Në fillim ishte floriri, pastaj Dollari dhe vitet e fundit, Euro. Shqiptarët kanë zgjedhur gjithmonë një mjet të sigurt të huaj pagese për të ruajtur kursimet e tyre, teksa historikisht monedha vendase është konsideruar si me më pak vlerë. Në kohën e Zogut, ata u mbështetën te floriri, pasi panë që kartëmonedhat e tyre vendase të zhvlerësoheshin ndjeshëm. Pas viteve ’90, ishte dollari ai që zëvendësoi floririn si një monedhë e sigurt. Nga viti 2003 dhe ende sot është euro “floriri” i shqiptarëve. Euro është një mjet pagese thuajse i ligjëruar në shumë transaksione me vlerë të madhe, si pasuri të paluajtshme (troje e shtëpi) makina, e deri në pikat e shitjes me pakicë, si dhe më shumë se gjysma e huasë dhe depozitave janë në monedhë të huaj.
Në vitin 2011, Banka e Shqipërisë, e shqetësuar se Shqipëria po euroizohej me shpejtësi, sinjalizoi bankat që të favorizonin përdorimin e monedhës vendase në ekonomi dhe në sistemin bankar shqiptar kundrejt përdorimit të monedhës së huaj (banka hoqi remunerimin e rezervës së detyruar në valutë, për të nxitur bankat tregtare të ulin kostot e mbledhjes së fondeve). Në atë kohë, kredia për ekonominë në valutë përbënte 65% të totalit, ndërsa pesha e depozitave ishte 48.3%.
Kur kanë kaluar 6 vjet, bankat rezulton që e kanë pasur më të lehtë të frenojnë huadhënien në valutë. Në fund të shkurtit 2017, pesha e kredisë në monedhë të huaj zbriti në52.4%, pra gati me 13 pikë përqindjeje.
Por bankat nuk kanë mundur të kontrollojnë kahun e ofertës, atë të kursimeve në valutë. Ndonëse interesat e depozitave në euro janë afër zeros, dhe monedha e përbashkët është zhvlerësuar ndjeshëm vitet e fundit, kjo nuk i pengon shqiptarët të mbajnë kursimet në euro. Gjatë vitit 2016, kursimet në valutë kaluan për herë të parë ato në lekë, për të arritur në 52.4% të totalit në fund të shkurtit 2017.
Kjo sjellje ka shqetësuar sërish Bankën e Shqipërisë, që ka ndërmarrë një plan të ri për të ulur përdorimin e euros në ekonomi. I pari që e sinjalizoi ishte guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, i cili në një intervistë për ‘Monitor’ në shkurt të këtij viti tha se ka disa studime të autorëve vendas dhe të huaj, të cilët e klasifikojnë Shqipërinë si një vend me nivel të lartë euroizimi. Sejko paralajmëroi se është e nevojshme të reagohet me vendosmëri ndaj këtij fenomeni. Kjo do të ndihmonte në rritjen e rezistencës së ekonomisë shqiptare, kryesisht nëpërmjet uljes së ekspozimit të saj ndaj rreziqeve dhe përmirësimit të efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare të nevojshme për trajtimin e këtyre rreziqeve. Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, kanë ndërtuar një qasje strategjike në trajtimin e këtij fenomeni, sipas fushave respektive të kompetencës.
Sipas strategjisë së përbashkët, të bërë publike së fundmi, në kuadrin e një memorandumi mes tre institucioneve, synohet që të krijohen kushtet dhe stimujt e nevojshëm për të ndikuar gradualisht, por në mënyrë të qëndrueshme, në zvogëlimin e shkallës së përdorimit të monedhave të huaja dhe si rezultat, në fuqizimin e shkallës së përdorimit të monedhës kombëtare, në sistemin financiar dhe në ekonominë e vendit, në përputhje me qëllimin për forcimin e efektivitetit të politikës monetare dhe ruajtjen e stabilitetit financiar.
