Një ditë pasi partitë kanë përafruar qëndrimet për programin qeveritarë, kryeministri Zoran Zaev në Tetovë ka takuar kreun e LR PDSH-së, Zijadin Sela dhe atë të BDI-së, Ali Ahmeti.
Zaev pas takimeve theksoi se me liderët e partive shqiptare bisedimet janë në fazën e ndarjes së resorëve. Megjithatë sipas tij, është shumë e rëndësishme kualiteti i emrave që do të drejtojnë. “Në përgjithësi kemi thënë se deri ku ka gatishmëri rreth resorëve. Por e gjithë kjo mund të bijë në ujë në rast se nuk kemi kuadro kualitativë. Kualiteti është para së gjithash dhe unë jam i lumtur që të gjithë partnerët potencialë në shumicën e re parlamentare dhe qeveritare, i japin përparësi kualitetit të kuadrove. Kjo është pjesa më e rëndësishme”, deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së, raporton Alsat-M.
Zaev shtoi se qëllimi tij si mandatar, është që në kabinetin qeveritar të përfshi të gjitha partitë që siguruan nënshkrimet për marrjen e mandatit.
“Ne bisedojmë me të gjithë dhe qëllimi jonë është që të gjithë 67, të cilat i kanë dhënë partitë të jenë pjesë e qeverisë së re. Shanset janë të hapura për të gjitha partitë dhe besoj se edhe shanset e tyre drejt nesh janë të hapura. Qëllimi im është ashtu siç thashë, të gjitha partitë nënshkruese të jenë pjesë e qeverisë”, shtoi Zoran Zaev.
Zaev theksoi se në mesin e kushteve të cilat partitë shqiptare i kanë përcaktuar dhe që janë të pranueshme edhe për atë si mandatarë është integrimi në NATO dhe BE, sundimi i të drejtës dhe shtetit ligjor, zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, vendime konsensuale, përgjegjësia e qeverisë etj.
Zaev do të takojë edhe kreun e Lëvizjes Besa, për të marrë qëndrimin e kësaj partie lidhur me pjesëmarrjen apo jo në qeverinë e ardhshme, përgatiti Koha. (b.an)