Nga Ben Andoni
Nëse Shqipëria pas marrëveshjes Rama-Basha të 18 Majit do krijonte mundësi të një zhvillimi ndryshe ekonomik dhe në këtë vazhdë do ngjallte edhe besim atëherë në tunelin ku gjenden shqiptarët do kishte pakëz dritë.
Prej pak ditësh ka realisht një lloj optimizmi prej fundit të protestës së PD-së organizuar në një çadër mu në bulevardin qendror të kryeqytetit. Porse e gjitha nuk është se liron atë gjendje ankthi që ka masa e madhe e popullsisë. Pasojat? Shqiptarët në masë janë duke u larguar nga vendi. Rënia e lindshmërisë është në nivele të frikshme, duke e kthyer vendin në problemet demografike që përballej pas luftës. Investimet e huaja mungojnë krejt.
Megjithatë, pjesa më e madhe e artikullshkruesve po nënvizon e kënaqur arritjen e paqes dhe mundohet të gjejë pozitivitete dhe largpamësi herë te njeri dhe herë te tjetri përfaqësues i politikës.
Duke lënë mënjanë Vetting-un, votimi i të cilit në orët e vona të ditës së hënë pritet të ndryshojë shumë gjëra, për fat të keq në interpretimet e specialistëve të drejtësisë shikohet që shumë nga temat e nxehta të Shqipërisë Drejtësia nuk do t’i prekë. Që do të thotë se gjërat që lidhen me shqyrtimet për Gërdecin, 21 Janarin, për shumë histori të errëta do mbeten të groposura.
Kjo është e dukshmja se ajo pjesa e padukshme që e mban në letargji Shqipërinë është bajagi e madhe. Dhe e gjithë logjika të çon te ekonomia. A po mund të aplikojë vallë ndonjë model ekonomia shqiptare?
Si mundet të zhvillohet vendi kur ekonomia jonë, megjithë rritjet që i atribuohen nga politika, punon nën kapacitetet e duhura, me borxhin e frikshëm publik që qëndron tejet mbi fuqinë ripaguese të ekonomisë sonë të dobët!
Më shumë akoma: pse nuk vinë në Shqipëri “Brand names” (kompanitë e mëdha), me këtë përparim që ka arritur vendi, sipas politikanëve. Një përgjigje e kemi të gjithë: Sepse njerëzit që bënë paktin nuk ditën kurrë që të krijonin klimën e përshtatshme të biznesit në vend, ndërsa korrupsioni i lartë i klasës politike drejtuese ka gjithnjë emër dhe mbiemër dhe të gjithë janë të padënuar, mu prej mungesës së vullnetit të tyre. Dhe, nuk mbaron këtu sepse në të shumën e herës nuk janë respektuar ‘rregullat e lojës’ të ekonomisë së tregut, shpesh detyrimet kontraktore të sistemit gjyqësor të korruptuar janë gjerësisht në të gjitha nivelet e tij, etj.,. Ambasadori i dikurshëm gjerman, krejt ndryshe nga pasardhësja e sotme në Tiranë akuzoi direkt dhe pa mëshirë autoritetet shqiptare ndaj vështirësive me të cilat përballej biznesi gjerman i vendit të tij. E kështu vazhdon.
Shqipëria mëton se bëri të njëjtën rrugë drejt liberalizimit të tregut si vendet e tjera, por
“Ndryshimin e ka bërë trashëgimia e vendeve të veçantë sidomos sa i takon shkallës së centralizimit të pronës, si dhe cilësia e qeverisjes mbas ndryshimit të sistemit d.m.th. aftësia e lidërshipit politik dhe asaj që njihet si inteligjencia profesionale e vendit për të ndërmarrë me guxim hapat e duhura që ekonominë kombëtare në një stad të ri të zhvillimit të saj ta përafrojnë gradualisht me ekonomitë e zhvilluara të Perëndimit”, citohet për Javanews eksperti i njohur i ekonomisë Zef Preçi.
Fatkeqësisht, Shqipëria, megjithëse sot bën konferenca dhe jep çmime ekonomie nuk ka ndonjë model të caktuar të zhvillimit, apo aq më tepër ta ketë ofruar vetë një model të tillë. Qeveria e sotme njësoj si ajo para saj nuk rresht nga premtimet, e njësoj si ajo vazhdon të ndjekë një politikë të mosrritjes së duhur të pagave, pensioneve të vogla.
Shqipëria vuan nga pakorrektësia e koncesioneve të pasurive kombëtare apo atyre partneriteteve publikë-privatë, të cilat po përdoren gjerësisht nga qeveria aktuale deri edhe në shërbimet publike bazë te shteti. Më e keqja është ajo që elita politike drejtuese e vendit të fshihet mbas vendimeve kolegjiale të qeverisë apo të Kuvendit ‘në emër të sovranit’, por duke vështirësuar funksionimin e mekanizmave të ekonomisë së tregut në vend, e duke ju përkeqësuar nivelin e jetesës qytetarëve të tij, citojmë Preçin. Ja pse e gjithë kjo gjendje të bën thjesht të besosh se letargjia e vendit thjesht po zgjatet, por asfare nuk po ndryshon, përveçse politikanët e dy krahëve po bëhen gati për lumnajën e premtimeve të tyre, që të sundojnë të qetë dhe katër vjet. (Javanews)