Partia Demokratike paralajmëon kundërshtimin deri në Gjykatën Kushtetuese të ligjit për arsimin e lartë, të miratuar ditën e martë nga mazhoranca. Ishte Kryetari i selisë blu Lulzim Basha i cili në një prononcim për mediat tha se PD-ja do të jetë në krah të studentëve dhe pedagogëve për të mos lejuar këtë ligj që sipas tij shkatërron autonominë e universiteteve.
“Ne do të marrim një aksion të gjerë informimi dhe ndërgjegjësimi të çdokujt, sesi hidhen në kosh të plehrave përpjekjet e mijëra gjimnazistëve? Si goditen të zotët, të aftët? Si stimulohen të paaftët? Çfarë do të thotë kjo për studentët? Një fushatë ndërgjegjësuese që nis sot e do të vazhdojë. Së dyti Partia Demokratike do të ndërmarrë një aksion masiv institucional, që nga Presidenti e deri tek Gjykata Kushtetuese, ku opozita do të jetë në krah të studentëve dhe pedagogëve që kanë të drejtë”, tha Basha.
Sipas Bashës, ky ligj u shërben interesave të një pakice njerëzish. Madje, Basha ironizoi duke thënë se ligji i arsimit të lartë është votuar nga deputetë pa diplomë, me diploma të rreme dhe me rekorde kriminale.
“Me vendimin e djeshëm është hapur një betejë e madhe me njërën anë qeverinë dhe pakicën klienteliste korruptive, interesat e të cilës u shpërblyen dje, dhe nga ana tjetër të gjithë shqiptarët, që nga fëmijët e deri tek prindërit e gjyshërit. Me këtë vendim, Rama-Meta kërkojnë të përdorin si marioneta pedagogët, në shtesa të pushtetit në vend të zërit të pavarur dhe të përvojës akademike shkencore që janë dhe duhet të jenë”, deklaroi Basha.