Edi Rama mblodhi dje grupin aktual parlamentar, kandidatët për deputetë, kryetarët e bashkive dhe shtabin elektoral të çdo qarku, për t’u dhënë porositë e fillimit të fushatës.
Në takim ra në sy mungesa e disa deputetëve të përjashtuar nga kandidimi, si Arta Dade, Valentina Leskaj, Namik Dokle, Dashamir Kamberi, etj., ndërsa morën pjesë Namik Kopliku, Fatmir Toçi, Anila Agalliu, etj.
Pikërisht me falënderimin e tyre e nisi Rama fjalimin e tij dje në takim, për të vijuar tek pikat më të rëndësishme të mbledhjes: sugjerimet për komunikimin politik dhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Rama iu ka kërkuar deputetëve që në komunikimin me qytetarët të përqendrohen tek reformat e qeverisë, investimet, drejtësia e bllokuar nga PD, dhe mundësitë për të shtuar punësimet në mandatin e ardhshëm.
Po ashtu, Rama ju ka kërkuar kandidatëve dhe drejtuesve politikë që të mbajnë përgjegjësi për procesin zgjedhor, të mos tentohet asnjë votë në tavolinë dhe që komisionerët e PS të jenë njerëzit më me integritet.
Në këtë aspekt, Rama ju ka kërkuar deputetëve dje kandidatëve të mos i kapë entuziazmi, duke thënë se me 71 mandate PS qeveris 4 vjet, ndërsa me 100 të tillë, nuk mund të qeverisë më shumë se një vit. Gramoz Ruçi ka dhënë porositë e tij, ndërsa të gjithë drejtuesit politik të qarqeve kanë prezantuar punën në zonat e tyre, duke treguar votat krahasuar me 2013 dhe 2015 dhe projeksionin e mandateve për çdo qark.
Edi Rama
Dua të falënderoj të gjithë ata deputetë që nuk janë sot këtu, dhe që ne do të donim të ishin. E kam fjalën për ata që nuk u përfshinë në listën e kandidatëve, por kushtet këto ishin. Kjo nuk do të thotë që ata nuk i shohim si pjesë e pushtetit, dhe pushteti nuk është vetëm parlamenti. Ne i njohim të gjithë kontributet e tyre dhe ju jemi mirënjohës për gjithçka ata kanë bërë për PS-në dhe qeverinë tonë.
Pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje është tregues i mbështetjes reale të qeverisjes sonë, ndaj është shumë e rëndësishme që të bëjmë ç’është e mundur për pjesëmarrjen më të lartë të qytetarëve në zgjedhje.
Unë dua t’ju sjell në vëmendje disa momente të rëndësishme në komunikimin publik, që duhet t’i keni parasysh të gjithë ju në çdo takim të vogël apo të madh gjatë kësaj fushate. Së pari, punët e qeverisë duhet të vihen në dukje dhe duhet të përmendni të gjitha reformat tona të mëdha për të bërë shtet: rendi, drejtësia, energjia, e gjithçka kemi bërë këto katër vite. Investimet dhe rilindjen urbane në cdo qendër fshati e qyteti të harruar. Duhet tu kujtojmë shqiptarëve se përballë dëshirës sonë për të bërë shtet kemi alternativën e PD-së për të bllokuar vettingun, duke kërkuar të na kthejnë 20 vjet më pas, si në ’97-ën.
Së dyti, nuk duhet të na kapë arroganca dhe duhet të pranojmë se kemi ende shumë punë për të bërë, ama nëse ndalemi këtu, projektet tona do të ngelin në mes.
Së treti, duhet të ndalemi tek punësimi. Ne deri tani kemi bërë shtet dhe kemi kryer reforma thelbësore. Ne që bëmë kaq shumë, mandatin tjetër mund të bëjmë shumë më shumë për të hapur vende të reja pune.
