Kuvendi është mbledhur në një seancë të posaçme për të shqyrtuar e votuar Pr.Ligjin e Arsimit të Lartë.
E para që e mori fjalën ishte ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla. Në fjalën e saj ajo theksoi se ky është një projektligj jo perfekt, por më i miri për arsimin, ndaj dhe Nikolla i ftoi të gjithë deputetët ta votonin këtë projekt ligj.
Ajo u ndal edhe te protesta që po zhvillohet nga disa pedagogë e studentë jashtë dyerve të kuvendit duke thënë: “Nuk mund të na ndalë një grup i vogël që përpiqen të shantazhojnë Kuvendin se nëse kalon ky projektligj sot, atëherë është fundi i arsimit të lartë. Të nderuar profesorë dhe pedagogë, më keq se ç’ka qenë dhe ç’e keni bërë nuk do të bëhet më”, deklaroi Nikolla.
Më tej Nikolla ka pasur një replikë me demokraten Jorida Tabaku e cila hodhi disa akuza ku ndër të tjera tha se ky është një ligj klientelist.
Nikolla tha se Tabaku gënjen fund e krye dhe se ky është një projektligj i përgatitur nga njohësit e mirë të fushës. Nikolla shtoi se opozita nuk e ka lexuar fare këtë projektligj.