Veprimet që lidhen me zbatimin e strategjisë, mund të klasifikohen në grupet e mëposhtme, të cilat janë njësoj të vlefshme për nga rëndësia dhe që do të ndiqen paralelisht: a) grupi i parë përfshin veprime të politikës fiskale dhe përmirësime të tjera ligjore, të cilat synojnë ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale, uljen e informalitetit në ekonomi, zhvillimin e 3/7 të tregut financiar, përmirësimin e kërkesave ligjore dhe forcimin e zbatueshmërisë së tyre për përdorimin e lekut në transaksionet mes agjentëve ekonomikë; b) grupi i dytë përfshin veprimet e politikës monetare dhe ato mbikëqyrëse mbi bankat dhe institucionet e tjera financiare, me qëllim ruajtjen e qëndrueshmërisë së mjedisit makroekonomik, zhvillimin e tregut financiar dhe të sistemeve të pagesave, si dhe rritjen e shkallës së përdorimit të lekut në sistemin financiar; c) grupi i tretë përfshin veprime të tjera, të cilat nuk përfshihen në dy grupet e mëparshme, që vlerësohen të nevojshme në kuadër të zbatimit të strategjisë dhe ku palët mund të ndikojnë në zbatimin e tyre.
Problemet që sjell euroizimi
Sipas Bankës së Shqipërisë, nga këndvështrimi i politikave ekonomike dhe financiare, një nivel i lartë i euroizimit në sektorin bankar mund të shoqërohet:
(a) me ulje të efektivitetit të politikës monetare të bankës qendrore. Kjo ndodh për shkak të tkurrjes së dy prej kanaleve të rëndësishme të transmetimit të saj, siç është kreditimi në monedhën e vendit dhe përdorimi i kursit të këmbimit si instrument automatik i stabilizimit financiar dhe ekonomik. Kjo e dyta lidhet dhe me rritjen e kostove oportune që lidhen me madhësinë dhe mënyrën e përdorimit të rezervës valutore;
(b) me shtimin e rreziqeve për stabilitetin financiar.
Më konkretisht, bëhet fjalë për ekspozimin e aktorëve të tregut dhe klientëve të tyre ndaj rrezikut të kursit të këmbimit; për mungesën e instrumenteve efektive për trajtimin e një situate stresi në sistemin financiar, që buron nga ekspozimi i lartë ndaj veprimtarisë financiare në valutë.
Në përgjithësi, në rang ekonomie, përdorimi i lartë i monedhës së huaj mund të jetë pengesë në përpjekjet e autoriteteve për formalizimin e ekonomisë, zbatimin e politikave fiskale efektive, reformave të nevojshme për transparencën financiare dhe arsye të tjera.
EuroizimiTermi euroizim – lidhet me përdorimin e monedhës së huaj si mjet pagese (zëvendësimi i monedhës) dhe si mjet për të ruajtur kursimet (zëvendësimi i aseteve).
Nuk është vetëm një sjellje shqiptare
Një studim i bankierëve zviceranë dhe austriakë, Martin Brown dhe Helmut Stix, titulluar “Euroizimi i depozitave të bankave në Europën Lindore”, thotë se preferencat e ekonomive familjare për depozitat në euro janë pjesërisht të nxitura nga mosbesimi i tyre në stabilitetin e monedhës së tyre të brendshme, gjë që lidhet me vlerësimin e tyre të politikave dhe institucioneve aktuale.
Ata konfirmojnë se mbajtja e depozitave në valutë të huaj është bërë një “zakon” në rajon.
Politikëbërësit dhe akademikët pajtohen se euroizimi i përhapur i depozitave bankare në Europën Lindore kufizon politikën e brendshme monetare dhe përbën një kërcënim të madh për stabilitetin financiar.
Të dhënat e mbledhura nga autorët treguan se pjesa e depozitave në valutë të huaj u rrit fuqishëm në Europën Juglindore (p.sh. Serbia, Shqipëria, Rumania, Bullgaria) gjatë krizave financiare të viteve 1990 dhe ka mbetur e lartë gjatë krizave më të fundit financiare dhe sovrane. Në të kundërt, pjesa e depozitave në valutë ka rënë gradualisht në Europën Qendrore (p.sh. Polonia, Hungaria, Republika Çeke).
