Nga Shpetim Nazarko
Kur Putini urdhëroi pushtimin e Krimesë, u duk qartë se gjeopolitika e vjetër që nuk pushon kurrë, filloi të lëvizë edhe një herë me forcë drejt synimeve që kanë vënë paraardhësit. Që nga koha e Katerinës dhe Pjetrit të Madh, Rusia e ka përcaktuar Stambollin si kryeqytetin e tretë të Rusisë apo Cargrad, thënë ndryshe Qyteti i Carit.
Kundër interesave tokësore të Rusisë, për të arritur qëllimin e saj, qëndronte Austria. Në atë që kundërshtonte këtë qëllim në det ishte Anglia, e cila, bashkë me rënien e Turqisë që mbante Bosforin, humbte në një masë shumë të madhe monopolin e të qenët fuqia botërore e detrave.
Natyrisht që histori të tilla nuk mund t’i shpëtonin vëmendjes së Babait të Kombit, Ismail Qemali. Ndoshta nga të vetmit diplomatë turq që u ftua në oborrin e Viktorias dhe që e kuptoi menjëherë se në rrëmujën e madhe të parakrijimit të shtetit shqiptar iu desh drejtuar pikërisht Austrisë….
Duket se kemi shkuar shumë larg nëpër hipoteza, por le të lundrojmë ende pak mbi to.
Nuk është e vështirë të hipotezosh se qëndrimi amerikan, të paktën në lidhje me Shqipërinë, është thuajse i njëjtë me atë të Austrisë së vjetër dhe nisur nga ky plan vështrimi, kuptohet qartë pse aleati, miqtë dhe mbrojtësit më të mëdhenj të Shqipërisë janë pikërisht amerikanët.
T’i shkruaje këto lloj artikujsh si ky i sotmi fare pak pas ’90-s, dukeshe sikur dilje jashtë modës, në mos aventurier apo qejfli më shumë sesa duhej i gjeopolitikës së vjetër. Gjeopolitika pushon apo ndërron qëllim vetëm në një çast, kur ka luftë botërore, pra kur njëri i kërkon të gjitha. Apo ajo, mund të thuash, pushon edhe në Luftën e Ftohtë, kur gardhet e mëdha përcaktohen nga traktatet e të mëdhenjve.
Po jo më shumë se njëzet vjet pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, gjeopolitika e vjetër ka dalë prapë në qendër të vëmendjes, pavarësisht evoluimit të kohës apo termave të rinj që kanë zëvëndësuar ata të vjetrit. Fjalë boshe? Mbase, por fare pak pas Krimesë, boshti tokësor i vendeve që të çojnë drejt Stambollit ka filluar të dridhet i tëri nën kriza e këto mbi apo nën tokë.
Po çfarë pune kemi ne në këtë histori dhe çfarë lidhje ka Shqipëria me Maqedoninë, që është edhe titulli i këtij artikulli, i dyti dhe i treti pas atyre që i kam quajtur “Vetëvrasja e Shqipërisë në Vlorë” dhe “Kush i fut në sherr zotërit e Ballkani?“.
A ka vërtet vlerë të merresh me gjykime të tilla, veçanërisht kur jemi vend i vogël dhe nuk na takon të shohim ëndrra të mëdha? Qëllimi i artikullit është diçka tjetër, që me sa mundemi, po mundohemi ta shtjellojmë.
Në një vështrim të thjeshtë të hartës së madhe, shihet qartë se korridori i madh që lidhte Lindjen me Perëndimin në kohën e Luftës së Ftohtë, ishte ai me numër 10. I ardhur prej Evropës Qendrore ai shkonte në Trieste, nga e cila shkohej në Budapest. Ky korridor që quhej me numër 5, zbriste nga Budapesti në Beograd, Shkup, pastaj Selanik dhe së fundi në Stamboll. Nuk është aq e vështirë se, nëse vendos gjilpërën në Stamboll, jemi në qendër të botës nga pikëpamja gjeografike. Po këtu kemi Bosforin e famshëm që ndan Lindjen me Perëndimin. Kurioze para se të vazhdojmë këtë arsyetim është se Ngushtica e Bosforit, ashtu si dhe Kanali i Suezit, pra dy nga pikat më të rëndësishme të botës, janë të dyja zgjedhur apo ndërtuar nga paraardhësit tanë gjenialë, Konstandini i madh dhe Mehmet Aliu.
