Të sulmosh dikë si soroist? Nuk është e sigurt se hyn në zemrën e Trump-it. Nga ana tjetër, nuk mund ta akuzosh një soroist si të lidhur me Rusinë. Hane Shan, Hane Bagdat; gjithë elita intelektuale, profesionale është financuar nga Soros, majtas apo djathtas
Nga Mentor Nazarko
Sikur të ishin marrë vesh me njëri-tjetrin, (me gjasë nuk janë marrë vesh), pjesë të caktuara të elitave politike në Ballkan, filluan të sulmonin si soroiste palën tjetër. E gjitha kjo ndodhi kur gjatë fushatës elektorale presidenciale, por dhe më pas Presidenti Trump, kongresmenë apo senatorë të tij, filluan të sulmonin Sorosin, i cili kishte financuar fushatën e Hillari Klinton, apo dhe ambasadorët amerikanë në Ballkan të cilët kishin bashkëpunuar me degët ballkanike të Fondacionit Soros, për projekte a reforma të caktuara.
Por ky sintonizim ndërballkanik, kjo rimarrje e sulmeve ndaj Sorosit dhe soroistëve nga SHBA drejt e në Ballkan, me gjasë nuk është produktive. Dhe ka madje dhe disa të meta të tjera. Nuk po merremi me arsyet pse Sorosin e sulmojnë në Maqedoni apo gjetiu, por pse ndodh kjo në Shqipëri dhe a prodhon diçka elektorale, apo nëse mund të të rritë kredencialet në administratën aktuale amerikane.
Sulmi ndaj soroistëve nuk sjell kurrfarë përfitimi në SHBA
Sulmi ndaj Sorosit, degës së Fondacionit të tij në Shqipëri, mediave që mund të jenë financuar me të, apo përfituesve të ndihmës së tij, nuk prodhon diçka me vlerë elektorale vendore. Katundarët shqiptarë nuk e njohin Sorosin që ai t’u duket njëlloj gogoli dekurajues për ta hedhur votën në njerën apo tjetrën anë.
Ky sulm nuk mund domosdoshmërisht të rritë kredencialet e njerës palë, për shembull të LSI apo PD-së, tek administrata aktuale amerikane, e cila, duke patur Trump si president, mundet ta ketë dhe me Sorosin për arsyet e veta. Kriteret mbi të cilat administrata amerikane raportohet me palët politike në Shqipëri , apo ndërton marrëdhënie preferenciale me ta, janë me karakter thuajse universal dhe përafërsisht të ngjashme me të administratës paraardhëse: kush e dëgjon më shumë ambasadorin amerikan, domethënë zbaton porositë e administratës amerikane, kush është konstruktiv, kush i shërben stabilitetit, dhe kush është jashtë ndikimit rus-nëse ka. Sepse si u duk me atë që ndodhi me bombardimet amerikane në Damask, kjo administratë do ketë probleme më të mëdha me Rusinë, pse jo më të mëdha se paraardhësja.
E kur vjen puna tek Rusia, të akuzosh dikë si soroist, nuk je i besueshëm nëse e akuzon dhe si prorus. Kush është me Sorosin, nuk mund të jetë dhe me rusët, sepse dihet se Sorosi ka luftuar shumë kundër administratës aktuale të Putinit, apo pro shoqërisë së hapur në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik. Përflitet se pjesë e detyrave lobuese që PD dhe LSI i kanë dhënë grupeve të veta apo kongresmenëve pjesë të këtyre grupeve, ka qenë dhe etiketimi i Ramës si filorus. E të pajtosh dy gjëra të papajtueshme : soroistin me prorusin, kjo ngjan si detyrë e vështirë.
Sulmi ndaj Sorosit, dhe soroistëve, në të vërtetë është sulm i kamufluar ndaj Hillari Klintonit, administratë sponsorizuese e reformës në drejtësi, që sulmuesit nuk guxojnë ta bëjnë, për shumë arsye. Edhe sikur të ishte nominal sulmi ndaj Hillari Klintonit, nuk do t’i vlente shumë, domethënë nuk do i sillte kurrfarë frytesh në SHBA, për arsyet e mësipërme. Por në planin e brendshëm, të sulmosh Hillarin nuk të sjell gjithashtu kurrfarë fryti. Hillari është pikturuar tashmë nga tonelata ngjyrash propagande si mike e Shqipërisë dhe e shqiptarëve me gjithë burrin e vet : kujtoni foton e saj emblematike me Jozefinën apo me krahun tjetër, për të kuptuar se përgënjeshtrimi i imazhit të saj është detyrë e vështirë dhe e pamundur. Të tregosh se e sulmon Sorosin si financues të reformës në drejtësi, do të thotë të pranosh hapur se reforma në drejtësi të tmerron shumë.
Sulmi ndaj Sorosit dhe soroistëve
Por sulmi ndaj Sorosit dhe soroistëve është irrealist dhe për diçka tjetër. Kush duhet të quhet soroist, media soroiste? Ai që është ndihmuar prej Sorosit?