Rezultatet e studimit sugjerojnë se euroizimi i depozitave në Europën Lindore mund të zgjidhet pjesërisht nga një regjim i qëndrueshëm monetar dhe politikat e shëndosha ekonomike të politikëbërësve të sotëm: euroizimi i depozitave lidhet me besimin në stabilitetin e monedhës vendase, e cila ndikohet nga vlerësimet e ekonomive familjare për politikat aktuale dhe institucionet. Rezultatet, megjithatë, tregojnë gjithashtu se politika monetare e qëndrueshme ka pak gjasa të jetë e mjaftueshme për t’u marrë me problemin e euroizimit të depozitave në të gjithë rajonin, pasi mbajtja e depozitave në valutë është bërë një “zakon” dhe ende ndikohet fuqimisht nga përvoja e krizave financiare në vitet 1990.
Serbia
Euroizimi më i lartë është në Serbi, ku si kredia në valutë, ashtu dhe depozitat, përbëjnë mbi 70% të totalit. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Serbisë në shkurt të vitit 2015, institucioni monetar qendror ka marrë masa për të kontrolluar dhe për të mbrojtur sistemin nga niveli i lartë i euroizimit.
Maqedonia
Në Maqedoni, në mars të vitit 2017, depozitat në monedhë të huaj përbënin 41% të totalit të depozitave, sipas statistikave të publikuara nga Banka Qendrore e Maqedonisë. Huaja në valutë zë një peshë më të ulët në rreth 18%. Maqedonia ka kaluar muajt e fundit një krizë të tërheqjes së depozitave, si rrjedhojë e destabilitetit politik, por banka qendrore thotë në raportet e saj se kjo është përballuar me sukses, për shkak të likuiditetit të mirë të sistemit.
Kroacia
Në kontrast me huamarrjen, në Kroaci, konsumatorët vijojnë të reflektojnë preferencën për kursimet në monedhë të huaj. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore Kroate, në raportin e mbikëqyrjes për vitin 2016, pesha e depozitave në monedhë të huaj ndaj totalit ishte 75.5%. Monedha që zë peshën më të madhe, me dy të tretat e totalit të depozitave është euro, ndërsa kuna zë 24.5% të totalit të depozitave të familjarëve.
Lidhur me kredinë, në 2016-n, huatë në franga zvicerane u konvertuan në euro, ndërsa ka pasur rritje të interesit në huatë në kuna.
Pesha e huave në frangën zvicerane ka rënë 7.3% të totalit të huave bankare.
Monedha e huaj përbën 60.6% të totali të aktiveve dhe 64.8% të totalit të detyrimeve.
Bankierët, problemi qëndron, por vështirë të luftohet
Bankierët e pranojnë që niveli i lartë i euroizimit është problem për sistemin, por janë skeptikë nëse politikat e Bankës së Shqipërisë do të funksionojnë në uljen e përdorimit të euros, sidomos në kahun e depozitave. Z. Silvio Pedrazzi, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv dhe Anëtar Bordi i Intesa Sanpaolo Bank Albania, pohon se kursimtarët shqiptarë kanë mungesë besimi te monedha vendase.
Pavarësisht se specialistët e bankave u shpjegojnë depozituesve se interesat e kursimeve të euros janë të ulëta dhe ata rrezikojnë të humbin dhe kanë humbur tashmë nga zhvlerësimi i euros, sërish ata nuk binden dhe duan të ruajnë paratë në euro.
-Z. Christian Canacaris, drejtor i Raiffeisen Bank, thotë se kur përdoret një monedhë e ndryshme nga ajo e vendit, ka një risk nga kursi i këmbimit, të cilin klientët ndonjëherë nuk e marrin parasysh, veçanërisht kur kemi të bëjmë me një monedhë të fortë dhe të qëndrueshme siç është Leku. Ai shton se iniciativat që promovojnë Lekun janë gjithmonë të mirëpritura.