Po le të kthehem në temë. Si u pohua më sipër korridori i dhjetë pas luftës në Jugosllavi, thuajse u ndërpre për një kohë dhe e humbi për një kohë deri diku rëndësinë e tij.
Po me se duhej zëvendësuar? Rolin e korridoreve zëvendësuese e të tipit tranzit e kuptoi së pari Sllovenia, prej të cilës mund të vije ndryshe në Stamboll. Pastaj grekët që e kuptuan po ashtu rëndësinë e çastit dhe e ndërtuan madje dhe kundër llogarive ekonomike Egnatian e re. Themi kundër llogarive ekonomike, sepse Igumenica është port i vogël për të realizuar qëllime të mëdha.
Interesat e Shqipërisë duhej të fillonin e të mendonin ndryshe nëse do të respektonim Babain e Kombit, Ismail Qemalin.
Loja e Shqipërisë fillonte në Vlorë dhe me anë të Korridorit tetë shkonte në Shkup dhe pastaj Stamboll. Porti i Vlorës, që nga të gjitha llojet e këndvështrimit, është, sipas shumë studiuesve, në potencial, më i madh edhe se i Roterdamit, që është sot më i madhi i botës, ishte pika e parë ku duhej hedhur vështrimi. Natyrisht që ndërtimi i tij e bënte lehtësisht të bëshme edhe hekurudhën edhe rrugën e korridorit 8. Madje këto edhe pa lekët tona, nëse kishim bërë Vlorën më parë…
Në një plan të pastër gjeopolitik, Porti i Vlorës dhe Korridori 8, i cili mbante brenda Maqedoninë, i shndërronte të dyja vendet në zotërit e Ballkanit në rast paqeje dhe akoma më shumë. Nuk është e vështirë, bazuar vetëm në llogaritjet e distancave, që gjithë vendet përreth, duke llogaritur edhe Greqinë e Veriut të kishin më hesap të shfrytëzonin Vlorën. Po akoma më shumë. Nisur nga Vlora, me vajtjen në Shkup mund të shkoje në Stamboll, në Evropën Qendrore apo Ukrahinë e më pas në Rusi. E në këtë lojë, për shkak të Vlorës dhe thellësisë së portit të saj në lojë, mund të llogaritje edhe gjigantët e botës që do të trasportonin sasira kolosale drejt qendrave që thamë më lart…
Po nëse heq dorë qoftë edhe nga llogaritë konkrete, heqja e një vije të drejtë nga Vlora në Shkup e pastaj Stamboll, të lejon të shohësh rolin e këtij llozi tokësor, në kohë paqeje dhe lufte. Dhe pjesën më të madhe të këtij llozi e kanë në dorë shqiptarët dhe pastaj maqedonasit që jetojnë në një pjesë të madhe në një shtet të përbashkët me ta. Thënë thjesht. Nëse Shqipëria ka Vlorën dhe Maqedonia shihet si qendër dispecerie ku lëviz ky mall kolosal, kuptohet pse nuk mund të çmendemi dhe të kërkojmë të prishemi me Maqedoninë. Interesi normal është të shfrytëzojmë bashkë me ta këtë pozicion që na ka falur natyra.
Po çfarë bënë pararardhësit tanë pas 90-s apo më parë?
