Nga Shpëtim Nazarko
Ka një moment-thotë Napoleoni në kujtimet e shkruara pas internimit të dytë të tij në Shën Helenë- kur edhe ushtari më trim ua mbath këmbëve nga fusha e betejës. Duhet të jesh komandant i zoti ta kuptosh kur mund të ndodhë ky moment. E akoma më shumë, duhet të jesh shumë i zoti për të bërë atë që duhet bërë…
Gjithnjë më është kujtuar kjo paralelele me kujtimet e strategut gjenial ushtarak, kur ishin duke u zhvilluar zgjedhjet bashkiake të vitit 2011, në Tiranë. E thënë ndryshe, për të krijuar një lloj analogjie me atë që thotë Napoleoni.
Ka ndonjëherë disa gjeste, apo qoftë edhe një gjest i vogël, që duket minimalist në pamjen e parë, por që përcakton fatin politik të një partie apo të një indivdi të vetëm politik. E përcakton këtë fat përgjithmonë, pavarësisht se është një çast i vetëm.
Mbarimi i zgjedhjeve në vitin 2011 nxori fitues thuajse në gjithë Shqipërinë, e veçanërisht në qytetet e mëdha, PS-në; e në Tiranë, ku ishte edhe epiqendra e betejës, Edi Ramën. Komisioni qendror e nxori atë fillimisht me 10 vota fitues. Beteja mbaroi, po jo për PD-në. Ishte çasti kur Basha të pranonte se kishte humbur dhe një humbje e tillë do të ishte e barabartë me fitore në planin moral, e ndoshta do ta legjitimonte përfundimisht si njeriun që pas disa zgjedhjeve në Tiranë, ku kishte humbur keq ndaj Ramës, kishte pasur një rezultat që ishte vërtet inkurajues. Në këtë kohë të ngatërruar, shumëkujt do t’i kujtohet thirrja e Kadaresë, që ishte një nga momentet e vetme të historisë sonë 25-vjecare të pluralizmit politik kur ai ngatërrohej konkretisht në zhvillimet politike të vendit. Intuita gjeniale e shkrimtarit ndoshta i thoshte se, më shumë se rrëmujës së pritshme që mund edhe të ndodhte, duhej t’i shmangeshim aktit moral, prishja e të cilit do të ishte shumë më e rëndë e më me pasoja se ajo e rezultatit praktik që do të binin ngjarjet.
PD-ja vendosi të mos pranonte këtë humbje dhe të vazhdonte një lloj beteje me anë të një numërimi, që, thënë me gjuhën e të vjetërve, «turpëroi të gjallë e të vdekur».
Votat u rinumëruan dhe Basha fitoi me rrotull njëqind të tilla. Fiks aq sa kishte parashikuar Berisha pa i numuruar fare ato paraprakisht. I gjithë ky proces u zhvillua në sy të të gjithë të huajve dhe të njerëzve të thjeshtë. Deri këtu procesi mund të konsiderohej qesharak, por me akte të tilla qesharake Shqipëria ishte mësuar dhe ai që e urdhëroi rinumërimin, me siguri që e dinte një gjë të tillë, edhe ndoshta, me të drejtë, mendoi se ky hyner do të harrohej, siç ishte bërë gjithnjë.
Po ajo që ngjau pastaj, për mendjen time, vendosi përfundimisht fatin politik dhe, po të doni, edhe vendin e Lulzim Bashës në historikun e PD-së. Kryetari i komisionit të zgjedhjeve, që bëri këtë rinumërim skandaloz, shumë shpejt u shpërblye në një mënyrë që nuk do ta imagjinonte jo një njeri që merret me komentin a vëzhgimin e zgjedhjeve politike, por edhe me gjëra që nuk kanë të krahasuar me to. Kryetari i komisionit të zgjedhjeve u bë fiks njeriu i dytë në funksion në partinë demokratike, pas Bashës. As një kryetar bande, apo një grup njerëzish që urdhërohen a marrin inisiativë të vjedhin bankën, nuk do ta ndanin gjahun në këtë mënyrë…
Po të hyjmë prapë me histori paralelesh, mund të kujtojmë një histori të ngjashme me atë të Napoleonit që përmendëm më sipër, por me përfundim fare të ndryshëm nga historia që po përshkruajmë. Thuhet se njeriu që helmoi me arsenik gradualisht Napoleonin e madh u paraqit kohë më pas për takim te mbretëresha e Anglisë. Por ajo që mori në vend të dekoratës ishte një qëndrim që ka hyrë me kohë në mbretërinë e legjendës.
Mbretëreshës i atribuohen fjalët e famshme.
«Perandoria jonë e pafund dhe e paanë, ndodh që bën edhe gjëra të liga, por nuk i ekspozon këto plaçka të ndyra gjëkund, por i fsheh ato nga syri i të tjerëve».
Morali është i qartë. Kryetari i komisionit qëndror të zgjedhjeve mund të ishte shpërblyer me çfarëdo lloj mjeti, paraje apo dekoratash, posti ambasadori, a çfarë të doni ju, por kurrë dhe asnjëherë me atë që u shpërblye.
