Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar gjatë katërmujorit të parë të këtij viti llogariten 41,9 miliard lekë nga 40.4 miliard lekë që u mblodhën 4 mujorin e parë të vitit 2016.
Sipas raportit mbi treguesit fiskal të 4-mujorit të ardhurat nga TVSH-ja e arkëtuar janë realizuar në vlerën 45.7 miliard lekë, ose 2.6 miliard lekë më shumë se 4 mujori i vitit 2016.
TVSH-ja e rimbursuar gjatë katërmujorit të parë të vitit, sipas të dhënave, llogaritet 2.6 miliard lekë.
Faktor pozitiv që ka ndikuar në këtë rezultat ka qenë rritja e prodhimit vendas të energjisë elektrike dhe karburantit ndërkohë që krahasuar me 3 mujorin 2016, rimbursimi i TVSH është rritur 14%.
Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në buxhetin e vitit 2017 llogariten 141.2 miliard lekë me një rritje prej 3.3 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2016. Në vitin 2016 qeveria mblodhi 131.960 nga 137,916 milionë lekë që planifikonte.
Sipas ministrisë së Financave, burimi kryesor i të ardhurave shtesë nga TVSH-ja gjatë vitit 2017, do të jetë nga importet, si rezultat i rritjes së çmimit në bursat ndërkombëtare të karburanteve. Po ashtu, ndikim pozitiv pritet të japë edhe lufta ndaj informalitetit./a.m.