-Për z. Maltin Korkuti, drejtor i Credins Bank, masat e Bankës së Shqipërisë për uljen e euroizimit të sistemit financiar priten të kenë karakter dekurajues për rritjen e mëtejshme të peshës specifike të aktiveve dhe pasiveve në euro në bilancet e bankave. “Këto masa mund të përfshijnë norma më të ulëta remunerimi për rezervën e detyrueshme në euro në raport me atë në lekë. Një masë mund të jetë rritja e raportit minimal të kërkuar mes aktiveve likuide dhe pasiveve afatshkurtra në euro. Mund të ketë masa të mëtejshme shtrënguese për sa i takon kredisë së ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit. Përveç punës ndërgjegjësuese me bankat dhe klientët, mund të vendoset rritje e mëtejshme e kërkesës për kapital, duke rritur koeficientët e ponderimit me risk të këtyre aktiveve, për efekt të llogaritjes së treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit”.
Megjithatë, z. Korkuti rekomandon që zbatimi i këtyre masave pritet të jetë gradual dhe i shtrirë në kohë, për të mos krijuar probleme në aktivitetin e sistemit bankar dhe për të lënë kohën e mjaftueshme për adoptimin e tyre.
-Z. Silvio Pedrazzi, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo, është dakord që “euroizimi” është një çështje që sjell shumë rreziqe, si p.sh., efektiviteti i politikës monetare dhe rreziku i kursit të këmbimit, që ndërmerren si nga qytetarët, ashtu dhe nga njësitë ligjore. “Por, ndërsa është e lehtë të konstatosh këtë problem, është shumë më e vështirë që të gjesh zgjidhjen”.
Në opinionin e tij, problemi kryesor ka të bëjë me faktin që shqiptarët preferojnë që të mbajnë kursimet e tyre në euro, duke e konsideruar atë si një monedhë të fortë. “Personalisht nuk e ndaj këtë përqasje, pasi gjithnjë duhet të kemi parasysh që, nëse nuk i mbani kursimet në monedhën vendase, shumë shpejt do të ekspozoheni nga rreziku i kursit të këmbimit; shqiptarët duhet të kuptojnë që 2-3 vitet e fundit, leku është vlerësuar në mënyrë konstante kundrejt euros dhe dollarit, duke nënkuptuar se shqiptarët që i mbajnë kursimet e tyre në euro, kanë humbur tashmë para”.
Nga ana tjetër, ne duhet të pranojmë se një pjesë e madhe e tregtisë është e lidhur kryesisht me Euron. Si ta zgjidhim këtë? Kjo është një pyetje mjaft e vështirë; kjo është një çështje që duhet hetuar thellësisht nga autoritetet rregullatore dhe institucionet financiare ndërkombëtare, si Banka e Shqipërisë dhe FMN. “Duke pasur parasysh se unë jam absolutisht në favor të reduktimit të nivelit të euroizimit, jam i mendimit se rrënja e problemit nuk është në kahun e kredisë, por të depozitave; Bankat, aktualisht dhe në përgjithësi, kanë tepricë likuiditeti në Euro, për shkak të depozitave dhe për më tepër, diferenca në normat e interesit të ofruara për depozitat me afat, në mes të dy monedhave, është reduktuar në mënyrë dramatike, si rrjedhojë e ecurisë së tregjeve financiare. Ajo që vetë bankat mund të bëjnë është të paralajmërojnë konsumatorët rreth rreziqeve të lidhura, si me kredidhënien, ashtu edhe me depozitat në monedhë të huaj. Unë mund të pranoj se për momentin, pjesa më e madhe e aplikimit për kredi nga klientët tanë është në Euro, ndërsa individët privatë ngurrojnë të konvertojnë depozitat nga euro në lekë. Lidhur me Intesa Sanpaolo Bank Albania, sipas politikave tona, ne japim kredi në monedhën që huamarrësi ka të ardhurat e veta, ndonjëherë edhe pse kjo nuk është dëshira e konsumatorëve. Në kahun e depozitave, pavarësisht nga normat më të larta të ofruara për lekun, ne përballemi me vështirësi, kur përpiqemi të ndajmë me konsumatorët mundësinë për të mbajtur kursimet e tyre në monedhën vendase, edhe kur u tregojmë atyre vlerësimin e qëndrueshëm të lekut kundrejt euros.
