Presidenti Hashim Thaçi ka sfiduar rendin kushtetues të Kosovës me deklaratën për bashkimin e shqiptarëve të rajonit. Kushtetuta ia ndalon Kosovës bashkimin me ndonjë shtet tjetër, shkruan Koha Ditore.
Reagime të ashpra ndërkombëtare ka nxitur qëndrimi i kreut të shtetit i shprehur një ditë më parë, por para tij edhe qëndrimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Në një intervistë për “Politico”, kreu i Qeverisë së Shqipërisë ka paralajmëruar se “Evropa mund të përballet me një makth” nëse vendet e Ballkanit “çmenden” si pasojë e nxjerrjes së zgjerimit jashtë agjendës së Bashkimit Evropian.
Në plan të parë ai e ka vënë bashkimin e shqiptarëve në kuadër të integrimit të tyre në BE. Por, nëse kjo rrugë pamundësohet, ka paralajmëruar edhe mënyra të tjera.
Dhe menjëherë pas kësaj deklarate presidenti Thaçi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se “nëse Bashkimi Evropian e mbyll derën për Kosovën, të gjithë shqiptarët në rajon do të jetojnë në një hapësirë të vetme për t’u integruar pastaj tutje në familjen evropiane”.
Që në nenin e parë të saj Kushtetuta precizon se “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”, përgatiti Koha. (b.an)