Një avion ushtarak amerikan iu afrua të dielën mbrëma në distancë tepër të vogël avionit Air Force One me të cilin udhëtonte Presidenti Trump, para se ky të ulej në Bazën Ajrore Andrews në Merilend pranë Uashingtonit.
Avioni presidencial nuk u shmang dhe nuk ka shenja se ishte në ndonjë rrezik. Ai u ul pa probleme në bazën Andrews gjashtë minuta më vonë.
Disa gazetarë, duke përfshirë edhe një korrespondent të Zërit të Amerikës që ndodheshin në bord u bënë dëshmitarë të incidentit. Avioni ushtarak u vu re fillimisht nga një fotograf i Associated Press-it.
Presidenti Trump ishte duke u kthyer nga vendpushimi Mar-a-Lago në Florida, ku u takua me presidentin kinez Xi Jinping. Gjatë qëndrimit në Mar-a-Lago, Presidenti dha gjithashtu urdhër për goditjen me raketa të një aeroporti në Siri, nga i cili u nisën avionët që, sipas zyrtarëve amerikanë, ndërmorën sulmin kundër civilëve me gazin nervor sarin.
c.a