Komunisti plak Alia, me të cilin kam folur rreth kësaj çështjeje dikur pas vitit ’90, më tha që së pari ne nuk shkonim dot kaq gjatë në llogaritje. Nuk i dinim dhe, së dyti, na pengonte Lufta e Ftohtë. U preokupuam vetëm të arrinim me hekurudhë Maqedoninë dhe të shihnim Vlorën me pikëpamjet e vitit 1960, kur u grindëm me sovjetikët.
Pasardhësit e Alisë dhe Hoxhës u nisën në drejtime të panjohura… Sot nuk flet njeri për Vlorë dhe Korridorin 8. Nano thirri në skenë Sarandopullisin, i cili i la në mes të gjitha. Ai nuk i filloi lëvizjet nga Vlora, por nga Greqia. Berisha e filloi nga Kukësi dhe Korridori 8 mbeti për kalendat greke.
Për hir të së vërtetës, në një bisedë me Berishën nga viti 2007, dikur më theksoi se po interesohej për Vlorën, por ky projekt nuk u mor vesh pse nuk u bë kurrë… Mbase interesi i kundërt i fqinjëve, apo arsye të tjera, nuk i di…
Për ata që e nënvlerësojnë pozicionin e Shqipërisë, mjafton të tregosh TAP-in si shembulll ilustrues i pozicionit tonë gjeografik dhe kuptohet pse duhet të mendojmë ndryshe. Kurioze se nga vitet ’90 e pak më larg, mund të kujtojmë Inisiativën Klinton për dhënien e parave për të parë fizibilitetin e porteve në Ballkan, ku Shqipëria dukej nga më të favorizuarat. Klintoni shpalli prioritet atë kohë edhe Ukrahinën…
Por ajo që na intereson si thelbësore për Shqipërinë, është e thjeshtë. Nëse ne nisemi nga Vlora dhe kemi rrugës Maqedoninë, nuk mund të mendojmë kurrë të prishim pozicionin tonë. Kemi interesin e përbashkët që imponon të dy palët. Maqedonia është thelbi i lojës gjeopolitike që do të jetë gjithnjë në fokusin e vëmendjes sonë. Dhe duhet të kuptojmë se, nëse ata po i drejtohen Qafë-Thanës me autostradë, ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Dhe bile sa më shpejt të mundemi…
Por çfarë ndodh nëse nuk e bëjmë?
Jemi siç e kam pohuar edhe në një rast tjetër, apo shndërrohemi në një zorrë qorre dhe në një vend të mjerë, i cili, në çdo rast, duhet të kënaqet me gënjeshtrat e vogla apo të mëdha të ministrave të saj të financës, që kësaj radhe kemi shkuar 3 për qind në rritje, etj., etj?
Mirëqenien e një vendi, besoj e çojnë idetë përpara. Në ato që u thanë më lart, mund të ketë pasaktësira apo mosthellim në gjykim. Po në një gjë besoj në mënyrë të palëkundur. Marrëdhëniet tona me Maqedoninë duhet të jenë prioritare dhe duhet ta ruajmë atë si sytë e ballit, me marrëveshje e mirëkuptim të ndërsjellë. Ndryshe do të vuajmë përjetësisht dhe do të turpërojmë veprën e baballarëve të kombit, apo ndryshe, të atyre që themeluan Shqipërinë.
Së fundi. Në redaksi më kujtuan se një analist serb po fliste për rëndësinë e Maqedonisë, duke e quajtur “Thembrën e Akilit” të të githë Evropës. M’u kujtua menjëherë një bisedë e Zimmermanit, ish-amabasadorit amerikan në Jugosllavi. Millosheviçi i tha atij që Maqedonia nuk i intereson. Atë dikur do ta ndajnë shqiptarët, bullgarët apo grekët. Ne nuk na lejohet të mendojmë alla Millosheviç. Atij i interesonin gjëra të tjera, neve jo. Maqedonia është një vend më i vogël se ne, mbase nuk rrezikon dot kurrë, por për nga rëndësia e bashkëpunimit është shumë më e madhe sesa mendojnë nacionalistët qorra…
c.a