Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në dorë hetimin e atentatit të ndodhur më 8 prill në mbrëmje, ku humbi jetën Artan Cuku. Vrasja e tij me pesë plumba po hetohet nga një grup i përbashkët i Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Pista kryesore që Policia sugjeroi të hetohej ishte ajo e një hakmarrjeje të mundshme nga familja e Agim Dakës, të riut që humbi jetën në vitin 2005, teksa merrej në pyetje në zyrën e Artan Cukut, shkruan “Panorama”. Pavarësisht kësaj piste të ngritur, vëllezërit e Agim Dakës ndodheshin në Shkodër në kohën kur ndodhi vrasja e Artan Cukut në Tiranë. Ata madje u gjendën në një lokal ku kishte kamera dhe dëshmitarë për alibinë e tyre.
Nga ana tjetër, për shkak të mungesës së provave në këtë pistë të hetimit, Policia dhe Prokuroria kanë dyshime edhe për një atentat të organizuar nga grupet kriminale të prekura direkt nga puna e Artan Cukut gjatë kohës që ishte drejtor policie në Vlorë në 2012 e në vazhdim. Në këtë pistë të vrasjes për shkak të detyrës, po hetohen disa grupe kriminale në qytetin e Vlorës të goditura në kohën kur Artan Cuku ishte drejtor policie në këtë qytet. Në hetim janë edhe disa grupe nga Fieri dhe nga Tirana, të prekura direkt nga puna që bënte Artan Cuku në Policinë e Shtetit gjatë detyrave që ka mbajtur ai në karrierën 16-vjeçare në polici. Drejtoria e Tiranës ka vendosur një shpërblim prej 3 milionë lekësh për këdo që ndihmon në zbardhjen e ngjarjes.
“Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për të bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar, i cili, më datë 08.04.2017, rreth orës 20:11, në Rrugën e Kosovarëve, në hyrje të pallatit ‘Melros’, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë ish-drejtuesin Cuku. Lutemi qytetarëve se për çdo informacion që mund të kenë për të bërë të mundur identifikimin e tij, të kontaktojnë në numrin e telefonit 0694110299″, thuhej në deklaratën e Policisë, e cila publikoi edhe videon e të dyshuarit që ikën nga vendi i ngjarjes. Pista e tretë lidhet me detyrën e Artan Cukut si administrator i një policie private.
ma.me