Praktikisht, pas kësaj ngjarjeje, u thye morali i gjithë partisë, që sido që ta konsiderojmë, ishte parti në pushtet. Ushtarët apo gjeneralët e saj e kuptuan moralin e fabulës dhe ajo që i ndodhi partisë demokratike pas kësaj ngjarjeje, pra nga viti 2011 e deri më 2013, ishte thjesht vetëm një zvarritje pas ngjarjeve. PD, pavarësisht zgjedhjeve që bëri për kryetarin e ri me rregullla apo pa rregulla, në realitet kishte firmosur humbjen e saj në aspektin moral, për mendimin tim, përgjithmonë.
Ajo që ngjan tani me këtë parti është pasqyrim, për mendjen time, i asaj periudhe. Atë ngjarje mund ta kenë harruar militantët që nuk i vënë kurrë në dyshim urdhrat e kryetarit të tyre, qoftë ai dhe kryetar bande, por jo ata që kërkojnë që nëpërmjet partisë të ngrenë gradualisht karrierën e tyre brenda asaj që ata ëndërrojnë nëpërmjet militimit në radhët e saj.
Nuk është e vështirë ta shohësh përfundimin e asaj që thamë më lart, në ato që ngjajnë, apo po ngjajnë në brendësi të partisë demokratike. Megjithëse thuhet se brenda saj janë kryer zgjedhjet apo ajo është përgatitur për të hyrë në to me kryetarët e rinj të zgjedhur kudo apo kurdoherë që ato të zhvillohen, kjo nuk është shumë e vërtetë.
Në shumicën e seksioneve apo grup-seksioneve luhet me njerëz të komanduar nga qendra. Pra nuk janë ata që do të duhet të zgjidheshin, por ata që emërohen.
E gjitha kjo shërben për të ilustruar ato që po ngjajnë edhe tani. Kur kryetari i partisë demokraktike Basha thërret për ndershmëri, apo për Republikë të re, atij duhet t’i fanitet para syve ajo që ndodhi në 2011. Kundërshtari i tij që mallkon apo anatemon, që nuk e pranon zgjidhjen e ndershme, u soll fare ndryshe atë kohë. Mallkoi në heshtje apo me zë të lartë atë që po ngjante. Po nuk ngriti as njerëz dhe as provokoi rrëmujë kombëtare apo ndërkombëtare, por uli kokën dhe pranoi verdiktin e procesit gjyqësor, që, thënë ndershmërisht, thuajse nuk u zhvillua fare.
Dhe në të vërtetë këtë duhet të bënte dhe këtë bëri. Ashtu si po bën dhe tani, duke i treguar kundërshtarit se është brenda një vije të njëjtë sjelljeje.
Ka një rregull të thjeshtë, që thotë se konflikti apo konfliktet që ndodhin kudo, zgjidhen nëpërmjet vetëm një garanti. Ky është pushteti gjyqësor. Dhe kësaj teze duhej t’i përmbahej edhe Basha, edhe sot.
Askund dhe asnjeriu nuk i mbushet mendja se është qeveria teknike ajo që zgjidh historira që projekton një apo më shumë individë apo parti politike në zgjidhjen e krizave. Është një arsye e shëndoshë që i mban larg edhe partnerët politikë prej tij, por edhe ndërkombëtarët. Në mendjen time, edhe ata e kanë të regjistruar historinë e 2011-s dhe pikërisht po i fryjnë vetëm një arsyetimi. Atë që ka lidhje me Kushtetutën dhe zgjidhjet që imponohen prej saj. Prandaj ata thonë thjesht:
Bëni vetting-un, zotërinj! Paskëtaj çdo gjë është lehtësisht e zgjidhur dhe nuk ka asnjë arsye për të bërë sherr. Jua themi ne, që mund të kemi bërë histori analoge si tuajat, dhjetëra apo qindra vjet më parë, po kemi hequr dorë me kohë, sepse nuk të shpien asgjëkundi.
Duke iu rikthyer historisë së treguar në fillim të këtij shkrimi, besoj se Basha nuk ka asnjë lloj morali që mund të ngrejë në këmbë në projektin e tij, veç militantëve, por vetëm kaq. Asnjë mendje racionale nuk mund të përkrahë atë që ai kërkon. Kujtimet me ngjarjet e vitit 2011 janë aty, në mendjen dhe sytë e të gjithëve. Ato i kanë bërë, jo vetëm atij, por dhe partisë që drejton, një dëm që nuk besoj të rregullohet kurrë me asnjë gjë. Është për mua një dëm shumë më i madh se ai vitit ’97, i cili çoi në ferr me mijëra njerëz.
Nëse kjo e fundit mund të shihet edhe si aksident i historisë, ajo që ndodhi më 2011 është produkt mendor që nuk zhduket me asnjë mjet tjetër, sepse hyn në kujtesën e njerëzve më shumë sesa e mendojnë militantët e gjorë.
Nuk ka ndodhur dhe nuk besoj të fitosh ndonjëherë beteja me moralin! (Konica.al)