konkrete ne do të arrijmë t’i vëmë në lëvizje duke hapur vende të reja pune dhe duke çelur perspektiva të reja për të gjithë banorët e zonës. Ndaj ju uroj suksese të gjithë këshilltarëve dhe këshilltareve në këtë detyrë kaq të rëndësishme. I uroj shumë suksese kryetari të ri të Bashkisë së Skraparit, z. Nesim Spahiu dhe besoj që bashkëpunimi i juaj që jam i bindur që do të jetë i shkëlqyer, do të sjellë një progres mjaft të prekshëm dhe pozitiv për të gjithë banorët e Skraparit”, – deklaroi gjatë mbledhjes Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta.
Kryetari i ri i Bashkisë së Skraparit, z. Nesim Spahiu tha se me ndarjen e re administrative kjo njësi vendore merr përgjegjësi të mëdha dhe se duhet bërë më shumë për komunitetin, duke u ofruar zgjidhje për çdo problem që të ketë.
“Natyrisht në kuadrin e reformës territoriale, unë si kryetar bashkie dhe ju si këshilltarë na lind një përgjegjësi e madhe, sepse votën e lexoj jo vetëm si vlerësim, por e lexoj edhe si përgjegjësi për të bërë më shumë për komunitetin. Ne vijmë pas një fushate elektorale, vijmë këtu pasi kemi vizituar tërë krahinën e Skraparit dhe pothuajse i dimë të gjithë hallet dhe shqetësimet. Pavarësisht këtyre, unë duke u mbështetur në angazhimin, në përgjegjësinë, në komunikimin, në bashkëpunimin që do të kemi së bashku, do të bëjmë më të mirë për këtë komuniteti. Por me këtë rast falënderoj të gjithë ata që na votuan, por edhe ata që nuk na votuan, dhe të jenë të bindur se gjatë gjithë kohës do të jemi në shërbimin e tyre”, – deklaroi gjatë mbledhjes z. Nesim Spahiu.