Kjo është historia tronditëse e 14-vjeçares Maria Sholla e cila jetonte në mjerim në Ardenicë të Lushnjës.
Prej 6 muajsh madje në shtëpi nuk kishte drita, ndërsa dy vëllezërit e sa jetojnë në Manastirin e Shënavlashit, pasi familja nuk i ushqen dot.
Për këtë arsye, bashkë me dy prindërit e saj, ajo ishte nisur disa ditë më parë në mënyrë ilegale për në Greqi.
Meqë nuk kishin para për të nxjerrë pasaporta, ata janë nisur më këmbë dhe kanë bërë tre ditë rrugë. Por, udhëtimi nuk ka shkuar siç e kishin menduar, por me fund tragjik për Marian, e cila është mbytur në lum.
Edhe pse e varfër, Maria kishte ëndrra, një prej tyre ishte të bëhej poete. Ndërsa ëndrra tjetër ishte të shkonte në Gjermani.
Këto janë zbuluar nga një bllok shënimesh që ajo mbante me vete.
“Zoti dashtë të më plotësohet dëshira për shkollë dhe për në Gjermani”, shkruante ajo në bllokun e saj, në formë lutje.
Mamaja e saj ka treguar momentin tragjik të mbytjes së vajzës.
“Ishte një lumë aty dhe vendosëm që të laheshim sepse kishim tri ditë që vetëm ecnim në gjithë atë vapë. Burri më tha se do të lahej dhe më kërkoi të largoja vajzën. I thashë që vajzën nuk e largoja dot se kisha frikë ta lija vetëm. Unë shkova me vajzën që të laheshim diku ku ishte cekët, sepse nuk dinim not. Vajza ishte e lumtur se nuk ishte larë kurrë, nuk kishte bërë asnjëherë plazh. Nuk po e dëgjoja më, sepse kur ika ajo po këndonte dhe e dëgjoja që nga larg. Fillova ta thërrisja, por pashë që vajza kishte rënë në një gropë në lumë dhe e gjeta përmbys me krahët e hapur. Vajza ishte mbytur dhe e kishte nxjerrë uji sipër”, ka thënë ajo për Panorama.