Përfshirja në “shërbimet” e seksit me pagesë në kryeqytet u ka kushtuar nga një dënim me nga 7 vjet e 6 muaj burg tre taksistëve.
Sipas Gjykatës së Tiranës, tre taksistët, një prej të cilëve punonjës policie, kanë kryer dërgimin e disa prostitutave “luksi” te klientët e tyre nëpër hotele të ndryshme, kanë ndërmjetësuar gjetjen e klientëve, si edhe kanë përfituar përqindje lekësh.
Në vendimin e shpallur më 4 prill 2017, të pandehurit Franko Alidervishi, Eglantin Kapo dhe Engjëll Ylli u shpallën fajtorë për akuzën e “shfrytëzimit të prostitucionit”. Ata u arrestuan nga një operacion i finalizuar në tetor të vitit 2015, pas një hetimi disamujor ndaj disa personave të angazhuar në shfrytëzimin e prostitucionit në kryeqytet , shkruan “Panorama”.
Ata u gjykuan të veçuar nga dy prostituta dhe dy klientët e tyre të arrestuar gjatë të njëjtit operacion policor. Gjatë gjykimit, të tre të pandehurit kanë mohuar akuzën dhe kanë kërkuar pafajësi. Ata kanë pohuar se kanë kryer vetëm punën e taksistit dhe se nuk kanë pasur dijeni mbi veprimtarinë e jashtëligjshme që kryenin vajzat që kishin si kliente në taksitë e tyre.
“Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi e provuar se dy të pandehurit, Franko Alidervishi dhe Eglantin Kapo, kanë ndërmjetësuar të pandehurat Silvana N. dhe Xheje D., në disa raste, me persona të ndryshëm për prostitucion. Ndërsa i pandehuri Engjëll Ylli ka bashkëpunuar me shtetasen Silvana N. në disa raste, gjatë kohës që kjo e fundit ushtronte vetë, apo së bashku me të pandehurat e tjera prostitucion.
Për këtë shërbim, të pandehurit janë paguar nga këto shtetase nga shumat që përfitonin për ushtrimin e prostitucionit”, arsyetonte Gjykata e Tiranës.
Një nga provat kryesore të gjykatës kanë qenë deklarimet e vajzave të përfshira në prostitucion, të cilat kanë rrëfyer emrat e taksistëve me të cilët lëviznin nëpër Tiranë, si edhe përgjimet e komunikimeve telefonike mes tyre.
Një nga bisedat e transkriptuara ishte ajo mes numrit 06…431 që u përket Xheje D., ku ajo është telefonuar nga i pandehurit Franko Alidervishi, i cili i kërkon asaj të shkojë të pijë një kafe te stadiumi “Dinamo”.
Sipas gjykatës, telefonuesi nuk është vetë i pandehuri Franko, por një person tjetër, të cilit ai i ka vënë në dispozicion numrin e Xhejes, ndërsa Franko është taksisti.
Në një tjetër përgjim, të analizuar nga gjykata, më 15 janar 2016, e pandehura Xheje është telefonuar nga i pandehuri Franko, i cili i thotë se “… më vonë do të telefonojë se ka ardh ai kushëriri im të pimë ndonjë kafe”./a.m.