Mendoj se këto reagime janë “psikologjike”, dhe ndoshta kanë të bëjnë me disa përvoja të këqija nga e kaluara; në këto raste mund të jetë mjaft e vështirë për të ndryshuar mentalitetin e njerëzve dhe ka nevojë për një program koherent të edukimit financiar. Shoqata Shqiptare e Bankave, që prej shumë vitesh, është veçanërisht aktive në këtë fushë, por duhet një kohë e gjatë për të arritur rezultatet e pritura”, shton z. Pedrazzi.
-Z. Frédéric Blanc, drejtor ekzekutiv i Societe Generale Albania kujton se kjo çështje në Shqipëri vjen dukshëm në axhendë në mënyrë periodike, një herë në 4-5 vjet. “Argumentet pro dhe kundër kësaj çështjeje varen nga perspektiva që i sheh. Në të gjitha rastet, duke qenë një kompani anëtare besnike lokale e Rrjetit Global Ndërkombëtar, ne jemi në përputhje me ritmin e rregullimit të politikës monetare të përshtatshme për të stimuluar ekonominë lokale, në mënyrë që të mbrohemi në afatin e shkurtër nga shtrembërimet e konkurrencës. Inflacioni mbetet kërcënimi kryesor për autoritetet vendase rregullatore dhe mekanizmi i mundshëm i kursit të këmbimit mund të jetë një mjet i kombinuar”.
-Z. Periklis Drougkas, kryetari i Shoqatës së Bankave, pohon se në tregjet e parasë në Eurozonë, normat e Euribor vazhduan të luhaten në nivel të ulët, duke pasqyruar politikën monetare lehtësuese sasiore të ndjekur nga Banka Qendrore Europiane.
“Edhe pse kursi i këmbimit EUR/LEK ka qenë i qëndrueshëm, huadhënia në monedhë të huaj vazhdon të jetë një risk në nivel afatshkurtër dhe afatmesëm, pasi ndryshimet e pafavorshme të kursit të këmbimit, mund të cenojnë aftësinë paguese të huamarrësve dhe të kërcënojnë cilësinë e portofolit të kredisë së bankave.
Në vitin 2016, monedha vendase ishte subjekt i vlerësimit sezonal (tendenca e vlerësimit të lekut shënoi rritje në tremujorin e tretë të 2016), por gjithsesi më i ulët se vitin e mëparshëm.
Banka e Shqipërisë ka reaguar menjëherë për përballimin e sfidave që mund potencialisht të kërcënonin sistemin bankar. Ndaj, ne kemi besim të plotë në përqasjen e z. Sejko dhe të Bankës së Shqipërisë për sa i përket nivelit të Euro në Shqipëri”.
-Z. Gazmend Kadriu, Drejtor i Përgjithshëm i Union Bank, si një person me përvojë direkte në bankë qendrore (jo në Shqipëri) ka një mirëkuptim të plotë për synimin e bankës qendrore për uljen e euroizimit të vendit. Për aq sa aktivitetet financiare në vend zhvillohen në valutë të huaj, për aq nuk ka gati asnjë efektivitet politika monetare, duke gjymtuar kështu tërësinë e politikës ekonomike të vendit. Njëkohësisht, nga krahu tjetër, ai gjen mirëkuptim edhe për historikun e preferencave personale të shumë agjentëve ekonomikë, biznese e individë, për përdorim të gjerë të euros. Vendet e vogla të hapura në Europë, në rastin e Shqipërisë edhe me një kontingjent më të lartë emigracioni, objektivisht anojnë kah një situate të tillë. “Prandaj edhe do të këshilloja një kujdes të veçantë në këtë drejtim. Përderisa as anëtarësimi në BE, e jo më adoptimi i euros, nuk duket fare në horizont, rritja e efektivitetit të politikës monetare kërkon ulje të peshës relative të euros në vend, në më shumë drejtime. Por një shtyrje relativisht e fortë administrative kundër euros më shumë do të krijonte dëm se vlerë. Realitetet objektive ekonomike duhen marrë në konsideratë gjatë formulimit të masave, që do të sjellin efekte më të larta pozitive, me dëme e risqe anësore më të vogla”, pohon ai.