Sorosi, më saktë organizata e tij, gjatë aktivitetit të vet tek ne, ka qenë bujare me gazeta si Koha Jonë, e cila sot nuk mund të quhet një gazetë pro Edi Ramës. Madje dhe shumë opinionistë kritikë ndaj Ramës-disa u bënë politikanë madje, janë financuar nga Soros.
A ka soroistë në Shqipëri, veç njerëzve të Fondacionit? Kjo është një pyetje pa kuptim, madje dhe për ata që akuzojnë. Gjithë elita shqiptare, artistike, shkencore, në një mënyrë ose në një tjetër është ndihmuar prej Fondacionit. A kanë krijuar këto financime një rrjet njerëzish që mendojnë njëlloj, një lloj sekti okult që raportohet me vijën politike të Sorosit në Ballkan? Kurrë, dhe Lulëzim Basha është dëshmia më e shkëlqyer se kjo s’është e vërtetë. Ai ka qenë i financuar prej Sorosit në një pjesë të studimeve të veta, dhe kjo është arsyeja pse Basha me të drejtë nuk ia përmend emrin kurrë bamirësit, më saktë organizatës në fjalë. Nuk ka kurrfarë sekti sorosian në Shqipëri që është i lidhur me një krah politik në Shqipëri. Nuk bën sens as të thuash se kush bën karrierë politike në Shqipëri, majtas apo djathtas është i lidhur me Sorosin, sepse shumë prej individëve të shquar në vend kanë patur mbështetje prej Fondacionit në një cilësi apo në një tjetër . Ky është i vetmi element përbashkues dhe jo se qarqe okulte sorosiane shërbekan si trampolinë për njerëzit e suksesshëm në politikë. Probabiliteti që njeri apo tjetri individ i suksesshëm është mbështetur prej Fondacionit në një periudhë kaq të gjatë, mbi 20-vjeçare në një vend të vogël si Shqipëria është i lartë dhe ky probabilitet nuk të shton mundësinë të damkosësh si « sorosian ». As si sorosian i majtë, i djathtë apo të dyja njëherësh.
Dikush mund të thotë se të akuzosh dikë të lidhur me Sorosin në Shqipëri, do të thotë ta akuzosh si të lidhur me Edi Ramën. Ka një mit sipas të cilit Rama ka patur një marrëdhënie preferenciale me Sorosin. Mund të jetë e vërtetë në njëfarë shkalle, por ky raport është antitetik me atë për shembull të lobistëve amerikanë, që marrin para për ta bërë të bardhën të zezë, apo anasjelltas. Rama nuk besohet se i ka dhënë Sorosit para për të siguruar mbështetje se kjo do ishte komike. Ashtu si është komike të besohet se Sorosi 87-vjeçar, merret kaq imtësisht, në baza ditore me punët e Shqipërisë apo dhe të Ballkanit, pra dhe me peripecitë politike të Ramës.Teksti që nxori Wikileaks për protestat e 21 janarit, nuk tregoi madje as për rreshtim të Sorosit në favor të Ramës.
Sot në Shqipëri, të sulmosh dikë si soroist, mbase e bën për lidhjen e tij me reformën në drejtësi si ekspert i saj, financuar prej Fondacionit Soros. Me gjasë, SHBA-ja, ndryshe nga Evropa, nuk pati 20 milionë euro për reformën në drejtësi, por i kërkuan Fondacionit Soros mbështetje për ekspertët. E kjo nuk do të thotë se cilësia e reformës, termat e saj janë përcaktuar prej Sorosit 87-vjeçar për të spastruar elitën politike (gjyqësore fillimisht), përjashto Ramën.
Por mbi të gjitha, të sulmosh Sorosin sot në Shqipëri, ka vulën e mosmirënjohjes. Në mbi 20 vite, Soros ka ndihmuar shumë vendin tonë në dy drejtime. Në ngritje shkollash të reja, në rindërtime dhe restaurime të tyre, por dhe në mbështetjen e elitës sonë për studime të thelluara në universitetet më të mira të botës. Janë dhënë dhjetra milionë dollarë për këto dy qëllime. Dhe të sulmosh dikë që ka ndihmuar, do të thotë të kafshosh një dorë që duhet puthur.
Soros dhe fondacioni i tij nuk janë një sekt okult monopartiak as brenda Shqipërisë dhe as jashtë saj. Nuk kanë urdhërime të përditshme për të rrëzuar njerën apo tjetrën palë. Frika nga Sorosi është paranojë, është përpjekje naive për të rezonuar me paranojat e segmenteve republikane në SHBA, ku Sorosi megjithatë nuk ka përcaktuar dhe as mund të përcaktojë se kush ka qeverisur dhe qeveris. Sigurisht, është mirë ta kesh mik Sorosin, nëse atij i vjen në mend Shqipëria shpesh, por nuk është keq as të mos kesh kurrfarë lidhje me të. Soros në punët e Shqipërisë nuk peshon kurrgjë. (Konica.al)