Sa ju takon negociatave me PD-në, dua të them se asnjë nuk është konkretizuar përpos gatishmërisë sonë për të dialoguar dhe për të lëshuar pushtet. Oferta jonë për Partinë Demokratike nuk përfshin ndryshimin e datës së zgjedhjeve. Ne, në respekt të Kodit Zgjedhor, pak ditë më parë i ofruam shtyrje me një javë, duke i qëndruar besnik afatit kushtetues. Tashmë nuk mund të negociojmë më ditën e zgjedhjeve. Ata duhet të votojnë vetingun, dhe të vijnë në zgjedhje në 28 qershor. Po deshën, kjo është qasja jonë. Aktualisht nuk mund të them me saktësi se çfarë na pret. Jemi duke negociuar. Janë të hapura të dyja mundësitë: edhe të shkojmë në zgjedhje me PD, edhe pa PD.
Do të kërkoja nga të gjithë ju përgjegjshmëri maksimale për të garantuar zgjedhje me standarde. Pa asnjë incident, pa asnjë shkelje. Do të jemi në monitorim të fortë, sidomos nëse nuk vjen PD në zgjedhje. Duhet të jemi të kujdesshëm sepse qimja do të bëhet tra. Ata do të kërkojnë në çdo rast për të bërë pis procesin. Nuk duhet të na shkojë në mendje asnjë manipulim, juve jo e jo, por as atyre poshtë jush. Komisionerët që duhet të zgjidhni duhet të jenë njerëzit me më shumë integritet. Nuk na duhet asnjë votë në tavolinë, harrojeni, asnjë të mos guxojë. Duhet të keni parasysh një gjë. Nëse marrim 71 mandate, ne do të qeverisim për 4 vjet. Nëse marrin 100 mandate ne nuk mund të qeverisim më shumë se një vit. Kështu që, nuk ka nevojë të marrim votat e askujt, nuk na duhen. Na duhen votat tona.
Nuk duhen sulmuar LSI-ja dhe të kthehet në luftë armiqësore fushata, pasi kjo nuk është e nevojshme. Nuk ka nevojë të bëjmë si ajo mësuesja e Kavajës, që për inat të LSI-së, apo të PD-së, për të sjellë sa më shumë njerëz në takim, na solli nxënësit. Ka ardhur koha që Drejtoritë Arsimore Rajonale, policia dhe administrata të ndahen një herë e mirë nga fushatat. Ne duam një proces me standarde, dhe jo të mbytemi nga entuziazmi e të prodhojmë incidente, sepse, e thashë, do të jemi si në grykë të topit, nëse këto zgjedhje i bëjmë pa PD-në. Ne nuk na duhen të rinj të sjellë me zor, na duhen vetëm ata që vijnë me zemër.
Gramoz Ruçi
Unë dua të falënderoj sot grupin parlamentar aktual për të gjithë kontributin në jetën parlamentare dhe politike. kemi qenë një grup i unifikuar dhe kemi funksionuar shumë mirë. Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë ata që nuk do të rikandidojnë më dhe jam i ndërgjegjshëm se ka qejf-mbetje për renditjen për disa prej jush. Për ne nuk ka rëndësi nëse je i pari apo i 5-ti apo i 6-ti, se fitova unë apo tjetri. Për ne ka rëndësi të fitojë Partia Socialiste. Pse e vendosëm unë edhe Edi emrin i 9 dhe i 6 në listë? Sepse ne kemi objektiva. Po nuk morëm 7 mandate në Vlorë apo 10 në Fier, ne nuk jemi në pushtet. Ne kemi bërë llogaritë tona.
Për të gjithë ju kandidatët e rinj, të jesh deputet nuk është një gjë e thjeshtë. Është një zanat i ri që çdo herë të mëson, përfshi edhe mua. Ju nuk duhet të harroni se përfaqësoni Partinë Socialiste dhe duhet të qëndroni në lartësinë e kësaj përgjegjësie. Mbase po të ishit kandidat individualë do merrnit vetëm votën e gruas. Dhe atë me pikëpyetje. Vota juaj është e PS”.
Sa i takon rrëmujës së madhe të bisedimeve politike, qeveria teknike nuk ka pse të pranohet nga ne. Sepse ne jemi votuar dhe jemi besuar për të qeverisur për 4 vjet. Ata thonë : zbrisni ju të hipim ne. Kjo nuk ka logjikë. Ne ju kemi ofruar një Task Forcë të posaçme, ku ata të kenë njerëzit e tyre dhe të ushtrojnë kontroll mbi institucionet që menaxhojnë zgjedhjet./Shqiptarja