-Znj. Adela Leka, Drejtuese e Drejtorisë Ekzekutive të ProCredit Bank Shqipëri, pranon që ekonomia shqiptare historikisht ka qenë e prekur nga fenomeni i euroizimit, si në marrëdhënie tregtare të bizneseve, qoftë dhe në transaksione bazike dhe rutinë të individëve. Ky fenomen ka disa aspekte negative dhe të pafavorshme në sistemin financiar dhe bankar, si në vijim: a. vështirësi në transmetimin në ekonomi të politikës monetare të Bankës Qendrore, gjë që e bën këtë politikë pjesërisht efektive (vetëm për aktivitetin në monedhë kombëtare); b. qarkullim të lartë të monedhës EUR, edhe në formë cash-i, në sistemin bankar, proces që shoqërohet me kosto e risqe shtesë për bankat e nivelit të dytë, në kushtet që në Shqipëri nuk ofrohen mundësi për klerimin e cash-it dhe të pagesave për valutën; c. Një ekspozim të shtuar valutor, si në bilancet e bankave, ashtu dhe në ato të kompanive dhe individëve.
Banka Qendrore dhe në vijim bankat e nivelit të dytë, kanë implementuar prej vitesh disa masa që tentojnë në mos-stimulimin e kredive dhe depozitave në valutë të huaj, por rezultatet tregojnë për pamjaftueshmëri të këtyre masave.
Fenomeni, rekomandon ajo, duhet të adresohet në nivel më global të ekonomisë, ku të dekurajohet (ose ndalohet) përdorimi i EUR në marrëdhënie tregtare, të cilat ndodhin brenda Republikës së Shqipërisë. “Nga ana tjetër, për sa kohë tregtia me jashtë (importet dhe eksportet) vazhdon të ngelet sektor i rëndësishëm në ekonominë shqiptare, nuk mund të shmanget përdorimi i monedhave të huaja nga subjektet e përfshira në këto marrëdhënie ndërkombëtare, por të paktën kjo të mos transmetohet te pjesëmarrësit e tjerë të tregut lokal”.
-Z. Bozhidar Todorov, drejtor ekzekutiv i First Investment Bank – Albania (FIBank – Albania) pohon se kjo është një çështje me të cilën nuk është përballur vetëm Shqipëria, por edhe rajoni, ku shumë vende në momente të veçanta iu desh të bënin ndryshime të rëndësishme strukturore. Është e vërtetë që Shqipëria ka një nivel relativisht të lartë të përdorimit të Euros, dhe kjo kryesisht ndikon Bankat nëpërmjet rrezikut të kursit të këmbimit. “Ne e mirëpresim nismën e BSH-së për adresimin e kësaj çështjeje dhe jemi të gatshëm për të ofruar mbështetjen tonë. Do të doja të theksoja që Bankat në dy–tre vitet e fundit kanë bërë hapa konkretë në promovimin e huadhënies në Lekë duke dizenjuar dhe duke ofruar produkte të veçanta me kushte më të favorshme. Megjithatë janë disa faktorë, të cilët kanë të bëjnë me zhvillimin e vendit që mund të lehtësojnë në këtë çështje. Vetëm politikat monetare nuk janë të mjaftueshme dhe nuk mund të adresojnë këtë problem, kështu që është shumë pozitiv fakti që BSH është duke bashkëpunuar me qeverinë. Një ndër faktorët kryesorë është mbrojtja e prodhimit vendas që do të rezultonte në reduktimin e deficitit tregtar dhe normalizimin e disbalanës midis importeve dhe eksporteve”, pohon ai. /monitor
———-
[1]Ishte viti 1926, kur mbreti Zog mblodhi arin e shqiptarëve në këmbim të sasive të mëdha të kartëmonedhave. Këto të fundit, më pas u zhvlerësuan ndjeshëm, duke bërë që kursimtarët të mbeteshin me një tufë kartëmonedhash të pavlera në duar, çka bëri që të humbnin besimin te paratë vendase